Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 5 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, dhënies së ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, prostitucionit dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Janë kapur 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
U arrestua në flagrancë shtetasi Sh. C., 49 vjeç, pasi dje, në ambientet e një lokali në Fushë-Krujë, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. D., 46 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Po punohet për kapjen e shtetasve D. C., 31 vjeç dhe H. C., 24 vjeç (vëllezër), pasi dje, në Fushë-Krujë, dyshohet se gjatë një konflikti, kanë goditur me mjet prerës shtetasin A. Xh., 51 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve. Vijojnë hetimet për rastin.
U arrestua shtetasi A. N., 59 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, në Fier, ka goditur me mjet prerës (thikë) një 55-vjeçar, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 11 raste, me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për 4 raste të ndërtimit të paligjshëm në Kukës, u procedua në gjendje të lirë roja mjedisore, për shpërdorim detyre.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
Janë proceduar penalisht 7 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Janë arrestuar 3 shtetas, për kundërshtim dhe goditje të punonjësve të Policisë, si dhe është proceduar penalisht 1 shtetas që ka tentuar të korruptojë një punonjës policie, për të shmangur masën administrative.
Janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 6 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, trafikim të mjeteve motorike dhe posedim të armëve të ftohta.
U procedua në gjendje të lirë shtetasi A. P., 54 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në llogarinë me emrin e tij, në rrjetin social “Instagram”, janë bërë postime për veprime të dhunshme gjatë protestave.
Po punohet për gjetjen e shtetasve T. R., 22 vjeç, banues në Divjakë, dhe të një 13-vjeçareje, banuese në Shkodër, pasi familjarët kanë kallëzuar largimin e tyre nga banesat respektive.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
