Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit.

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe i kontrolleve në terren, janë finalizuar 2 operacione policore për goditjen e vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë operacioneve u arrestuan 2 shtetas dhe u sekuestruan 4 pistoleta, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehra, qindra fishekë luftarakë, 1 targë automjeti italiane, 1 laptop, një shumë parash dhe 2 celularë.

Janë kapur/ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë. U sekuestruan sasi kokaine dhe cannabisi.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve. Është arrestuar 1 shtetase për veprat penale “Përndjekja”, “Vjedhja”, “Kanosja” dhe “Dhunimi i banesës”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim 1 shtetas, pasi dyshohet se gjatë një konflikti ka qëlluar me armë zjarri në ajër. U arrestua 1 shtetas dhe 1 tjetër u shpall në kërkim për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë. Po ashtu, u procedua në gjendje të lirë 1 shtetas për shkelje të rregullave në punë.

Ndërkohë Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit A. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Vajkal. Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 18.07.2026, rreth orës 23:00, duke gjuajtur me armë gjahu, të cilën e mbante me leje, në drejtim të një kafshe të egër, ka plagosur aksidentalisht shtetasin N. B., 57 vjeç, banues në fshatin Vajkal, i cili ndodhej duke vaditur tokën e tij. I dëmtuari po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të arrestuar, 4 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 15 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes, me 2 autorë të arrestuar, 2 të shpallur në kërkim dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 12 shtetas dhe 2 janë shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 11 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 4 shtetas të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare u kanë shkuar në ndihmë, në 1 rast, 4 shtetasve të huaj, të cilët kishin humbur rrugën dhe kishin mbetur të bllokuar në terrenin e vështirë të malit të Çikës, në Vlorë.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.

—-

Velipojë / Informacion paraprak

Rreth orës 07:20, në rrugën nr. 10, në Velipojë, është gjetur pa shenja jete në banesën ku qëndronte shtetasi M. L., 79 vjeç, banues në Shkodër. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 79-vjeçari është rrëzuar aksidentalisht në ambientet e banesës, duke humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

Shkodër / Informacion paraprak

Rreth orës 10:45, në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Ashtë, janë përfshirë në një aksident rrugor një kamionçinë me drejtues shtetasin R. H., 61 vjeç, dhe një motomjet me drejtues shtetasin F. D., 45 vjeç. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar drejtuesi i motomjetit, i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit

Milot/Informacion paraprak

Më datë 19.07.2026, rreth orës 11:00, në aksit rrugor Rrëshen–Skuraj, në vendin e quajtur Fang, automjeti me drejtues shtetasin D. L. është përplasur me automjetin tjetër me drejtues shtetasin A. L.  Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët Y. L., K. L. dhe A. L., si dhe dy të mitur, 12 vjeç dhe 9 vjeç.  Të dëmtuarit janë transportuar për ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.