Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Qafë Botë, Sarandë – Policia Kufitare sekuestron në kufirin e gjelbër, 3 armë zjarri (dy kallashnikovë dhe një pistoletë), dy granata dhe 120 fishekë luftarak. Në vijim të kontrolleve të shtuara në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për trafikim të armëve të zjarrit në drejtim të shtetit grek, shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Botë, Sarandë, organizuan punën me qëllim krehjen dhe kontrollin e zonës kufitare midis dy piramidave. Nga kontrolli i ushtruar në vendin e quajtur “Mesogun i Vogël” u gjetën dy çanta të zeza në brendësi të të cilave kishte 2 kallashnikovë, 1 armë zjarri pistoletë, 2 granata dore me ndezës, si dhe 120 fishekë. Në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Tiranë – Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që ushtronte këtë veprimtari. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi Z. T., 52 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të tij, në rrugën “Selman Riza”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparatura dekoder dhe një aparat celular që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit dhe 62.500 lekë të rinj, që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 195 shtetas, konkretisht: 12 janë ndaluar, 45 janë arrestuar në flagrancë dhe 138 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 12 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 18 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 4  raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 23 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 18 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për “Vetëgjyqësia”, 1 për “Pushtim toke” dhe 3 të tjerë, për shkatërrim prone.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi” dhe 2 të tjerë, për “Fshehja e të ardhurave”.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shpërdorim detyre.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për falsifikim dokumentesh.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe janë procedusar penalisht 2 të tjerë, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 19 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 18 aksidente, me 1 viktimë dhe 19 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.