Kapshticë – Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Sektori për Hetimin e Krimit në DVP Korçë zbardh dhe dokumenton skemën e ngjarjes, vë në pranga 4 shtetas dhe shpall në kërkim bashkëpunëtorin e tyre. Sekuestrohen 195 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në kuadër të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në drejtim të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve si edhe në bazë të analizës së riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijë të dytë mjetin kamion tip “Iveco”, me drejtues shtetasin S. V., 54 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte si destinacion Greqinë. Kontrolli ka vijuar më pas me procesin e skanimit të kryer nga Dogana, ku u shfaqën dyshime se mbi karrocerinë e mjetit mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Konkretisht në sipërfaqen e saj u gjet një sasi prej 195 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Drejtuesi i kamionit (i dënuar më parë për veprën “Dhuna në familje”) u arrestua në kushtet e flagrancës. Pas shoqërimit të tij në Polici dhe falë një pune intensive hetimore dhe profesionale të kryer nga specialistët e seksionit për trafiqet e paligjshme dhe narkotikët në DVP Korçë, u bë zbardhja, dokumentimi i plotë i skemës së tentativës së trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, identifikimi dhe në bashkëpunim me DVP Tiranë, kapja e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Konkretisht u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit lëshuar nga Prokuroria e Korçës, për shtetasit: Sh. H., 64 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vetëgjyqësi”); V. C., 55 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”); M. J., 48 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i cili ka falsifikuar dokumentacionin e kamionit. Si edhe u shpall në kërkim shtetasi B. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili së bashku me shtetasit Sh. H., dhe V. C., dyshohet të kenë qenë në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
Shkodër – Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 29-vjeçari i kërkuar për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”. Operacioni nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tiranën, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan dhe bënë arrestimin provizor të shtetasit V. Gj., 29 vjeç, banues në Spathar, Vau i Dejës. 29-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Firences, Itali, më datë 27 shkurt 2020 ka lëshuar urdhër-arrestin për këtë shtetas, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.
Tiranë – Parandalohet abuzimi i mëtejshëm seksual me dhunë ndaj një të miture. Policia vë në pranga 4 shtetas, për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur. Specialistët për Hetimin e Krimit pas informacionit të marrë se një shtetas, 65 vjeç, kishte abuzuar seksualisht me dhune më një të mitur 15 vjeçe, organizuan punën për identifikimin e personit dhe zbardhjen e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i 65-vjeçarit A. D. Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte abuzuar seksualisht me dhunë me të miturën dhe pas abuzimit i kishte bërë video intime. Këto video ua kishte dhenë tre shtetasve, konkretisht K. P., 20 vjeç, R. O., 16 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e publikimit të videos, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Më pas ata kanë bërë video intime që t’ua shpërndanin personave të tjerë. Me ndërhyrjen e Policisë Kriminale u parandalua ky veprim kriminal. Në dhomën e intervistimit të të miturve dhe në prezencë të nënës, psikologes dhe avokates, specialistët për Hetimin e Krimeve nën drejtimin e Prokurorit, kanë administruar dëshminë e vajzës dhe të gjitha provat që implikojnë shtetasit e lartpërmendur. Gjithashtu është bërë e mundur të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dhe dy telefona celular në të cilët ndodheshin videot. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasve A. D., K. P., R. O. dhe F. B., për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, ”Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç”, “Shtytja e të miturve në krim” dhe “Vepra të turpshme”, të gjitha kryer në bashkëpunim. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë rast të abuzimit seksual me dhunë me të mitur.
Vlorë/Informacion paraprak – Më datë 30.01.2020, rreth orës 18:45, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, në ballkonin e banesës së tij është gjetur i vetëvarur shtetasi N. D., 63 vjeç. Ky shtetas jetonte vetëm dhe nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Grupi hetimor vijon veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Kurbin /Informacion paraprak – Më datë 30.05.2020, rreth orës 22:17, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, në ambientin e jashtëm të një hoteli, në rrethana ende të paqarta ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi B. H., 37 vjeç dhe janë plagosur shtetasit P. Gj., 53 vjeç dhe K. T., 21 vjeç, të cilët janë transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë. Për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna për administrimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes. Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar edhe dy grupe të FNSH Shkodër dhe vijon krehja e zonës dhe shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 30.05.2020, rreth orës 22:40, në një rrugicë të ndërmjetme midis një lokali dhe një hoteli në Rrugën e Dibrës, ka shpërthyer një sasi e dyshuar si lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit nuk ka asnjë të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale tek të dy objektet. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Durrës – Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Një tjetër i kërkuar nga drejtësia italiane, për trafikim të narkotikëve, bie në prangat e Policisë. Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tiranën, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit F. T., 49 vjeç, banues në Gjepalaj, Shijak, Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Pavias, Itali, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” dhe marrëveshjen dypaleshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.
