Ksamil/Shkeli perimetrin e sigurisë me Jet Ski, ndëshkohet me gjobë dhe bllokohet mjeti lundrues

Ksamil/ Shkeli perimetrin e sigurisë me Jet Ski, duke rrezikuar pushuesit, bllokohet mjeti lundrues dhe drejtuesi ndëshkohet me 500 000 lekë gjobë

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, monitorim i pandërprerë për garantimin e sigurisë në hapësirën detare.

Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Ishujt e Ksamilit”, shërbimet policore konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte shkelur perimetrin e sigurisë dhe ishte futur në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Menjëherë, shërbimet ndërhynë për ndalimin e mjetit lundrues dhe, në përfundim të veprimeve administrative, e bllokuan atë.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi P. A., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.

Kontrollet dhe patrullimet vijojnë të pandërprera përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Policia e Shtetit apelon sërish ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.