Lezhë
Vijojnë intensivisht veprimet hetimore për gjetjen dhe sekuestrimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.
Ndërkohë, vijojnë kontrolle intensive për kapjen e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim dhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Gjendet dhe sekuestrohet automjeti tip “Volkswagen Polo”, nga i cili autorët qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M..
Gjithashtu, gjenden dhe sekuestrohen veshjet e autorëve, në momentin e kryerjes së krimit, si dhe një palë targa.
Shpallet në kërkim një shtetas dhe procedohet penalisht babai i tij.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, që janë kryer dhe vijojnë të kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, Lezhë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë, mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Volkswagen Polo”, pa targa, të përdorur nga autorët.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, dhe nga këqyrja, rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.
Gjithashtu, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., u gjet një automjet identik me automjetin e parë, në pronësi të shtetasit B. K., por me targa.
Më tej, gjatë kontrollit, u gjetën dhe veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. M. ka marrë automjetin tip “Volkswagen Polo” (të cilin motra e tij e kishte marrë me qira, në Rinas), i ka hequr targat dhe në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M.. Pas krimit, e ka çuar automjetin, në banesën e shtetasit B. K., dhe e ka fshehur duke e mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve, gjithashtu me pretendimin se automjetin e tij, shtetasi B. K. e kishte identik dhe të rregullt.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babanë e 22-vjeçarit, shtetasin N. K., 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim mesditën e sotme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër shpallën në kërkim shtetasin J. S., 46 vjeç banues në Berat, pasi ka marrë me qira një automjet, në Gjirokastër, më datë 16.04.2026, dhe nuk e ka kthyer. Punohet për kapjen e tij.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për:
-dy shtetas 16 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se kanë vjedhur produkte në një market;
-shtetasin Th. Ll., banues në fshatin Tërbuq, pasi dyshohet se ka dëmtuar vreshtin e një 52-vjeçari, duke futur bagëtitë aty.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. Sh., 64 vjeç, banues në fshatin Vasjar, pasi dyshohet se i ka dëmtuar automjetin një 68-vjeçari, për motive të dobëta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:
-D. K., 23 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën me vete, sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. 23-vjeçari u kap gjatë tentativës për t’u larguar, pas kundërshtimit të punonjësve të Policisë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
-F. B., 24 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore i gjetën me vete, sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., pasi dyshohet se ka mashtruar shtetasin K. H., në lidhje me shitjen e disa mallrave, veprim për të cilin shtetasi K. H. pretendon se kishin marrëveshje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. A., pasi dyshohet se ka goditur me grushte, shtetasin F. B..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. Gj., pasi dyshohet se ka goditur me shpullë, bashkëjetuesen, dhe i ka dëmtuar banesën;
-V. B., pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike, shtetasin K. Z..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 shpallën në kërkim shtetasin Xh. Z., pasi dyshohet se ka vjedhur xhiron ditore dhe 1 celular, në subjektin ku punonte. Punohet për kapjen e këtij shtetasi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-ndaluan shtetasin I. L., 50 vjeç, pasi është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. H., pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë automjetin, shtetases E. L.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. K., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin E. M.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. C., pasi ka tentuar të vjedhë në një autobus. Gjithashtu, ky shtetas ka kanosur një pasagjer në autobus, i cili ka konstatuar veprimet e tij. Nga kontrolli, shtetasit të proceduar iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin S. A., 40 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur shtetasin E. P..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. G., pasi dyshohet se për llogari të subjektit në të cilin ky shtetas është drejtues teknik, janë hedhur inerte në një rrugë të fshatit Dorëz, në kundërshtim me ligjin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 arrestuan shtetasin A. I., 18 vjeç, pasi dyshohet se si pasojë e zjarrit që ka ndezur për të djegur barishte dhe ferra, në fshatin Muçaj, janë djegur disa pemë/dru frutorë.
