Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Port/Durrës – Kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Policia Kufitare parandalon dhe godet një tentativë për trafikim të drogave të forta. Parandalimi, identifikimi dhe goditja, si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit mes Policisë Kufitare dhe Seksionit Kundër Narkotikëve në DVP Durrës. Vihet në pranga 49-vjeçari që po transportonte me kamion lëndën narkotike. Sekuestrohen 68 pako me lëndë narkotike heroinë. Strukturat e DVKM Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, parandaluan dhe goditën një tjetër tentativë për trafikim të drogave të forta. Si rezultat  u vu në pranga shtetasi Dh. Z., 49 vjeç, banues në Babrru, Tiranë. Në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, në bazë të analizës së riskut, ushtruan kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, në kamionin që  e drejtonte ky shtetas dhe si rezultat i kontrollit, poshtë sediljeve u konstatuan dy vende të fshehura brenda të cilëve ishin fshehur 68 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike heroinë me peshë totale rreth 38 kg. Materialet në ngarkim të shtetasit Dh. Z. iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim”.

Durrës – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejtë Italisë, 44-vjeçari i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kapën dhe ndaluan shtetasin në ndërkombëtar Nardi Hoxha, 44 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Triestes, Itali e ka dënuar me 5 vite e 3 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Tiranë – Forcat e Policisë së Shtetit, që prej orëve të para të mëngjesit të datës 17 maj 2020, me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, vijojnë të jenë në mbështetje të aksionit për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij. Gjatë kryerjes së detyrës, forcat e Policisë janë kundërshtuar me dhunë nga persona që ishin grumbulluar për të mos lejuar prishjen e godinës, duke tentuar që të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit. Disa persona nga radhët e tubuesve kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta dhe shkopinj, duke lënduar 7 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së posaçme “Shqiponja”. Ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Traumës dhe spitalin “Nënë Tereza” dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 64 persona, për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë. Në përfundim të veprimeve të kryera, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 3, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 7 shtetas: B. A., 38 vjeç, K. Q., 37 vjeç, S. N., 35 vjeç, R. L., 35 vjeç, E. M., 33 vjeç, B. T., 30 vjeç dhe E. Xh., 33 vjeç. U proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, 21 shtetas. Për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u mor masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave të veçanta kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Policia e Shtetit apelon për organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, se grumbullime të tilla janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Aktin normativ duke u shndërruar në një rrezik potencial për përhapjen e infeksionit COIVD-19, pasi Tirana është ende një zonë e kuqe në hartën epidemiologjike të vendit.

Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kostumi”. Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Departamentin Operativo-Hetimor të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Sekuestrohen 11.000 fara cannabis sativa. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, nga Drejtoria Hetimore Qendrore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin Operativo-Hetimor të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Kostumi”. Pas informacioneve të marra më datë 14.05.2020, u bë e mundur që në Degën Doganore Tiranë të konstatohej një pliko postare me përmbajtje të dyshimtë, e ardhur nga Spanja, me destinacion qytetin e Vlorës. Specialistët e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Hetimore Qendrore e referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për fillimin e ndjekjes penale, për veprën penale “Trafikim ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe nën drejtimin e Prokurorisë prej disa ditësh u ndoq me metoda speciale të hetimit. Më datë 16.05.2020, nga ana e strukturave të Drejtorisë Hetimore Qendrore, në kuadër të dorëzimit të kontrolluar, në momentin e tërheqjes së plikos postare në qytetin e Vlorës, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale O. C., vjeç 30, lindur dhe banues në Vlorë. Në përfundim u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese që përmbanin fara të bimës cannabis sativa, konkretisht 7000 fara të cilësisë së lartë për kultivim me llamba elektrike dhe 4000 fara për mbjellje në natyrë. Nga ana e Drejtorisë Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon puna hetimore për zbulimin e autorëve te tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Tiranë – Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Një tjetër person i kërkuar nga drejtësia italiane bie në prangat e Policisë. Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 42-vjeçari i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Operacioni nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në  DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në lagjen “Don Bosko”, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar Bledar Krakulli, 42 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali e ka dënuar me 12 vjet e 10 muaj burgim për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 7 vjet burgim Ky shtetas, në vitet 2002-2003, dyshohet se ka trafikuar sasi të ndryshme heroine në disa qytete të Italisë si Torino, Roma, Verona dhe Milano. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

OFL, 18 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: E. B., banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar përfundimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”; E. Ç., banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi është dënuar në Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe është bërë njohja e vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, në vitin 2019; T. B., banues në Vlorë, i arrestuar dhe nën hetim për veprën penale “Shtrëngim për dhënie të pasurisë”; L. K., banues në Vlorë, subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 5 vite burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 204 shtetas, nga këta: 45 janë të arrestuar dhe 159 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, në të gjithë territorin, me 11 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 26 raste, konkretisht: 11 raste të “Kanosja”, 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 15 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 14 raste, 4 raste me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 30 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.