Gjatë 24 orëve të fundit janë finalizuar 2 operacione policore, për goditjen e lojërave të fatit dhe kultivimit të bimëve narkotike.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste në të gjithë territorin, me 9 autorë, nga të cilët 1 i arrestuar, 7 të proceduar dhe 1 i shpallur në kërkim.
Janë evidentuar dhe asgjësuar një numër i konsiderueshëm fidanësh e bimësh narkotike dhe është sekuestruar një sasi e vogël kanabisi.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe një rast vetëvrasjeje (një 19-vjeçare dyshohet se, në kushte të rënduara psikologjike, është vetëhedhur nga kati i 5-të i një pallati në Durrës dhe ka humbur jetën).
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 8 autorë, nga të cilët 4 të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 4 raste, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimit të lotarive të palejuara”, me 1 autor të arrestuar. Janë sekuestruar një tavolinë pokeri dhe një valixhe me çipsa për poker.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve kundër mjedisit, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur/pa leje drejtimi dhe janë proceduar 4 shtetas që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh (1 me pasojë humbje jete dhe 4 raste me 4 shtetas të lënduar, jashtë rrezikut për jetën).
Janë arrestuar 3 shtetas për kundërshtim të punonjësve të Policisë dhe shkatërrim prone.
Si dhe janë proceduar penalisht 18 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 3 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.
Informacione paraprake:
-Durrës/Rreth orës 22:00, në Gjirin e Lalëzit, janë përplasur dy automjete. Si pasojë ka humbur jetën një 57-vjeçar, i cili ndodhej pasagjer në njërin prej automjeteve. Gjithashtu, kanë marrë lëndime drejtuesit e automjeteve dhe një pasagjer. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë drejtuesit e të dy automjeteve, të cilët rezultuan se drejtonin automjetet në gjendje të dehur.
-Kurbin/Rreth orës 03:00, në qytetin e Laçit, në qepenin e derës së një dyqani që ndodhet në një kompleks shërbimesh, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Policia e Shtetit apelon për respektimin e ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor. Drejtuesit e mjeteve të shmangin shpejtësinë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet kyç për parandalimin e paligjshmërisë dhe forcimin e sigurisë publike. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e profesional.
