Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 7 operacione në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, kapjes/ndalimit të shtetasve në kërkim ndërkombëtar, armëmbajtjes pa leje, trafikimit të mjeteve motorike dhe vjedhjes.

Janë kapur/ndaluar 6 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale, një prej tyre i dënuar.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në Durrës, u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasi E. S., 42 vjeç, administrator i një subjekti, pasi ditën e djeshme humbi jetën një shtetas filipinas, i cili ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë punës për heqjen e ujit në një mjet lundrues në pronësi të subjektit.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për mosbindje ndaj urdhrit e punonjësit të Policisë dhe 1 shtetas i dyshuar për veprën penale “Përndjekja”.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 8 raste të krimeve kundër mjedisit, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e vjedhjes, me 3 autorë të arrestuar, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.