Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kurbin – Finalizohet operacioni policor “Aksesorët”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së sendeve me vlerë. Operacioni nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Interpol Tirana, me mbeshtetjen e Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, pas një hetimi disamujor. Sekuestrohen 2 krehra pistolete me fishekë, municion luftarak, ora të markave të ndryshme dhe sende të tjera me vlerë që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së banesave në disa vende të BE-së. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara për një shtetas që dyshohet për veprimtari të jashtëligjshme në fushën e vjedhjes së banesave në vendet e BE-së, pas një hetimi disamujor finalizuan operacionin “Aksesorët”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasit B. N., 30 vjeç, banues në Kurbin (i arrestuar më parë jashtë shtetit). Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të banesës, në kuadër të procedimit penal, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 krehra pistolete me fishekë, municion luftarak, 55 ora të markave të ndryshme, 18 unaza, 20 byzylykë dore, varëse, për të cilat nuk dispononte asnjë dokumentacion apo faturë blerjeje, të dyshuara si produkte të veprimtarisë kriminale jashtë vendit në fushën e vjedhjes së banesave. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrrestimin në flagrancë të shtetasve: F. M., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit të banesës së tij, sherbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, gjetën dhe sekuestruan sasi me lëndë narkotike kanabis; R. Sh., 26 vjeç, A. F., 19 vjeç, B. F., 21 vjeç dhe F. F., 58 vjeç, pasi në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” gjatë kontrollit fizik dhe të ambientit ku u konstatuan këta shtetas, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kanabis, një sasi me lëndë narkotike kokainë, një pistoletë manovër, dhe një thikë metalike. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 29 vjeç pasi në firmën në administrim të tij është dëmtuar punëtori i firmës shtetasi H. S., 31 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. Z., 41 vjeç dhe E. P., 33 vjeç, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse; A. K., 45 vjeç dhe F. K., 35 vjeç, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. •Me datë 04.06.2021, në rrugën “Mustafa Lleshi” dyshohet se në kushte depresioni është vetëvrarë në banesën e tij shtetasi R. M., 80 vjeç. •Me datë 02.06.2021, në Bathore, ka rënë aksidentalisht nga lartësia e banesës së tij shtetasi H. L., 57 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë ditën e djeshme në spital. Më datë 04.06.2021, në fshatin Shkozë-Bardhe, Njësia Administrative Fushë Krujë, është gjetur mjeti i braktisur “Benz Mercedez”, në pronësi të shtetasit B. M., 47 vjeç. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Pogradec – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për fshehje të ardhurash. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, konkretisht në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe fshehjes së të ardhurave, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit K. P., 24 vjeç dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 23 vjeç, banues në Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar në qytetin e Pogradecit, në lokalin në përdorim të shtetasit A. M., i cili rezultoi se ushtronte aktivitetin tregtar në mënyrë të paligjshme, shtetasit K. P., iu gjet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

