Skrapar – Vijon kontrolli për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit. Ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative në mënyrë të kundërligjshme, arrestohet 1 shtetas, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Kundërshtim i punonjësve që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të nxjerrjes së pllakave të gurit në malin e Tomorit, nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. B., 43 vjeç, banues në Poliçan. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë pllaka guri dekorative, në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur. Ky shtetas, materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme po e transportonte me mjetin tip kamion kur u konstatua nga shërbimet e pyjores. Shtetasi D. B nuk iu është bindur shërbimeve të zonave të mbrojtura, për kryerjen e veprimeve te tyre. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 2”. Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen 2 automjete, 2 aparate celularë dhe 870 euro. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 2”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. T., 19 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë dhe S. L., 18 vjeç, banues në Krujë. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, me dy mjete do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjeteve dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve E. T. dhe S. L, të cilët, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në afërsi të vendin e quajtur “Kthesa e Jorgucatit”, u kapën duke transportuar 5 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, me mjetet autoveturë tip “Audi A3” dhe “Mercedes Benz”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, 2 aparate celularë dhe 870 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Në kuadër të tij goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 32 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, pranë vendit të quajtur “Lumi i Tërhanit”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt fitimit 215 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Pogradec – U konfliktuan me njëri-tjetrin dhe kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë së Rendit, arrestohen në flagrancë 4 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 3 po ndodhte një konflikt midis disa shtetasve, janë nisur drejt vendngjarjes, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në lagjen nr. 3, shtetasit E. Ç., 28 vjeç, R. K., 33 vjeç, D. O., 32 vjeç dhe V. LL., 32 vjeç, banues në Pogradec, duke u konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta. Në momentin e ndërhyrjes së forcave të Policisë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, si edhe gjatë shoqërimit të tyre në Komisariat për sqarimin e konfliktit, këta shtetas i kanë kundërshtuar me dhunë efektivët. Specialistët për Hetimin e Krimit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. Ç., R. K., D. O. dhe V. LL., dhe materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Kavajë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 02.09.2020. Kanosi me armë zjarri një shtetas, pas një konflikti të çastit, kapet dhe ndalohet 33-vjeçari. 33-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja” ,”Prishja e rendit dhe sigurisë publike” “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë gjahu. Si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe të pandërprerë për dokumentimin e ngjarjes së datës 02.09.2020 dhe kapjen e autorëve, nga Komisariati i Policisë Kavajë u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi E. D., 33 vjeç, banues në Rrogozhinë. Ky shtetas, më datë 02.09.2020, në Rrogozhinë, pas një konflikti të çastit, ka kanosur me armë zjarri shtetasin M. K., 29 vjeç, duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet një armë gjahu pa leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 15.11.2020, rreth orës 21:05, në bulevardin “Bajram Curri”, në banesën e shtetasit M. N., 72 vjeç, ka plasur bombola e oksigjenit, e cila përdorej nga ky shtetas pasi është i infektuar me COVID-19. Ky shtetas është dërguar në spital me ambulancë, për mjekim më të specializuar. Nga plasja e bombolës nuk kanë mbetur të dëmtuar persona të tjerë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Forca e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi 2 raste të tjera, si rezultat i të cilave u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. T., 26 vjeç, pasi në rrugën “Njazi Meka”, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë; E. T., 20 vjeç, pasi në Rrugën e Xhabrahimëve, gjatë kontrollit në mjetin me të cilin qarkullonte iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. P., 58 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij, të cilit iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. K., 24 vjeç, pasi është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 150 shtetas, nga këta: 49 janë të arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 98 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 19 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 14 raste, 3 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me dy autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 9 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Marrëdhënie seksuale me dhune më të mitura”m, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtimin me vendimin Gjykatës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të vizave, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 15 raste aksidentesh, me 23 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.