Kurbin – Ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe dispononte armë zjarri pa leje, u largua nga banesa sapo pa shërbimet e Policisë, por pas kontrolleve dhe rrethimit të zonës vetëdorëzohet 47-vjeçari. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me 5 fishekë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 47 vjeç, banues në Kurbin. Policia e Kurbinit, pas marrjes së njoftimit se ky shtetas ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes në banesë, ka ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. Shtetasi A. P., kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, është larguar menjëherë nga banesa, por pas kontrolleve të shumta dhe rrethimit të zonës, pas disa orësh u vetëdorëzua te shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, në ngarkim të shtetasit A. P., për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Policia e Shtetit – Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie që ka shkelur rëndë Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, duke cenuar imazhin e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të filluar menjëherë hetimin disiplinor. Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, identifikuan punonjësin e Policisë, i cili është shtetasi M. K, punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3. Për këtë punonjës u bë pezullimi nga detyra dhe u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e Policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 110 shtetas, nga këta: 22 janë të arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 85 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 20 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja me dashje”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë nga pakujdesia me armë gjahu”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 21 raste, 10 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.