Specialistët e qarkullimit rrugor vunë në pranga shtetasit:
-E. R, pasi u kap duke drejtuar automjet, pa leje drejtimi;
-F. M., 37 vjeç, pasi është dënuar me 2 muaj burgim, për vepren penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”;
-M. D., 31 vjeç, sepse pas ndalimit për verifikime, të automjetit që drejtonte, i ka paraqitur punonjësve të Policisë, lejen e drejtimit të një shtetasi tjetër. Nga verifikimet rezultoi se 31-vjeçarit i ishte hequr leja e drejtimit.
Më datë 27.04.2026, kallëzuan shtetasit:
-B. N., se i kishin ndërhyrë në mënyrë të padrejtë, në faqen në internet, që administron;
-N. M., se i kishin vjedhur motomjetin.
Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të të dyja rasteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 39 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. C., 31 vjeçe, banuese në Kamëz, pasi duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi, në aksin rrugor “Vlorë-Orikum”, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin A. S. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale;
-P. V., 71 vjeç, banues në Delvinë, pasi në rrugën “Skënderbeu”, Sarandë, duke drejtuar automjetin, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin B. N., 59 vjeç, banues në Sarandë. Si pasojë është dëmtuar shtetasi B. N., i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. H., 38 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Isa Boletini”, ka tentuar të vjedhë në një dyqan që i ka thyer xhamin e derës;
-Th. T., 54 vjeç, pasi janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. B., 24 vjeç dhe Xh. D., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi shtetasi A. B. dyshohet se ka goditur me grusht Xh. D., për motive të dobëta, ndërsa ky i fundit dyshohet se e ka kanosur shtetasin A. B., nëpërmjet celularit;
-E. D., 27 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka kallëzuar shtetasi D. C se ai e ka goditur me grushte, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori, pasi në fshatin Vuno, në vendin e quajtur “Gjiri i Akuariumit”, 2 shtetas që dyshohet se po peshkonin janë larguar sapo kanë vënë re shërbimet e Policisë. Në vendin ku ishin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde shpërthyese që dyshohet se përdorej për peshkim. Punohet për identifikimin dhe kapjen e këtyre 2 shtetasve.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, bëjmë me dije se specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, shtetasin V. M., 26 vjeç, banues në Pogradec, pasi automjeti që ai drejtonte është përplasur me një automjet me targa kineze, si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i këtij të fundit.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin R. A., 25 vjeç, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 64 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 14-vjeçar, pasi dyshohet se ka vjedhur në një dyqan, në lagjen “Xhile Liçi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. H., pasi ka dëmtuar me send të fortë, automjetin e një 48-vjeçari, për motive të dobëta.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-R. C., 33 vjeç, pasi në rrugën “Qemal Stafa”, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar lehtë shtetasen M. H., 38 vjeçe, këmbësore;
-P. C., 67 vjeç, pasi motomjeti që ai drejtonte, pa leje drejtimi, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen B. S., 43 vjeç. Si pasojë është dëmtuar shtetasi P. C., i cili është jashtë rrezikut për jetën.
-Më datë 27.04.2026, ka kallëzuar shtetasi Sh. E., 57 vjeç, se më datë 26.04.2026, është larguar nga banesa vajza e tij, shtetasja M. E., 25 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.
-Më datë 27.04.2026 në Spitalin Rajonal Elbasan, është dërguar për mjekim shtetasi egjiptian M. M., 24 vjeç, i cili dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në ambientin e punës. Ai mori mjekim dhe u largua në banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 63 vjeç, banues në Durrës, pasi dje, në lagjen nr. 15, duke drejtuar automjetin, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin R. D. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasi R. D. dhe një shtetas që udhëtonte me të, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në automjet, iu gjetën një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një përforcues grushti, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës:
-ndaluan shtetasin në kërkim R. E., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Durrësit, më datë 11.03.2026, e ka dënuar me burgim, për veprën penale “Vjedhja”. Nga dënimi kanë mbetur për të kryer 3 muaj e 24 ditë burgim;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. T., 25 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, pasi kanë kallëzuar shtetasit:
-K. K., 22 vjeç, banues në fshatin Bisht Kamëz, Durrës, se në fshatin Sektor Rinia, i kanë vjedhur targat e automjetit. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit/ve;
-I. L., se djali i tij, shtetasi E. L., 28 vjeç, është larguar nga banesa dhe prej 10 ditësh ka humbur kontaktet me të. Punohet për gjetjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manëz referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. Gj., 32 vjeç, pasi është konstatuar duke kryer punime ndërtimi, pa leje, në lokalin e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. Xh., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shqetësuar një 31-vjeçare, nëpërmjet thirrjeve telefonike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Durrës/ Informacion paraprak
Në lagjen nr. 8, është gjetur në banesë, pa shenja jete, shtetasi P. Rr., 76 vjeç. Nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ai ka humbur jetë për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.
