Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve M. S., 28 vjeç dhe E. P., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre në kohë dhe vende të ndryshme nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, shtetasit M. S. iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë, ndërsa shtetasit E. P. iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kanabis dhe 1 armë e ftohtë (thikë). Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. M., 43 vjeç, pasi në rrugën “Abdi Toptani”, ka prishur qetësinë publike dhe ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë Bashkiake. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 34 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 1.13 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “SIG”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë. Sekuestrohen një armë zjarri snajper, një sasi municioni luftarak, dhjetëra doza me  lëndë narkotike kanabis dhe një palë dylbi optike. Vihet në pranga poseduesi i tyre.  Në vijim të kontrolleve të ushtruara në të gjithë qarkun e Vlorës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në lagjen “Partizani”, Vlorë, një shtetas mbante në banesë, armë zjarri pa leje, si dhe ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “SIG”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri snajper, 64 fishekë dhe një palë dylbi optike. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Mirditë – Në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e djeshme, rreth orës 12:30, në fshatin Thirrë, Njësia Administrative Fan, Mirditë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Lezhë dhe Mirditë, në përfundim të veprimeve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit B. P., 48 vjeç, banues në Lezhë, organizatori i protestës së paligjshme; E. B., 22 vjeç, E. B., 21 vjeç dhe Ç. G.,22 vjeç, banues në Kosovë. Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 shtetas të tjerë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve. Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit S. K., 20 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Vlorë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar fizikisht shtetasin A. I., 27 vjeç, banues në Vlorë, të cilin e kanë mbajtur përreth 30 minuta në banesën e shtetasit S. K., me pretendimin se i kishte borxh shtetasit A. M., një sasi lekësh të cilën ende nuk ia kishte shlyer. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Krujë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjola”. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja me armë në një pikë karburanti në Krujë. Arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë, mjeti dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes.   Në orët e para të mëngjesit, tek Ura e Gjolës, Arrameras, Fushë Krujë, persona të maskuar dyshohet se nën kërcënimin e një arme zjarri kanë marrë një sasi vlere monetare në një pikë karburanti dhe janë larguar. Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat kanë çuar në zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje. Bazuar mbi provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Gjola”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. Ç., 30 vjeç, banues në Nikël, Krujë, Z. Ç., 17 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 17 vjeç, banues në Fshatin Verjon, Krujë (kushërinj me njëri-tjetrin). Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, automjetin dhe veshjet e përdorura nga këta shtetas në momentin e ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Maqellarë/Dibër – Goditi me mjet prerës (thikë), vjehrrën e saj, duke i shkaktuar vdekjen,  arrestohet në flagrancë nga Policia, 44-vjeçarja. Nga specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases M. M., 44  vjeçe, banuese në fshatin Burrim, Maqellarë, pasi në orët e mbrëmjes së datës 11.04.2021, në banesën e saj dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) vjehrrën e saj, shtetasen  N. M., 74 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë menjëherë. Grupi hetimor në vendngjarje ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës që dyshohet se është përdorur nga autorja e ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Cërrik – Zbardhen disa vjedhje të ndodhura në qytetin e Cërrikut, ndalohet nga Policia autori i dyshuar, shpallet në kërkim autori tjetër. Në vijim të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin E. U., 35 vjeç, banues në Elbasan. Si dhe u shpall në kërkim D. K., 32 vjeç, banues në Elbasan dhe po punohet për kapjen e tij. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se ditën e djeshme, në fshatin Floq, Cërrik, kanë vjedhur disa vegla pune në magazinën në pronësi të shtetasit E. R. Po ditën e djeshme, në fshatin Trunxh, Cërrik, këta shtetas dyshohen se kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit K. K. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të një vjedhjeje tjetër, konkretisht: më datë 06.07.2020, në fshatin Linas, Cërrik, dyshohen se kanë vjedhur disa vegla pune në banesën e shtetasit P. Sh. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet dhe vegla pune të vjedhura. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Vau i Dejës – Vijojnë kontrollet masive në zbatim të planit të masave për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që dyshohej se kishte kultivuar bimë narkotike, është organizuar puna për kapjen e tij. Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi A. A., 40 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të territorit në fshatin Kosmaç, Njësia Administrative Bushat, Vau i Dejës, në serën në pronësi të tij, Policia gjeti të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Kolonjë – Kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë të cilët ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti të çastit, vihet në pranga 41-vjeçari me precedent të mëparshëm penal. Procedohet për “Dëmtime të tjera me dashje” edhe kushëriri i tij, i cili u përfshi në konflikt. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. M., 41 vjeç, banues në Ersekë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, kundër shëndetit të personit dhe kundër autoritetit të shtetit), si edhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në fshatin Taç, Kolonjë. Këta shtetas, në fshatin Rehovë, pasi janë përfshirë në një konflikt fizik me shtetasin V. Sh., gjatë shoqërimit për në ambientet e Komisariatit, shtetasi O. M., ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të rendit publik. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. B., 40 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe SHÇBA-së në aksin rrugor Korçë-Maliq, pranë fshatit Libonik, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Ford”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

