Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione, në Fier, Berat dhe Vlorë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Janë kapur/ndaluar 6 shtetas në kërkim për vepra të ndryshme penale. 1 prej tyre, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, u kap në Portin e Durrësit dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Maqedoninë e Veriut.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 7 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim.

Në Elbasan u arrestuan 4 shtetas (2 prej tyre vëllezër), pasi dyshohet se, në rrugën “Thoma Kalefi”, janë përfshirë në një konflikt fizik dhe me sende të forta, me njëri-tjetrin dhe me një 30-vjeçar.

Ndërsa në Lushnje u procedua penalisht shtetasi A. T., kryeplak i fshatit Rapëz, pasi ka kanosur një gazetar, për shkak të detyrës.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U arrestua 1 shtetas, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në një sipërfaqe me pemë dhe shkurre në tokën e tij, në Ndroq. U proceduan penalisht 2 shtetas të dyshuar për zjarrvënie në një fshat në Kamëz dhe në një fshat në Klos, si dhe u shpall në kërkim 1 shtetas i dyshuar për zjarrvënie në një fshat në Krujë.

U procedua penalisht 1 shtetas italian, pasi në një ambient në rrugën “Spiro Çipi” janë konstatuar mbeturina nga veprimtaria e fasonerisë që administron ky shtetas, të cilat ndotin mjedisin. (Rasti është pasqyruar edhe në rrjete sociale).

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 1 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.

Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

U arrestuan 2 shtetas dhe u procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Tiranë/U arrestua një 54-vjeçar, pasi dyshohet se ka përplasur me automjet një 74-vjeçar dhe është larguar nga vendi i aksidentit, dhe një 24-vjeçar, pasi dyshohet se ka përplasur me motomjet një 76-vjeçar. 2 shtetasit e moshuar janë në spital, në kujdesin e mjekëve.

U arrestua 1 shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u proceduan penalisht 26 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 6 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentesh dhe mosdeklarim të shumave monetare.

Sarandë/Rreth orës 01:15, ka rënë zjarr në një banesë në lagjen nr. 1, dyshohet për shkak të një defekti në sobën e gatimit. Për shkak të asfiksisë, janë dërguar në spital shtetasit K. Zh., 73 vjeç dhe K. Zh., 72 vjeçe, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Dimal/Dje, shtetasi A. M., 52 vjeç, banues në Dimal, duke rregulluar çatinë e një banese, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Maliq/Dje, ka kallëzuar shtetasja V. B. se i është larguar nga banesa, para 2 ditësh, vajza e saj 18 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.