DVKM Vlorë
Finalizohet operacioni i koduar “Transit 3”. Goditet një rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohet 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, të cilët në bashkëpunim, po transportonin kundrejt pagesës, 4 shtetas kinezë që synonin të kalonin ilegalisht në Greqi.
Sekuestrohen 2 automjete.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve për një rast të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve, finalizuan operacionin e koduar “Transit 3”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Konispol, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. S., 21 vjeç, banues në Kosovë.
Shtetasi M. M. monitoronte rrugën për prezencën e Policisë, ndërsa shtetasi A. S e ndiqte pas me automjetin me të cilin transportonte në drejtim të Konispolit, 4 shtetas kinezë, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Greqisë.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në afërsi të Konispolit, shtetasi A. S. ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke përfituar nga terreni dhe errësira.
Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet e përdorura për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