Pukë – Hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës, vihet në pranga sekseri. Procedohet penalisht drejtuesi i një subjekti politik.  Sekuestrohen një sasi parash, një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.  Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D. S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë. Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe një fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit. Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D. S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit,  si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemër) me 27 persona dhe numrat e ID. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V. Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D. S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.

Shkodër – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin V. F., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, pasi më datë 10.04.2021, rreth orës 18:40, ka lënduar nga pakujdesia, me armë gjahu, në pjesën e këmbës, shtetasin e mitur E. U., 15 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Fier – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Taksisti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari. Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, në përfundim të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi R. C., 23 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër. Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Tepelenë-Fier, duke transportuar me automjetin tip “Audi”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 1140 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Fier – Janë referuar materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për vlerësim, pasi më datë 10.04.2021, në Spitalin Rajonal Fier (maternitet), gjatë operacionit për të lindur fëmijën, ka gjetur vdekjen shtetasja E. L., 31 vjeçe, banuese në Mallakastër.

Lushnjë – Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë, për shtetasin K. Sh., 59 vje­ç, pasi në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë, ka goditur me grusht, për shkak të detyrës, shtetasin A. M., 51 vjeç, punonjës në Bashkinë Lushnjë.

Tropojë – Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim. Arrestohet 1 shtetas i shpallur në kërkim nga Kosova, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bënë kapjen dhe arrestimin provizor të shtetasit A. O., 45 vjeç, banues në Tropojë. Arrestimi provizor i tij u bë me qëllim ekstradimi, pasi Gjykata Themelore Gjakovë, Kosovë, me vendimin e datës 06.04.2021, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

Tropojë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë proceduan në gjendje të lirë shtetasin A. G., 28 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Pengimi në ushtrimin  e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, pasi më datë 09.04.2021, gjatë zhvillimit të aktivitetit elektoral të një subjekti politik, në qytetin e Bajram Currit, ka ngritur një dron, i cili mbante një flamur me siglën e një subjekti tjetër politik. Materialet u referuan në Prokurorinë  Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacione paraprake – Më datë 12.04.2021, në orën 14:20, në urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës ka mbërritur i lënduar, pasi është rrëzuar nga kati i dytë i banesës, fëmija i mitur E. H., 1 vjeçe, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve./Rreth orës 15:00, në urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës ka mbërritur i lënduar shtetasi E. Q., 44 vjeç, i cili dyshohet se ka rënë nga lartësia e objektit ku ka qenë duke punuar. Aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 215 shtetas, nga këta: 48 janë arrestuar, 16 janë ndaluar dhe 151 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të ndaluar, 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 23 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”; 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i  “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ku autorja është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 28 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 28 raste: 7 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 21 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 22 raste të ndërtimit pa leje, me 22 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të shkatërrimit të pronës, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Goditje për shkak të detyrës”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i materialit zgjedhor ose i rezultateve të zgjedhjeve”, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ngacmimi seksual”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja”.

Janë proceduar 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 15 aksidente, me 18 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.