Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihet në pranga një 26-vjeçar që u kap në flagrancë duke transportuar 2 shtetas sirianë, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës. Gjithashtu, u shpall në kërkim policor 29-vjeçari, i cili dyshohet se është organizator i kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të punës për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme  në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, u arrestua në flagrancë shtetasi K. G., 26 vjeç, banues në Kukës. Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Vangjel Noti” Laprakë,  duke transportuar dy shtetas sirianë të cilët kishin hyrë në mënyrë të rregullt nga aeroporti i Rinasit dhe po tentonin të largoheshin në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë.  Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. S, 29 vjeç, i cili dyshohet se është organizator i kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.

Kavajë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Vihet në pranga 36-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. C,  36 vjeç, banues në Kavajë.  Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, i ka vendosur në mungesë masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ngjarja: Ky shtetas me datë 24 maj 2020, në lagjen Nr.1, Kavajë, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin M. Xh, 30 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës, dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 33-vjeçari. Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 33 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Manastrecit”, Prrenjas, duke transportuar me automjetin tip “BMË”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 400 euro për person. Në momentin kur shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit, por ka tentuar të largohet me shpejtësi. Për pasojë ka humbur kontrollin e mjetit dhe është dëmtuar lehtë, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti dhe 1 aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Fier – I vodhi me dhunë portofolin me një sasi parash një shtetasi, kapet dhe arrestohet 28-vjeçari. Gjithashtu ky shtetas ka vjedhur një sasi parash edhe në një lokal në fshatin Margëlliç, Patos. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kapën dhe arrestuan shtetasin A. H., 28 vjeç, banues në Patos (i dënuar më parë për “Vjedhje”), pasi mbrëmjen e datës 02.10.2021, pas një konflikti për motive të dobëta, i ka marrë me dhunë portofolin me një sasi parash shtetasit V. Sh. Gjithashtu, po atë natë, ky shtetas ka marë një sasi parash edhe në lokalin e shtetasit O.  P në fshatin Margëlliç, Patos. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vjedhje me dhunë”. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në Libofshë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. Gj, 20 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj motrës së tij; J. M, 24 vjeç, pasi ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme ish të dashurën e tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. M, 29 vjeç, pasi ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit B. K. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: N. G, 34 vjeç, A. D, 52 vjeç dhe A. T, 28 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; A. N, 37 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të kryer testin e alkoolit. Më datë 03.10.2021, në rrugën Kuc-Vorë, mbi kodrat e fshatit Gjokaj, shtetasi B. V, 25 vjeç, kallëzon se ka dëgjuar një zhurmë si ajo e të shtënës me armë dhe si pasojë i ka dëmtuar lehtë mjetin e tij. Nuk ka persona të lënduar. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

DVP Lezhë – Mirditë/Goditet një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihet në pranga 1 shtetas që u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.  Shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në  automjetin tip “Toyota ”  po transportoheshin emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., 28 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas, është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, në Rubik, Mirditë, duke transportuar me automjetin e tij “Toyota”, 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. K., banues në Ungrej, Lezhë, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij shtetases B. K. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë,  për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe ”Dhuna në familje”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 187 shtetas, konkretisht: 13 janë ndaluar, 66 janë arrestuar në flagrancë dhe 108 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste, me 11 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 23 raste, konkretisht: 10 raste të “Kanosja”, me 1 autor të ndaluar dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, me 2 autorë të shpallur në kërkim dhe 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 rast “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 14 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 18 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 25 raste: 9 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 16 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 11 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 13 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim më vendimin e gjykatës”, 1 për “Shpërdorimi i detyrës”, 1 për “Prishja e qetësisë publike”, 1 për korrupsion aktiv dhe 1 për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për armëmbajtje pa leje.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 12 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 4 aksidente, me 4 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.