Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 6 operacione në fushën e kapjes/ndalimit të personave të shpallur në kërkim, transportimit të emigrantëve të paligjshëm dhe vjedhjes. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 5 shtetas, 2 shtetas u shpallën në kërkim dhe 1 tjetër u procedua në gjendje të lirë.

Janë kapur/ndaluar 3 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, 1 shtetas i dyshuar për veprën penale “Përndjekja”, si dhe 1 shtetase në kërkim, pasi është larguar nga banesa dhe ka braktisur fëmijët e saj të mitur.

U arrestua 1 shtetas dhe 1 tjetër u procedua në gjendje të lirë për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve kundër mjedisit, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në Tiranë, u ndalua 1 shtetas, pasi dyshohet se ka marrë 3 automjete me qëllim tregtimin për përfitim personal dhe nuk ka likuiduar shumën e parave që i detyrohej. Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se i ka dërguar pronarit një faturë bankare për kalimin e një shume parash, e cila dyshohet se është e falsifikuar.

Në Shkodër, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit G. N., 53 vjeç, dhe Dh. U., 68 vjeçe, me profesion mjek neurolog në Spitalin Rajonal Shkodër, për veprat penale “Mjekim i pakujdesshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se kanë kryer mjekim të pakujdesshëm dhe kanë neglizhuar ndaj mjekimit të shtetasit F. K., 40 vjeç, i cili ka ndërruar jetë më pas në Spitalin “Nënë Tereza”, Tiranë.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 5 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas dhe 1 në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 7 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Në Tiranë, u arrestua shtetasi E. Sh., 18 vjeç, pasi, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin B. D., 35 vjeç, i cili, si pasojë e përplasjes, është spostuar dhe ka goditur automjetin me drejtues shtetasin L. S., 38 vjeç. Shtetasi E. Sh. ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në automjetin e tij ndodhej si pasagjer kushëriri i tij, shtetasi L. Z., 19 vjeç, i cili ka humbur jetën. Gjithashtu, në spital ndodhet nën kujdesin e mjekëve edhe shtetasi B. D.

Në Tiranë, u arrestua një 30-vjeçar, pasi, në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, duke drejtuar automjetin, është përfshirë në përplasje me një biçiklist, 46 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

—–

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 12:20, në lagjen nr. 1, Durrës, në një varkë që ndodhej në det, shtetasi filipinez A. R., 28 vjeç, punëtor i një firme private, duke punuar me një pompë për heqjen e ujit nga varka, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Si pasojë, ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Tiranë/ Më datë 25.09.2026, u referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi një 39-vjeçar, duke punuar në një kompani, dyshohet se ka dëmtuar dorën në makineri. 39-vjeçari ka marrë mjekim në spital.

Tiranë/ Në Kamëz, ka marrë flakë një automjet në pronësi të një 27-vjeçari. Punohet për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Gjirokastër/Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Gjirokastër-Kakavijë”,  shtetasi A. M., 29 vjeç, banues në Gjirokastër duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen V. S., 77 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin Rajonal Gjirokastër, në kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i automjetit, u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e mëtejshme për aksidentin.

 

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt