Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 2 operacione, për goditjen e tentativës për të shitur lëndë narkotike afër shkollave dhe për zbardhjen e vjedhjeve.

Janë kapur 6 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 13 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 14 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U identifikuan dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit S. K. dhe I. K., të cilët dyshohet se dje, në Krujë, kanë dhunuar një punonjës policie 19 vjeç.

Ndërkohë, u procedua penalisht shtetasi K. B., 51 vjeç, banues në Durrës, i cili ka kanosur një punonjës policie për shkak të detyrës, pasi i ka vendosur masë administrative.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 5 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 2, të dyshuar për zjarrvënie në Lushnjë, Divjakë dhe Maliq.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 12 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 2 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

U proceduan penalisht 5 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

U arrestuan shtetasit:

-D. M., 19 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Peshkopi-Maqellarë”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me automjetin me drejtues një 36-vjeçar. Nga aksidenti janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe 5 pasagjerë, ndërsa një pasagjere 74 vjeçe, për shkak të dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

-B. K., 68 vjeç, pasi dyshohet se, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar një këmbësor 70 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.

-E. T., 25 vjeç, duke drejtuar një mjet elektrik, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, për pasojë, është rrëzuar. Aktualisht është në kujdesin e mjekëve.

U arrestua një 27-vjeçar dhe u proceduan penalisht dy shtetas 16-vjeç, pasi posedonin armë të ftohta, ndërsa në një banesë të pabanuar u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë të mallrave.

Interpol Tirana

U ekstradua në Zvicër shtetasi D. D., 32 vjeç, banues në Kosovë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Prokuroria e Kantonit Gallen, Zvicër, me vendimin e datës 19.08.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i parave”, “Emigracioni i paligjshëm” dhe “Mashtrimi”.

U ekstradua nga Italia shtetasi M. L., 22 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin e datës 30.10.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.