Shkodër – Zbardhet brenda pak orësh ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Identifikohet me prova shkencore e biologjike autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur dje më datë 11.10.2020, ku mbetën të plagosur rëndë shtetasit M. H. dhe Xh. H. Shpallet në kërkim 19-vjeçari I. H. Sekuestrohet motomjeti i përdorur gjatë kryerjes së krimit dhe prova të tjera materiale. Strukturat e DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit të shpejtë e profesional, në vijim të hetimeve kanë bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit I. H. 19 vjeç, banues në lagjen “Tepe”, Shkodër. Ky shtetas, më datë 11.10.2020, në orën 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Malësi e Madhe, te rrethrrotullimi i “5 Heronjve”, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur rëndë shtetasit M. H. 39 vjeç banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, me detyre përgjegjës i Policisë Bashkiake Malësi e Madhe dhe shtetasin Xh. H., 74 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, të cilët po udhëtonin nga Shkodra drejt Malësisë së Madhe, me automjetin tip “Skoda”, në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe. Gjithashtu, falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe kontrollit të imtësishëm të territorit, shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur Livadhe, kanë gjetur motomjetin pa targa, një skafandër dhe sende të tjera që ishin përdorur nga autori i ngjarjes. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ata të Malësisë së Madhe, vijojnë intensivisht punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Shkodër po vijojnë punën për zbardhjen e shkakut të kësaj ngjarjeje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja e më shumë se një personi” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit. Operacioni i koduar “Rekrutimi”, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Goditet një rast i shfrytëzimit për prostitucion dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion. Vihet në pranga, për shfrytëzim për prostitucion dhe për mbajtje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, menaxheri i një qendre masazhi. Në pranga edhe një klient i qendrës së masazhit. Procedohen penalisht dhe 3 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi. Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi R. F., 27 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale. Gjithashtu, në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë një shtetas 30-vjeçar (klient i qendrës së masazhit) dhe u proceduan penalisht 3 punonjëse të qendrës së masazhit, për veprën penale “Prostitucioni”. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Qarku Korçë – Vijojnë goditjet në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapet duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 33 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Volkswagen”, 5 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit prej 300 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Kakavijë – Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve, Policia Kufitare, brenda pak ditësh, ka goditur tre raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 20 000 euro. Procedohet penalisht 50-vjeçari, poseduesi i shumës monetare. Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip kamion që drejtohej nga shtetasi A. O., 50 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në çantën personale të shtetasit A. O., 20 000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, u procedua penalisht shtetasi A. O., për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Disa ditë më parë, shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë goditën edhe dy raste te tjera të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Shkodër – Vihet në pranga një person me precedent kriminal të theksuar në fushën e narkotikëve dhe krimeve ndaj personit. Arrestohet edhe bashkëpunëtori i tij, si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike e bërë gati për shitje. Strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një person me rrezikshmëri shoqërore që merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë kapur e vënë në pranga shtetasit B. Ç. 22 vjeç, banues në lagjen Guerrile, Shkodër dhe I. S. 25 vjeç, banues në lagjen Guerrile, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja narkotikëve” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasin I. Ç. (babai i shtetasit B. Ç.). Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit I. Ç., u gjetën 277 doza me lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. Ç. 55 vjeç, banues ne lagjen Guerrile, Shkodër, u gjet një thikë me dorezë metalike. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 228 shtetas, nga këta: 65 janë të arrestuar, 14 janë ndaluar dhe 149 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 11 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste, në të gjithë territorin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 27 raste, konkretisht: 9 raste të “Kanosja”, 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 10 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë, ku po identifikohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 27 raste, 10 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 17 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të letërnjoftimeve, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 15 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 13 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 24 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.