Tropojë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur sot në Tropojë, ku një shtetaseje i vodhën me dhunë çantën e dorës. Kapen dhe arrestohen dy autorët e dyshuar të ngjarjes. Policia e Tropojës, menjëherë pas marrjes së kallëzimit së shtetases S. B., banuese në fshatin Dojan, e cila ka kallëzuar gjatë rrugës për në banesë, dy persona i kishin vjedhur me dhunë çantën e dorës, brenda së cilës kishte një sasi parash dhe një telefon, organizoi punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve të dyshuar, shtetasit V. M., 21 vjeç dhe R. R., 18 vjeçe, banues në Kosovë. Shtetasit V. M. dhe R. R. dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur me dhunë çantën e dorës shtetases S. B. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në dhomën e një hoteli në qytetin e Tropojës, ku ishin akomoduar autorët u gjetën dhe sekuestruan sendet e vjedhura: 1 aparat celular dhe një sasi lekësh. Gjithashtu janë gjetur 9 fishekë pistolete, 4 telefona celular dhe maska anticovid që dyshohen se i kanë patur me vete gjatë kryerjes së vjedhjes.  Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrrestimin në flagrancë të shtetasve: A. Z., 24 vjeç dhe E. Ç., 23 vjeç, sepse gjatë kontrollit të mjeteve përkatëse me të cilin këta shtetas qarkullonin në kohë dhe vende të ndryshme, sherbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kanabis. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: F. L., 41 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; K. H., 28 vjeç, G. B., 46 vjeç dhe J. B., 36 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjete përkase në gjendje të dehur. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Sekuestrohen fara kanabisi, bimë narkotike kanabis dhe municion. Vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit masiv të territorit, shërbimet e Policisë Elbasan kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit duke arrestuar në flagrancë shtetasit M. B., 32 vjeç, D. B., 39 vjeç, banues në Elbasan dhe F. G., 47 vjeç, banues në Krrabë e Madhe, Tiranë. Si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve L. B., 30 vjeç dhe I. B., 83 vjeç, banues në fshatin Krrabë e Vogël. Arrestimi i këtyre shtetasve dhe shpallja në kërkim e bashkautorëve u bë pasi kanë tentuar  për  të kultivuar fidanë cannabis sativa në një zonë të pyllëzuar në fshatin Krrabë e Vogël. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit I. B. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 26 fishekë dhe fara kanabisi. Matrialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Vlorë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit: R. R., 31 vjeç dhe E. M., 27 vjeç, të dy banues në Vlorë të cilët Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim në më shumë se një herë. Këta shtetas  dyshohen se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror të shtetasve nga vendet e treta në bashkëpunim me shtetasin I. H., i arrestuar në muajin dhjetor nga Policia. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Durrës – Policia zbardh në kohë rekord vjedhjen me dhunë të kryer ditën e djeshme në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës. Vihet në pranga menaxheri i firmës, i cili kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin  e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati. Gjithashtu vihet në pranga edhe pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 06.06.2021, në një karburant, ku u vodh me dhunë një shumë e madhe parash,  organizuan punën për zbardhjen e  ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpjeta hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Në bazë të provave të grumbulluara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve  G. F., 23 vjeç dhe A. H., 22 vjeç. Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit G. F., 23 vjeç, menaxheri i kompanisë. Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi G. F., për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.  Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e shtetasit A. H., i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga shtetasi G. F. Menaxheri i firmës, shtetasi G. F. dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë  borxhet që ka patur në loto. Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit G. F., dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit A. H.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”. U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihen në pranga 2 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve M. G., 34 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, banues në Pogradec. Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Eçmenik, Devoll, shtetasit e mësipërm duke lëvizur me mjetin tip “Benz”. Shërbimet i kanë bërë me shenjë drejtuesit që të ndalonte, por ai nuk iu është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasit M. G. dhe D. D., kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Arrestohet në flagrancë një 34-vjeçar që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 34 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen “24 Maji”, Vlorë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të  dyshuar kokainë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Pogradec – Vijon zbatimi i planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Prenë pyjet në mënyrë të paligjshme, procedohen penalisht 3 shtetas. Procedohet penalisht edhe inspektori pyjor pranë bashkisë Pogradec, për shpërdorim detyre. Sekuestrohet 85 metër sterë dru zjarri, pa dokumentacion. Në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit dhe krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bazë të informacioneve të grumbulluara, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Bishnicë, Pogradec, në banesat e shtetasve L. L., 51 vjeç, D. L., 56 vjeç dhe Sh. L., 58 vjeç, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 85 metër sterë dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës, të cilën këta shtetas kishin qëllim që ta shisnin. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve proceduan penalisht tre shtetasit e mësipërm, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, si dhe shtetasin F. M., 53 vjeç, me detyrë inspektor pyjor pranë Bashkisë Pogradec, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka informuar për këtë veprimtari të paligjshme që është kryer në zonën pyjore që ky shtetas ka nën kontroll dhe monitorim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

