Lezhë/Policia vijon kontrollet për respektimin e nivelit të zhurmave në zonën turistike të Shëngjinit

Policia e Lezhës vijon kontrollet për respektimin e nivelit të zhurmave në zonën turistike të Shëngjinit

Në kuadër të Planit të Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, Policia e Lezhës vijon kontrollet për respektimin e normave të lejuara të zhurmës, me fokus të veçantë zonën turistike të Shëngjinit.

Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, bazuar në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike, kanë vijuar monitorimin dhe kontrollet në terren.

Gjatë këtyre kontrolleve, me pajisje matëse të nivelit të zhurmës janë verifikuar ambiente dhe subjekte të hapura e të mbyllura, me qëllim kontrollin e respektimit të kufijve të përcaktuar nga Ligji nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.

Nga matjet e kryera ka rezultuar se nivelet e zhurmës kanë qenë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është konstatuar asnjë shkelje që të kërkonte ndërhyrje apo masë administrative nga strukturat e Policisë.

Paralelisht me monitorimin e nivelit të zhurmave, është kontrolluar edhe respektimi i orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore në ambiente të hapura, në zona ose qendra të banuara, nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Lezhës mbetet e angazhuar për garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët, duke vijuar kontrollet dhe monitorimin gjatë gjithë sezonit turistik.

Ftohen qytetarët të denoncojnë çdo rast shkeljeje, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe ndërhyrje në përputhje me ligjin.

#PoliciaeLezhës #SezoniTuristik2026 ☀️ #QetësiDheSiguri #RespektoLigjin #NëShërbimTëQytetarëve