Lezhë – Goditet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjadëri”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë. Sekuestrohen 95 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 3 automjete, 8 aparate celularë dhe 11.000 euro. Vihen në pranga 4 shtetas. Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se në një automjet po transportohej lëndë narkotike nga Vlora në drejtim të Shkodrës, me qëllim trafikimin, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Gjadëri”. Gjatë operacioni u bë i mundur identifikimi dhe lokalizimi i automjetit që dyshohej se mund të transportonte lëndën narkotike dhe në fshatin Gjadër, Lezhë, shërbimet e Policisë ndërhynë duke bllokuar mjetin tip “BMË”, me drejtues shtetasin K. D. Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në sediljen e pasme dhe në bagazh, 95 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa. Nga veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore rezultoi se mjeti tip “BMË” që transportonte lëndën narkotike paraprihej nga 2 mjete të tjera, me qëllim vënien në dijeni në rast konstatimi të pikave të kontrollit nga ana e Policisë. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në të tre mjetet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11.000 euro. Në vijim të veprimeve, Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit në të cilin u gjet lënda narkotike, shtetasin K. D., 23 vjeç, banues në Shkodër dhe ka bërë ndalimin e shtetasve K. L., 28 vjeç, A. T., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe K. T., 50 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në dy mjetet që po kontrollonin rrugën. Policia, nën drejtim e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Vlorë dhe DVP Shkodër, po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.
Durrës – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri dhe mbante me vete dhe lëndë narkotike, kapet dhe arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar me precedent të mëparshëm penal. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri dhe një sasi lënde narkotike kanabis. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara në qytet për rritjen e parametrave të sigurisë, arrestuan në flagrancë shtetasin K. B., 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë ndaluar për kontroll në afërsi të muzeumit, mjetin tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin K. B. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi shërbimet e Policisë i kanë gjetur në brez një armë zjarri pistoletë “TT”, me një karikator me fishekë, si dhe një sasi pres 17.5 gr lëndë narkotike e llojit marijuanë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.
Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 2 bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit K. A., 44 vjeç. Arrestimi i tij u bë për veprat penale veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka vjedhur banesën e bashkëjetueses së tij, ndaj së cilës ka ushtruar edhe dhunë fizike, në menyrë të vazhdueshme. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi është gjetur një thikë dhe 3 shkopinj bejsbolli. Po gjatë veprimeve të para hetimore u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi B. L., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhje, të cilit gjatë kontrollit të banesës iu gjet një armë gjahu që e mbante pa leje. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 26 vjeç, pasi në rrugën “Dritan Hoxha”, ka tentuar të vjedhë me thyerje, lokalin në pronësi të shtetasit A. M. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., 23 vjeç, sepse në rrugën “Ali Shefqeti”, për mosdhënien e një borxhi, me vetëgjyqësi, ky shtetas i ka marrë mjetin shtetasit H. M. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi i shtetasit S. Q., 63 vjeç, i cili ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është konstatuar në rrugë nga shërbimet e Policisë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: O. A., 35 vjeç, sepse në rrugën “Abdi Toptani”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.63 mg/l; A. N., 60 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Shyri” u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Operacioni i koduar “Combination 2”, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë. Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë. Sekuestrohen lëndë narkotike, një pushkë sportive dhe sende të tjera. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Combination 2”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Xh., 31 vjeç dhe O. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si rezultat i punës operative gjurmuese për personat që kryejnë veprimtari kriminale, si dhe bazuar në informacionet e marra se në Yrshek, Tiranë, shtetasit O. L. dhe A. Xh. merreshin me shpërndarje të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa dhe kokainë, të cilat i mbanin në një ambient në pronësi të shtetasit A. XH, organizuan punën për kapjen e këtyre shtetasve. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin në pronësi të shtetasit A. XH., Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe qese farmaceutike që shërbenin për të ndarë në doza lëndën narkotike. Ndërsa në banesën e këtij shtetasi u gjet një pushkë sportive dhe fishekë metalik për pushkën. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, për shtetasit A. XH. dhe O. L. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasve S. XH. e Z. Xh. familjarë të shtetasit A. XH., të cilët po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Himarë – Më datë 31.05.2020, midis fshatrave Kuç dhe Qeparo, Himarë, në një zonë të pyllëzuar, është gjetur i pajetë shtetasi Y. L., 65 vjeç, banues në fshatin Kuç, i cili punonte si roje në rrugën e re që po ndërtohet në fshatin Kuç, Himarë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë. Paraprakisht dyshohet se shtetasi Y. L., në rrethana ende të paqarta ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Shërbimet e Policisë po krehin zonës dhe po vijon shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë dhe specialistë të Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Durrës/Informacion paraprak – Më datë 31.05.2020, rreth orës 22:00, në lagjen nr. 17, Durrës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasit A. C., 46 vjeç dhe T. C., 43 vjeç kanë goditur me mjete të forta shtetasin F. L., 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë kapjen në flagrancë dhe shoqërimin e dy autorëve të dyshuar në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme.
