Lezhë
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetasit (babë e bir) që dyshohet se plagosën me armë zjarri, për motive të dobëta, një 31-vjeçar, dje, në fshatin Manati.
Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, të DVP Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë, për autorësinë dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të shtetasit D. P., mesditën e djeshme, në fshatin Manati, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të plagosjes, shtetasve: B. Gj. alias B. V., 47 vjeç, dhe A. V., 23 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Tresh, Lezhë.
Nga hetimet dyshohet se dje, rreth orës 13:10, këta dy shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin D. P., 31 vjeç, banues në Lezhë, kanë qëlluar me armë zjarri drejt tij. Si pasojë është plagosur 31-vjeçari, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “BMW”, i cili dyshohet se është përdorur nga 2 autorët e dyshuar, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
