Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit, mbajtjes së tyre pa leje dhe për zbardhjen e një rasti mashtrimi. U arrestuan 5 shtetas, ndërsa 1 u shpall në kërkim, si dhe u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë dhe pjesë të ndryshme armësh.

Janë kapur 5 shtetas që ishin në kërkim për krime kundër personit, kultivim të bimëve narkotike, mashtrim dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrrest në shtëpi”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste në të gjithë territorin, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të ndryshme narkotike, si dhe asgjësuar 1352 bimë narkotike Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste, me 3 autorë të arrestuar, 20 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 5 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë të arrestuar, 3 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 8 raste, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast në fushën e krimeve kibernetike, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 8 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikimi të dokumenteve.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.

Vlorë/Mbrëmjen e djeshme, shtetasi Sh. K, 37 vjeç, banues në Sevaster, dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht në këmbë, me armë gjahu që e mabnte pa leje. Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:00, në aksin rrugor “Skerficë-Sarandë”, automjeti me drejtues shtetasin O. M., rreth 20 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. B., rreth 35 vjeç.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi O. M..
Gjithashtu, janë dëmtuar shtetasi E. B. dhe dy pasagjerët në automjetin e tij, shtetasit D. T., 56 vjeç, dhe A. L., 47 vjeç, të cilët po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 05.06.2026, rreth orës 03:00, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, në spital, shtetasi K. Rr.(L.), banues në Laç, i dëmtuar në këmbë dyshohet me armë zjarri, dhe vëllai i tij, shtetasi K. G.(L.), i dëmtuar në këmbë(ndrydhur).
Të dy shtetasit janë jashtë rrezikut për jetën, dhe kanë deklaruar se janë dëmtuar nga disa shtetas të panjohur prej tyre, në ambientet e jashtme të një subjekti në rrugën “Faik Konica”.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të rastit, si dhe për sqarimin e rrethanave.