Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u finalizuan 4 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të transportimit, kundrejt pagesës, të emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht kufirin, të shitjes së lëndëve narkotike, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim.
U kapën dhe u ndaluan 7 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve u goditën 14 raste në të gjithë territorin e vendit, me 3 autorë të arrestuar dhe 11 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për këto raste u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 13 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 14 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 16 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 9 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare u evidentuan 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast prostitucioni, me 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë.
Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u ofruar para për të shmangur masën administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 15 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestuan 4 shtetas dhe u proceduan penalisht 8 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 3 shtetas të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia Kufitare
U arrestua me qëllim ekstradimin në Turqi shtetasja turke J. Y., pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e Stambollit e ka dënuar me 4 vjet e 2 muaj burgim, për veprat penale “Dhënia e ndihmës logjistike për organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrja në grupe terroriste”.
U arrestua nga Policia Kufitare e Sarandës, 1 shtetas, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe posedim të armëve sportive.
Interpol Tirana
U ekstradua nga Mbretëria e Bashkuar shtetasi K. T., të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar në vitin 2021 me 3 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
U ekstradua nga Athina shtetasi A. B., të cilin Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier e ka dënuar në vitin 2024 me 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimat të plotë.
Durrës
Në lidhje me një postim në portalin “JOQ”, për pretendime mbi veprimet e kryera nga Policia në një konflikt të ndodhur më datë 03.08.2026, në lagjen nr. 13, bëjmë me dije se shërbimet e Policisë Durrës, pas kallëzimit të shtetasit I. G., kanë kryer, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve procedurale është arrestuar në flagrancë shtetasi B. R., ndërsa ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për një të afërm të tij, 16 vjeç, si dhe për shtetasin I. G.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