DVP Fier
Ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor, në mënyrë të paligjshme, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë, paund dhe franga).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në vijim të kontrolleve në terren dhe verifikimeve në subjekte të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive që kryhen në informalitet, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor e koduar “Transaksioni”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
-R. K., 64 vjeç, banues në Lushnjë;
-E. Sh., 67 vjeç, banues në Fier;
-A. I., 57 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas dyshohet se ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor në Fier dhe në Lushnjë, pa licencën nga organet kompetente.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, u gjetën 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga, 2 500 korona, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 5 celularë.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u vu në hetim shtetasi E. K., 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një shumë e vogël parash e përfituar nga këmbimi i kundërligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Tiranë
Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”, për goditjen e rasteve të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Zbulohen 2 lokale të vëna në dispozicion të kësaj veprimtarie.
Arrestohet 1 shtetas, procedohet 1, shpallet në kërkim 1.
Sekuestrohen monitorë, tablet, skedina dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të kontrolleve në lokale dhe subjekte të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së tyre për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, konstatuan se në 2 lokale viheshin baste sportive, nëpërmjet celularëve ose kompjuterëve.
Për këtë veprimtari u arrestua shtetasi E. T., 49 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasja K. M., bashkëpronarë të një lokali në rrugën “Siri Kodra”, pasi gjatë kontrollit në këtë lokal, u gjet një tablet që përdorej për vënien e basteve sportive.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi D. L., 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin e tij në rrugën “Jordan Misja”, u konstatuan televizorë dhe monitorë kompjuteri që shërbenin për organizimin e lojërave të fatit, si dhe fatura që dokumentojnë këtë veprimtari të kundërligjshme. Punohet për kapjen e shtetasit D. L.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Finalizohen nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, faza të tjera të operacionit të koduar “Network”, kundër shfrytëzimit për prostitucion dhe ushtrimit të kësaj veprimtarie.
Zbulohen 3 apartamente të tjera ku ushtrohej prostitucion.
Vihen në pranga 7 shtetas (2 bashkëjetues, për shfrytëzim për prostitucion dhe 5 shtetase nga Kina dhe Ukraina, për ushtrim të prostitucionit).
Vihen në hetim 5 shtetas (2 përfitues nga kjo veprimtari dhe pronarët e 3 apartamenteve të dhëna me qira).
Në vijim të kontrolleve dhe punës operative, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të qiramarrjes së apartamenteve në zona të ndryshme të kryeqytetit, për të ushtruar prostitucion, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan 2 faza të operacionit “Network”, gjatë të cilave u vunë në pranga shtetasit:
-S. Z., 33 vjeç dhe O. N., 22 vjeçe (shtetase ukrainase), bashkëjetues, pasi dyshohet se kanë shfrytëzuar për prostitucion, në një apartament të marrë me qira ditore, në rrugën “Njazi Demi”, shtetasen ukrainase, A. H., 23 vjeçe, e cila u arrestua për veprën penale “Prostitucioni”;
-L. M., 57 vjeçe, L. Sh., 39 vjeçe, Sh. R., 47 vjeçe dhe Zh. P., 37 vjeçe, të gjitha shtetase kineze, pasi ushtronin prostitucion, në 2 apartamente në zonën “Vasil Shanto” dhe në rrugën “Vangjush Furxhi”.
