Kukës – “Siguria është prioritet. Të dëgjojmë qytetarët, të bashkëpunojmë për sigurinë”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë fjalës së mbajtur në forumin e sigurisë, ku ishte i pranishëm Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se siguria është kontribut i të gjithëve dhe se parandalimi është më i rëndësishëm se reagimi pasi ngjarja ka ndodhur, ndaj bashkëpunimi me qytetarët, aktorët dhe faktorët është shumë i rëndësishëm.
Drejtori i Përgjithshëm:
“Unë, si Drejtor i Përgjithshëm, nuk e shikoj këtë takim thjesht si takimin e radhës, por si një përgjegjësi të madhe qytetare, morale dhe ligjore, për të diskutuar për sigurinë.
Siguria publike na shërben të gjithëve dhe na duhet të gjithëve.
Prandaj, Policia e Shtetit, vit pas viti, në bashkëpunim me partnerët, ka aplikuar forma të përparuara të policimit në komunitet, ku një komponent mjaft i rëndësishëm janë edhe këshillat e sigurisë që mbahen në çdo bashki.
Por, që këto këshilla të funksionojnë dhe të japin kontributin e duhur në çdo drejtim të rritjes së parametrave të sigurisë, patjetër nevojitet dhe një element thelbësor, siç është bashkëpunimi nëpërmjet të gjithë këtyre faktorëve dhe aktorëve, atyre që janë prezentë sot këtu, por edhe më tej, për të bërë të mundur zinxhirin e sigurisë të funksionojë dhe të vazhdojë normalisht në çdo hallkë të shoqërisë.
Motoja e këtij takimi është vërtet shumë domethënëse: “Siguria është prioritet”. Prandaj dhe mesazhi se siguria për asnjë arsye nuk negociohet, ka për qëllim ndërveprimin e të gjithë faktorëve ku ne bazohemi. Nëse një lagje ka problem me lëndët narkotike, nëse një lagje ka probleme apo shqetësim nga grupmoshat e ndryshme, nëse një lagje në fshat ka konflikte të vazhdueshme për pronësinë, këtu duam edhe gjithë ndihmën e komunitetit, të të gjithë banorëve, ku një njoftim në kohë, për të bërë të mundur parandalimin e çdo vepre penale, do të ishte më se i domosdoshëm dhe më se i nevojshëm.
Një telefonatë e ardhur shpejt është një parandalim i një ngjarjeje që ndodh po gjithashtu shumë shpejt.
Të dashur qytetarë, ju jeni miqtë e sigurisë, miqtë e Policisë së Shtetit, ndaj jemi sot bashkë të dëgjojmë njëri-tjetrin, të diskutojmë dhe të marrim vendimet e duhura në këtë Këshill të Sigurisë, për të ecur më tej dhe për të hedhur themele të forta të bashkëpunimit ndërmjet komunitetit dhe Policisë. Ky është qëllimi ynë: të krijojmë një ambient sa më të sigurt për qytetarët.”
Drejtori i Përgjithshëm, në përfundim të Forumit “Siguria është prioritet”, në Kukës, iu përgjigj pyetjes së gazetarit për ngjarjen e ndodhur në Vlorë dhe për sjelljen e punonjësve të Policisë së Kuçovës gjatë shoqërimit të një shtetasi.
Pyetje: Zoti Drejtor, ngjarja e djeshme në Vlorë, por edhe ngjarja e shoqërimit të prindit në prani të fëmijëve, padyshim ka sjellë, po themi, një element jo pozitiv për sa i përket veprimeve të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm: “Policia ka qenë gjithmonë e angazhuar. Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, me marrjen e njoftimit, në momentin e parë u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë nën masën e arrestit në flagrancë, dhe vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, në këto momente që jemi bashkë, vazhdojnë veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i të gjitha pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve. Ndërsa, për rastin e Kuçovës, vërtet ishte i drejtë shqetësimi për veprimet e punonjësve të Policisë, veçanërisht pasi ato ndodhën në sy të fëmijës.
Prandaj, për këtë arsye, kemi bërë pezullimin e tyre nga detyra. Kur punonjësit e Policisë nuk kryejnë detyrën e tyre funksionale në përputhje me procedurat standarde, po marrim masa ndëshkimore sipas procedurave tona. Kështu që, situata në përgjithësi e sigurisë paraqitet normale dhe ky takim sot këtu na vlejti për të marrë opinionin e gjithë qytetarëve, për të marrë pretendimet dhe ankesat, që do të gjejnë vëmendje të shtuar te punonjësit e Policisë, për zgjidhjen e të gjitha problematikave.
Është takim i vlefshëm për Policinë. Siç e keni parë edhe në komunikimet tona të mëparshme, kemi qenë më të hapur si me mediat, ashtu edhe me publikun dhe komunitetin. Këto takime, në këtë format, ku janë shefat e komisariateve, drejtorët vendorë dhe të gjitha strukturat e tjera, japin premisa që të zhvillohemi më shumë, të marrim më shumë feedback nga komuniteti dhe e gjithë kjo të kthehet në besim dhe siguri për të gjithë qytetarët.”






