Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Himarë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Qeparoi”. Zbardhen një sërë vjedhjesh të ndodhura në Qeparo, Shën Vasil, Nivicë dhe Dhërmi. Ndalohet 1 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të punës për parandalimin dhe zbulimin e vjedhjeve të banesave, vjedhjeve me forcë të varëseve dhe celularëve, kryesisht në rrugë dhe në plazhe, strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, pas provave të siguruara nga puna hetimore, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Qeparoi”. Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i një sërë vjedhjesh të ndodhura në fshatrat Qeparo, Shën Vasil, Nivicë dhe Dhërmi. Gjatë operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit N. P., 42 vjeç, banues në Lushnjë. Si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit A. S., 46 vjeç dhe A.(H.) N., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe K. R., 36 vjeçe, banuese në Qeparo, Himarë. Shtetasi N. P., në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve, të cilat i kanë kryer në vende të ndryshme si banesa dhe ambiente të hapura, konkretisht: Më datë 31.07.2020, në fshatin Shën Vasil, dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur me thyerje banesën e braktisur të shtetasit L. Q., vend në të cilin është gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila dyshohet të jetë e autorëve të mësipërm, pasi këta shtetas e përdornin këtë banesë si vendstrehim gjatë kryerjes së vjedhjeve. Më datë 07.09.2020, në Himarë, kanë vjedhur 2 motomjete në pronësi të shtetasve N. P. dhe T. P. Në të njëjtën ditë dyshohet se kanë vjedhur sendet personale të shtetasit maqedonas Z. T., në hotelin ku ai ishte akomoduar për pushime. Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht sende personale të personave të ndryshëm në Dhërmi të Himarës, për të cilat po punohet për dokumentimin e plotë të tyre. Në përfundim të veprimeve, Policia ka sekuestruar disa nga sendet e vjedhura, si dhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer vjedhjet. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve në fushën e vjedhjes, si dhe për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim.

Lushnjë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin Xh. B., 54 vjeç, banues në Lushnjë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka goditur me grushte shtetasin N. Ç., 43 vjeç, banues në Lushnjë, me motivin se i ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur 17 vjeçe. Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit N. Ç., për veprat penale “Ngacmimi seksual”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Gjatë kontrollit personal këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një kapsollë detonatore e paplasur, fishekë arme gjahu dhe një mjet prerës (thikë). Të dy shtetasit e arrestuar ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Vlorë/Informacion paraprak – Rreth orës 7:20, ka shkuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Sarandës, shtetasi B. N., 53 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë ushtrimit të detyrës si përmbarues privat është goditur me thikë nga shtetasi A. C., 54 vjeç, banues në Sarandë. Aktualisht shtetasi B. N. ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 243 shtetas, nga këta: 89 janë të arrestuar, 10 janë ndaluar dhe 144 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste, në të gjithë territorin, me 13 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 25 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje dhe 1 rast i “Vrasja”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 34 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 39 raste, 12 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 27 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar i rast i “Shfrytëzimi i prostitucionit”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 3 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta dhe autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të mosbindjes ndaj urdhrit të policisë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”,  me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndotja e ajrit “, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Shkatërrim prone”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 22 raste aksidentesh, me 5 viktimë dhe 26 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 16 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 27 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.