Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Interpol Tirana – Falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe zyrës homologe të Interpol Wiesbaden, Gjermani, u bë e mundur kapja dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i dy shtetasve shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Frankfurti, Gjermani, drejt vendit tonë, i shtetasit P. S., 49 vjeç, banues në Patos, Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2018, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Shtetasi P. S. dyshohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka vepruar së bashku me persona të tjerë në episodin e trafikimit të 2 ton lëndë narkotike cannabis sativa, më datë 08.02.2017, nga Shqipëria në Itali, si dhe i përfshirë në episode të tjera të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Gjithashtu u ekstradua shtetasi Klodjan Zanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë. Shtetasi Klodjan Zanaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin gjyqësor në vitin 2019, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”. Ky shtetas, në periudhën kohore 2016-2017, më anë të mashtrimit ka mundësuar përfitimin e një shume të konsiderueshme parash, në dëm të shtetases J. L., me banim në Tiranë.
Elbasan – Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër. Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin: M. A., 31 vjeç, banues në fshatin Balëz e Poshtme, Elbasan, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit V. M., 32 vjeç ( i cili është shpallur në kërkim policor), ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një kompjuter, një aparat celular dhe 80.500 lekë që dyshohen se janë përfituar nga lojërat e fatit. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin I. P., 44 vjeç, banues në fshatin Kostenjë, Librazhd. Ky shtetas, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, është konstatuar nga agjenti verifikues duke kryer parakalime të gabuara në rrugë dhe me qëllim shmangien e masës administrative i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore, një kartëmonedhë të prerjes 2.000 lekë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin: L. Q., 24 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Shijak, Durrës – Goditën me sende të forta një shtetas dhe qëlluan me armë zjarri në ajër duke prishur qetësinë publike, arrestohet njëri nga autorët, shpallen në kërkim dy të tjerët. Gjithashtu arrestohet në flagrancë një 25-vjeçar dhe shpallet në kërkim vëllai i tij, pasi kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan shtetasin A. K., 52 vjeç dhe bënë shpalljen në kërkim të shtetasve Xh. K., 20 vjeç dhe K. K., 22 vjeç, banues në Shijak, Durrës (me lidhje familjare). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjete të forta shtetasin D. Gj., 25 vjeç, banues në Pjezë, Shijak, Durrës, duke i shkaktuar dëmtime të lehta në trup. Gjithashtu, këta shtetas, gjatë largimit nga vendngjarja dyshohet se kanë qëlluar në ajër me armë zjarri në Shijak, duke prishur qetësinë publike. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë dhe gjatë shoqërimit të personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur, shtetasi F. Ç. ka kundërshtuar me dhunë forcat e Policisë. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi F. Ç., 25 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai tij, shtetasi A. Ç., 25 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në ngarkim të shtetasve A. K., Xh. K. dhe K. K., për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe në ngarkim të shtetasve F. Ç. dhe A. Ç., 25 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.
Mirditë, Lezhë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. R., 34 vjeç, banues në Rrëshen, me detyrë administrator në një kompani interneti. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 11.07.2021, në fshatin Sheshaj, Mirditë, shtetasi A. D., 34 vjeç, duke punuar për shtrimin e kabllorit për kompaninë, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 272 shtetas, konkretisht: 10 janë ndaluar, 89 janë arrestuar në flagrancë dhe 173 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 22 raste, me 12 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 30 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”, 10 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 10 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 16 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 28 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 36 raste: 5 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 31 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për vjedhje të energjisë elektrike.
Janë evidentuar 12 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të shkatërrimit të pronës, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve të motorike”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me 2 autorë që autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Prishja e qetësisë publike”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Armëmbajtja pa leje”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë. Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për mbajtje pa leje të armeve të ftohta.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 për “Kanosja për shkak të detyrës” dhe 2 të tjerë, për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për “Shpërdorim detyre”, 5 për “Moskallëzimi i krimit”, 1 për “Përndjekja”, 1 për “Dhunimi i banesës”, 1 për “Organizimi i lotarive të palejuara”, si dhe Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Janë proceduar penalisht 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 19 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 17 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 15 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 13 aksidente, me 2 viktima dhe 23 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.