Policia e Beratit, kontrolle pranë shkollave, konstatohen 4 mjete që gjeneronin zhurma

Policia e Beratit, angazhim konstant dhe të shumëfishtë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, si dhe adresimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të përcjella nga qytetarët.

Në vijim, Policia Rrugore dhe Forca “Shqiponja” kanë kryer monitorim dhe verifikime në territorin në afërsi të institucioneve arsimore, për të konstatuar lëvizjen me mjete me shkarkues të modifikuar që gjenerojnë zhurmë.

Si rezultat, gjatë 24 orëve të fundit, u konstatuan 4 mjete në këtë paligjshmëri, drejtuesit e të cilave u ndëshkuan administrativisht, në bazë të përcaktimeve të Kodit Rrugor. Konkretisht:

-drejtuesi i një motomjeti me targë të huaj, të pandryshuar, dhe i papajisur me siguracion, i cili gjeneronte zhurmë, me shkarkues të modifikuar, në afërsi të institucioneve arsimore, u ndëshkua me 14000 lekë gjobë dhe iu bllokua motomjeti;

-3 drejtues mjetesh me shkarkues të modifikuar, që lëviznin në afërsi të institucioneve arsimore, u ndëshkuan me 4000 lekë gjobë secili.

Zbatimi i këtij plani të posaçëm operacional vijon në të gjithë territorin e qarkut Berat, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo forme paligjshmërie që cenon nxënësit dhe procesin mësimor.

Policia e Beratit apelon për drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, në asnjë rast të mos ndërhyjnë në mënyrë të parregullt në sistemet e shkarkimit të mjeteve, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në afërsi të institucioneve arsimore.