Më tej, në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 5 shtetas, ndër to, pronarët e 3 apartamenteve të dhëna me qira dhe 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari e kundërligjshme).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasit K. M., 46 vjeç, dhe B. O., 68 vjeç, të dy banues në Fier, pasi automjeti që drejtonte shtetasi K. M. është përplasur me motomjetin që shtetasi B. O. e drejtonte në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi B. O., i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës.
Gjithashtu, këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. D., 61 vjeç, banues në Berat, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin J. M., 63 vjeç. Si pasojë është dëmtuar shtetasi J. M., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., 33 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 21-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasin E. R., 46 vjeç, banues në fshatin Çermë Sektor, pasi dyshohet se gjatë një konflikti verbal për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin A.B., si dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj shtetases S. H. dhe vajzës së saj, shtetases K. H.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit G. S., 59 vjeç, G. S., 34 vjeç (djali i 59-vjeçarit) dhe M. D., 47 vjeç, pasi dyshohet se janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. R., 41 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, pasi u kap në aksin rrugor “Zaroshkë-Pustec”, duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa targë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin B. R., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka përndjekur shtetasin Z. M. Po punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. B., 45 vjeç, banues në fshatin Starovë, Pogradec, pasi dyshohet se ka goditur me grusht një 27-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta me të.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. T., 52 vjeç, banues në Kurbin, pasi me automjetin që drejtonte në aksin rrugor “Laç–Sanxhak”, ka përplasur shtetasin P. Ll., 61 vjeç, këmbësor, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, E. P., 20 vjeç, banues në Kurbin, pasi më datë 25.04.2026, në bashkëpunim me 3 të mitur (të proceduar penalisht), dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me sende të forta, një 22-vjeçar. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos që 20-vjeçari të procedohet në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Në Komisariatin e Policisë Lezhë, kallëzoi shtetasi E. S., se në subjektin e tij (servis për automjete), kishte gjetur të dëmtuar, xhamin e një automjeti. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Rreth orës 23:35, një shtetas ka njoftuar se në banesën e shtetases T. U., 81 vjeçe, në fshatin Rrilë, është konstatuar dëmtimi i një cepi të dritares së banesës, që dyshohet të jetë shkaktuar nga një predhë (plumb qorr). Vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në zonat turistike.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari që shiste Kokainë dhe Cannabis, në Dhërmi.
Sekuestrohen sasi Kokaine dhe Cannabisi, automjeti që përdorte 36-vjeçari për këtë veprimtari kriminale dhe celulari i tij.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve të shtuara për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në fshatin Dhërmi.
Për këtë rast u arrestua shtetasi E. P., 36 vjeç, banues në Lushnjë.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Dhërmi, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. P. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit në automjet, u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e gatshme për shitje.
Në vijim, gjatë kontrollit në ambientin ku banonte ky shtetas, në fshatin Drimadhë, u gjetën rreth 450 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, të ndara në doza, gati për shitje.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-shpallën në kërkim shtetasit M. B., 26 vjeç, dhe E. M., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Guci e Re, pasi dyshohet se dje, i kanë vjedhur motomjetin, shtetasit S. M., 26 vjeç, në banesën e tij, në Shkodër;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. D., 18 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë një 17-vjeçar, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Theth referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. Zh., 61 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje, në zonë të mbrojtur, në fshatin Theth.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Adapted”.
Kishte përshtatur apartamentin e saj si call center, për të mashtruar shtetas të huaj, që të investonin në bursa fiktive, vihet në pranga 25-vjeçarja.
Sekuestrohen nga apartamenti, pajisje kompjuterike, celularë dhe prova të tjera materiale.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Adapted”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasja M. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë.
Shërbimet e Policisë ndërhynë në apartamentin në posedim dhe administrim të 25-vjeçares, në rrugën “Tish Daija”, i cili ishte përshtatur si call center, nga ku dyshohet se mashtroheshin shtetas të huaj që të investonin në bursa fiktive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë dokumentimit të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