OFL, 1 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: M. T., banues në Berat, i dënuar me vendim të Gjykatës Penale të Veronës, Itali, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat; E. B., banues në Berat, i dënuar në Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni me të mitur dhe të rritur”, “Favorizim prostitucioni me të mitur dhe të rritur” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me vendim të njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat; D. L., banues në Poliçan, në ndjekje gjyqësore nga autoritetet spanjolle, për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike”; A. P., banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Departamenti për Kufirin dhe Migracionin – Në zbatim të urdhrit nr. 351, datë 29.05.2020, të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, Policia Kufitare ka marrë masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, për vijimin normalisht dhe pa probleme të aktivitetit kufitar. Në këtë kuadër i gjithë personeli i Policisë Kufitare në pikat e kalimit kufitar është pajisur me maska dhe dezinfektantë për mbrojtjen nga COVID-19. Në lidhje me shtetet fqinje situata e kalimit kufitar është si në vijim: Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre. Lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve, përveç atyre që janë rezident apo që kanë ndjekur procedurat me Ministrinë e Jashtme, si përgjatë periudhës së pandemisë. Në Republikën e Malit të Zi lejohen të hyjnë pa asnjë pengesë dhe kufizim vetëm qytetarët nga shtetet në listën e miratuar nga ana e tyre (shtete të cilat kanë shkallën e rasteve aktive të koronavirusit më pak se 25 për 100 000 banorë), listë në të cilën bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë. Në Republikën e Kosovës lejohen të hyjnë të gjithë shtetasit, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativ” me COVID-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore, ndërsa kamionët duhet t’i nënshtrohen procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin kosovar. Policia Kufitare ka marrë një sërë masash shtesë edhe në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, qoftë në pikat e kalimit, ashtu edhe në kufirin e gjelbër dhe atë blu.
Vlorë – Vijon puna e Policisë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë fundjavës, Policia ka arrestuar në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasit: E. M., 32 vjeç, me detyrë drejtues teknik dhe B. Xh., 29 vjeç, me detyrë manovrator i mjetit gërmues, të dy banues në Radhimë. Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë pasi gjatë punimeve për hapjen e një sheshi parkimi në lagjen “Uji i Ftohtë” është goditur me mjetin gërmues dhe ka gjetur vdekjen në vend shtetasi J. B., 17 vjeç, banues në Radhimë; R. K., 37 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, Vlorë. Ky shtetas u kap në flagrancë gjatë kontrollit të territorit, pasi në pronën e tij, Policia gjeti të mbjella disa fidanë të dyshuara si cannabis sativa; S. S., 67 vjeç, banues në fshatin Çeprat, Vlorë, për veprën penale “Ngacmimi seksual”, pasi nga hetimet e kryera, dyshohet se një ditë më parë ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur; F. M., 28 vjeç, banues në fshatin Bishan, Vlorë. Ky shtetas u kap në lagjen “11 Janari” Vlorë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur; A. K., 18 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas u kap në lagjen nr. 1 Sarandë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi përkatës. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, 1 për dhunë në familje dhe 5 për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit A. Xh., 48 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Ndërkohë, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: B. B., 21 vjeç, pasi në autostradën Tiranë-Durrës është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi; E. B., 38 vjeç, pasi në rrugën “Toptani” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.89 mg/l; A. Xh., 44 vjeç, pasi është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.88 mg/l; A. P., 44 vjeç, pasi në rrugën “Jordan Misja” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.07 mg/l; L. A.,38 vjeç, pasi në rrugën “Dine Hoxha” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.87 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 214 shtetas, nga këta: 48 janë të arrestuar, 14 janë ndaluar dhe 152 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, në të gjithë territorin, me 11 autorë të arrestuar në flagrancë, 3 autorë të ndaluar dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 32 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, 8 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 13 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”.
Janë evidentuar 13 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 18 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 30 raste, 13 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 17 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 8 raste, 6 raste, me 6 autorë me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 20 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.