Drejtori i Përgjithshëm viziton në spital, punonjësin e Policisë që u plagos gjatë një operacioni në malin Moden, Maliq

Spitali i Traumës, Tiranë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita vizitoi menjëherë pas mbërritjes në Spitalin e Traumës, Inspektor Edison Adrin, punonjësin e Policisë, i cili u transportua me helikopter, nga Mali Boden, Maliq, ku u plagos gjatë një operacioni policor për kapjen e një shtetasi në kërkim, me rrezikshmëri shoqërore.

Drejtori i Përgjithshëm komunikoi me drejtuesit dhe stafin mjekësor të Spitalit të Traumës, për t’i garantuar Inspektor Edison Adrit, ndihmë të specializuar mjekësore, si dhe trajtim dhe kujdes të veçantë.

Drejtor Hita, gjatë prononcimit të shkurtër përpara gazetarëve, në lidhje me ngjarjen shumë të rëndë të ditës së sotme:

“Në një operacion policor në Malin Boden, në zonën e Maliqit, ne humbëm një koleg të mrekullueshëm, humbëm një baba, një familjar të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj, në shërbim të qytetarëve, kështu që në këtë ngjarje edhe një punonjës policie është i plagosur rëndë dhe ai po merr ndihmën e plotë mjekësore.

Njëkohësisht, edhe personi në kërkim që ishte bërë rrethimi i tij, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e tij, dhe ai gjatë shkëmbimit të zjarrit, është plagosur dhe ndodhet në spitalin e Korçës. Është vërtetë një ngjarje nga ato të cilat të lënë pa fjalë, ku unë s’do doja sot që të isha përpara jush.

Tashmë, hetimet kanë filluar si nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, njëkohësisht dhe nga Standardet Profesionale, të cilat i kam autorizuar që të nisen drejt Korçës, ku unë pas këtij momenti, do të largohem drejt Korçës dhe nga aty do të keni një njoftim më zyrtar dhe më të plotë për gjithë dinamikën e ngjarjes dhe çfarë ka ndodhur. Ju faleminderit.”