DVP Dibër – Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, vihet në pranga 36-vjeçari. Shpallet në kërkim policor një shtetas si dhe procedohen penalisht dy të tjerë për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. T., 36 vjeç, banues në Burrel, pasi në banesën e tij ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në qytetin e Peshkopisë për motive të dobëta ka dhunuar fizikisht shtetasin N. Sh., 60 vjeç. Ka nisur procedimi penal për shtetasin L. L., 21 vjeç, banues në Dibër, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një automjet tip ‘Ifa’, 8 m³ lëndë drusore pa dokumentacion përkatës. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Peshkim i ndaluar “, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në ngarkim të shtetasit R. H., 44 vjeç, banues në Dibër, pasi duke gjuajtur peshk në lumin Drin, i ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse artizanale, ku për pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. A., 58 vjeç, me detyrë punonjës i SHPSF, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi më datë 05.06.2021, në Kodër Mëzez, ka çaktivizuar alarmin e sigurisë në firmën ku punonte si roje sigurie dhe nuk ka raportuar për një vjedhje të një shume parash të kryer nga persona ende të paidentifikuar në ambientet e firmës. Punohet për identifikimin e kapjen e autorëve të vjedhjes.      Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. G., 68 vjeç, M. G., 53 vjeç dhe E. G., 27 vjeç (punonjës policie), u referuan materialet për shtetasit L. G., 51 vjeçe, S. G., 67 vjeçe dhe K. G., 54 vjeçe, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit F. G., A. G., A. G dhe B. G., pasi në vendin e quajtur Dritas, lagjja Parroce, në sipërfaqet e tokave në pronësi të tyre, u konstatuan bimë të dyshuara narkotike kanabis. E. G. dyshohet se ka shpërdoruar detyrën. Veprimet procedurale u kryhen në bashkëpunim me SHÇBA-në. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: F. S., 57 vjeç, M. S., 28 vjeç, B. B., 55 vjeç dhe I. M., 37 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; E. B., 26 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; A. H., 28 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë është dëmtuar bashkëshortja e tij D. H., 25 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.•Më datë 06.06.2021, shtetasi K. K., 35 vjeç, ka kallëzuar se në rrugën ”Muhamet Deliu”, gjatë një konflikti është goditur nga një shtetas i paidentifikuar. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.•Më datë 06.06.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen D. Ç., 37 vjeçe, pasi në rrugën “Siri Kodra”, ka kanosur me fjalë bashkëshortin, me të cilin ndodhet në proces divorci. Bashkëshortit iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për shtetasin F. K., 34 vjeç, banues në  Fier, pasi ka goditur për motive të dobëta, me një mjet prerës shtetasin A. L., 33 vjeç, banues në Fier, i cili pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Fier u largua për në banesë.

Divjakë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për shtetasit P. K., 34 vjeç dhe B. K., 31 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim, dhe për shtetasin A. Ç., 47 vjeç, për veprën penale “Kanosja”. Shtetasit P. K. dhe B. K., në Divjakë, kanë goditur me grushte, për motive të dobëta, shtetasin A. Ç. dhe më pas ky shtetas i ka kanosur me një armë gjahu që e kishte me leje nga organet kompetente, e cila u sekuestrua nga Policia në cilësinë e provës materiale.

Durrës – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Specialistët e Qarkullimit Rrugor Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin: P. P., 42 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen nr. 18, Durrës, duke drejtuar mjetin tip” Benz”, në gjendje të dehur, ka aksidentuar shtetasin këmbësor E. K., 33 vjeç, banues në Durrës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Shtetasi i dëmtuar ndodhet në Spitalin  e Traumës Tiranë, nën kujdesin  e mjekëve. Gjithashtu është vënë në pranga shtetasi E. H., 40 vjeç, banues në Fier, pasi është konstatuar në segmentin rrugor Thumanë – Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin tip “Skoda”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin H. B., 62 vjeç,  banues në fshatin Pekishtë,  Peqin, pasi u kap nga shërbimet e qarkullimit rrugor duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi; Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi R. K., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin: S. Ll., 44 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan, pasi është konstatuar duke ndërtuar një objekt pa lejen e organeve përkatëse. Gjithashtu ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësit të Policisë Bashkiake Elbasan, shtetasit P. Gj. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan,  për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 243 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 75 janë arrestuar në flagrancë dhe 162 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 30 raste, me 22 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 25 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 27 raste, konkretisht: 8 raste të “Kanosja”; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 11  raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i  “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 rast i “Vrasja”, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 34 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 29 raste: 2 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 27 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes me dhunë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 16 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, me 4 autorë që procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Janë evidentuar 4 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për falsifikim, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht, për shpërdorim detyre.

Është arrestuar në flagrant 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 18 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 14 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 24 aksidente, me 30 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.