Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Shkodër – Vijon operacioni policor i koduar “Bozhaj”, shkon në 4 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në ngjarjen e datës 03.11.2020, ku disa persona tentuan të trafikojnë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së. Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë punës së mirorganizuar, u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim: E. P., 32 vjeç, banues në lagjen Yrshek, Katund i Ri, Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet si një nga bashkëpunëtorët në ngjarjen e datës 03.11.2020, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ku ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë automjeti kamion me drejtues shtetasin shqiptar E. C., 40 vjeç dhe në afërsi të qytetit të Tuzit, Mal i Zi, strukturat e antikontrabandës malazeze gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, kanë gjetur një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa. Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 07.12.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Berat – Tentoi t’i vidhte me dhunë automjetin një shtetasi, bie në pranga 31-vjeçari. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat. Arrestimi i tij u bë pasi në fshatin Drenovicë, ka goditur me sende të forta shtetasin A. Ç., 36 vjeç dhe ka tentuar t’i vjedhë me dhunë automjetin e tij. Menjëherë, pronari i mjetit ka lajmëruar shërbimet e Policisë dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme u bë arrestimi i autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 37 vjeç, banues në lagjen Uznovë, Berat, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Dh. K., 39 vjeç, L. K., 35 vjeç dhe P. K., 28 vjeç, pasi në lagjen Uznovë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë goditur shtetasin M. N., 39 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Shtetasi i dëmtuar ndodhet në spitalin rajonal Berat, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim.

Dibër – Më datë 13.12.2020 u referuan materialet  në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi më datë 12.12.2020, në vendin e quajtur “Ish-parku i automjeteve’’, në qytetin e Peshkopisë, dyshohet se një person i paidentifikuar ka qëlluar në ajër me armë zjarri. Vijon puna për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Tiranë – Goditi për shkak të detyrës punonjësin e Policisë, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari. Arrestohen në flagrancë edhe 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. M., 30 vjeç, pasi në rrugën “5 Maji”, ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, i cili mori ndihmë mjekësore në spital. Forcat e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh. G., 20 vjeç dhe K. D., 20 vjeç, banues në Tiranë. “Shqiponjat” kanë ndaluar për kontroll në bulevardin “Gjergj Fishta”, mjetin me drejtues shtetasin Xh. G. dhe pasagjer shtetasin K. D. Gjatë kontrolleve fizike të të dy shtetasve dhe mjetit, shërbimet e Policisë gjetën një armë të ftohtë dhe një sasi me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 2 aparate celularë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 41 vjeç, pasi ka tentuar të djegë me lëndë djegëse pemën e Vitit të Ri të vendosur nga Bashkia Kavajë në qendër të qytetit të Kavajës. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. H., 49 vjeç, pasi në rrugën “3 Dëshmorët”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.62 mg/l. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Kukës – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit, F. H., 18 vjeç dhe B. GJ., 17 vjeç, banues në fshatin Bicaj, Kukës, si dhe shpallën në kërkim shtetasin M. K., 19 vjeç, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe  “Shkaktimi i vetëvrasjes” mbetur në tentative. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – U kap duke transportuar tre emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit, bie në pranga 23-vjeçari. Sekuestrohet një automjet. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim ne Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin K. Z., 23 vjeç, banues në Gjirokastër. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Grapsh”, u kap duke transportuar me automjetin e tij tip  “Benz”, tre emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që drejtonte shtetasi K. Z. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 13.12.2020, rreth orës 02:00, në fshatin Vaqarr, në kompaninë me administrator shtetasin K. S. dyshohet se ende persona të paidentifikuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin zyrat e kompanisë, pasi kanë goditur me grusht rojën. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Elbasan – Më datë 13.12.2020, ora 04:00, në lagjen “Haxhias” Elbasan, persona të paidentifikuar dyshohet se kanë tentuar të djegin mjetin në pronësi të shtetasit Y. B., të cilin e kishte parkuar përpara banesës. Po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 437 shtetas, nga këta: 91 janë të arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 341 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 10 autorë të ndaluar, 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 1 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 20 raste, 6 raste me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 14 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me dhunë”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës me zjarr, ku autori ëshët arrestuar në flagrancë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Armëmbajtja pa leje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i ”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 13 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.