Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.

Si rezultat i veprimeve hetimore me metoda proaktive janë finalizuar 5 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, vjedhjes, mashtrimit dhe prostitucionit.

Janë kapur/ndaluar 8 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 8 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 18 raste, me 2 autorë të arrestuar, 18 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.

Po punohet për kapjen e 2 shtetasve (vëllezër), të cilët dyshohet se, për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës 2 shtetas në rrugë. Të dëmtuarit, pasi morën ndihmën e nevojshme mjekësore, u larguan në banesë.

U ndalua një 19-vjeçar dhe u procedua penalisht një 17-vjeçar, pasi dyshohet se më datë 21.07.2026 kanë marrë me forcë nga një lokal në Durrës dhe kanë dhunuar një 30-vjeçar, si dhe kanë publikuar në një rrjet social video me pamje të dhunës së ushtruar ndaj tij.

U arrestua në flagrancë një 28-vjeçar dhe u procedua në gjendje të lirënjë 63-vjeçar, pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, në fshatin Luzhë, Tropojë. Gjithashtu, u shpall në kërkim djali i 63-vjeçarit, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, babanë e të arrestuarit.

U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 2 shtetas, me detyrë mjekë pediatër në Spitalin Rajonal Gjirokastër, pasi dyshohet se në dy raste, gjatë muajit korrik, kanë neglizhuar trajtimin mjekësor të një foshnjeje 7-muajshe, e cila ka humbur jetën më datë 21.07.2026, gjatë transportimit në spital.

U procedua penalisht administratori i një pallati, pasi gjatë punës në këtë pallat u dëmtua lehtë një punëtor, i cili po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

U arrestua edhe një 44-vjeçar, pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe e ka përplasur atë me automjet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 13 raste, me 2 autorë të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim, ndërsa për 3 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, pasi gjatë natës dyshohet se është vjedhur një shumë prej 10 000 lekësh në një objekt kulti në Kuçovë.

Punonjësi i një karburanti ka kallëzuar se një shtetas i paidentifikuar i ka marrë xhiron ditore. Vijojnë hetimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kundër mjedisit, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 11 raste, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 3 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 12 të tjerë dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 8 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë kapur 1 shtetas në kërkim dhe kanë proceduar penalisht 4 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.

Durrës / Më datë 22.07.2026, në lagjen nr. 13, dyshohet se është mbytur duke u larë në det shtetasi V. B., 77 vjeç, banues në Arapaj, Durrës.

Shijak / Më datë 22.07.2026, shtetasi A. H., 46 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e vetëdëmtimit me mjet prerës, në ambientet e një lavazhi.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të të dyja rasteve.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 04:10, në autostradën “Durrës-Tiranë”, dyshohet se një automjet me drejtues ende të paidentifikuar, ka përplasur shtetasen M. T., 74 vjeçe, këmbësore, e cila ka humbur jetën gjatë transportimit në spital.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e drejtuesit të automjetit, lokalizimin e tij dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Orikum / Informacion paraprak

Rreth orës 12:00, në plazhin e Orikumit, shtetasi A. Z., 72 vjeç, sapo është futur në ujë, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak dhe si pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.