Raporti i ngjarjeve për 48 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – I maskuar me kapuç, për t’iu shmangur identifikimit të kamerave të subjekteve, 16-vjeçari kryente vjedhje në biznese të ndryshme. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “The last”. Zbardhen dhe dokumentohen 9 raste të vjedhjeve në biznese të ndryshme, vihet në pranga autori i dyshuar. Vijon puna hetimore dhe profesionale për zbardhjen edhe të disa vjedhjeve të tjera, të dyshuara të kryera nga 16-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “The last”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi O. H., 16 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas, në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryente vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se në kohë e vende të ndryshme, 16-vjeçari ka kryer një sërë vjedhjesh, ku 9 prej tyre janë zbardhur e dokumentuar me prova ligjore. Prej muajit shkurt 2022 deri mbrëmjen e djeshme, që u kap në flagrancë pas një jave ndjekje nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, ky shtetas, ka vjedhur në 6 markete, në një magazinë, në një automjet dhe në një banesë,  sende të ndryshme dhe shuma parash. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Elbasan – Kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe me lëndë narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Unexpected”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni u zhvillua nga strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me FNSH, Fier. Sekuestrohet 1 armë zjarri dhe municion luftarak.Vihet në pranga shtetasi që e posedonte armën. Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri, lëndë narkotike, si dhe për  parandalimin e ngjarjeve kriminale, bazuar dhe në informacionet e marra më parë, strukturat hetimore dhe operacionale në DVP Elbasan, Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FNSH, Fier, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Unexpected”. Në kuadër të këtij operacioni u ushtruan dhjetëra kontrolle të befasishme në rrugë dhe në ambiente të ndryshme. Si rezultat i këtyre kontrolleve u kap dhe u arrestua në flagrancë, te stacioni i trenit në lagjen “Sul Paprri”, në Elbasan shtetasi B. G., 34 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas qarkullonte me një automjet dhe sapo ka parë Policinë që e ndiqte, pasi disponohej informacion se kishte armë zjarri me vete, ka hedhur armën dhe ka tentuar të largohet, por është kapur nga punonjësit e policisë dhe është vënë në pranga. Gjatë operacionit janë shoqëruar për verifikim edhe disa persona të tjerë me precedentë penal, të cilët pas verifikimeve, janë lënë të lirë. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale në të cilat ky shtetas mund të jetë i implikuar. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 158 shtetas, konkretisht: 19 janë ndaluar, 44 janë arrestuar, 89 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste, me 7 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 9 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste: 1 rast i veprës penale “Vrasja me paramendim”, me autorë ende të paidentifikuar, për të cilin vijon puna intensive nga ana e strukturave policore; 2 raste të “Kanosja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 5 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 4 rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Goditja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të ndaluar.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 3 raste, 1 rast me autorë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar. Për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” është evidentuar 1 rast me 1 shtetas të arrestuar.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 të ndaluar.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit” me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 15 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, 2 shtetas të ndaluar dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës” me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.

Për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” janë evidentuar 2 raste, me 1 të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 3 shtetas të arrestuar, 1 të ndaluar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe arrestimin e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 4 rastet e tjerë rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 21 raste, prej këtyre janë 13 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 8 rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 2 të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë,

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Mashtrimi”, 2 prej të cilëve me autorë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu, 4 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 rast prej të cilëve me autorë të paidentifikuar dhe për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore ndërsa 3 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe me 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar dhe për të cilin vijon puna intensive nga ana e Policisë, ndërsa 9 rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 të shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, me 4 shtetas të arrestuar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të arrestuar, 4 të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të arrestuar, ndërsa për veprën penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Trafikimi i mjeteve të transportit”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilwve ka ndërruar jetën një shtetas, si dhe janë dëmtuar 17 të tjerë të cilët marrin asistencë mjekësore, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 27 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, 1 rast prej të cilëve rezulton me autorë të paidentifikuar, ndërsa 26 rastet e tjera me 14 shtetas të arrestuar, 1 të ndaluar dhe 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Largimi nga vendi i aksidentit”, me autorë të paidentifikuar, për të cilët po punohet intensivisht nga ana e strukturave policore.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.