Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Ghost Call”.
Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake, me mbështetjen e EUROPOL, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Goditet, si rezultat i një hetimi 2-vjeçar, një skemë mashtrimi kompjuterik nëpërmjet call centerave.
Zbulohen 12 ambiente të vëna në funksion të kësaj skeme.
Vihen në pranga 10 shtetas, ekzekutohen 2 masa sigurie të tjera për 1 shtetase, si dhe shpallen në kërkim 4 shtetas, të përfshirë në këtë veprimtari, me role të ndryshme.
Sekuestrohen 891 735 euro të dyshuara të përfituara nga kjo skemë mashtrimi, si dhe 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), nëpërmjet të cilave kryhej aktiviteti.
Operacioni “Ghost Call”, për goditjen e mashtrimit kompjuterik të kryer nëpërmjet call centerave, rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat për hetimin e krimit kibernetik, gjatë 2 viteve. Hetimi nisi me iniciativën e strukturave për hetimin e krimit kibernetik, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, dhe rezultoi me zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Me vendimin nr. 3410 të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës lejoi kontrollin në 3 subjekte në Tiranë, si dhe në 9 banesa të shtetasve të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Gjatë ndërhyrjes, në këto ambiente u gjetën shtetas të punësuar si operatorë, duke kryer mashtrim kompjuterik.
Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u ekzekutuan 5 nga 7 masa sigurie “Arrest në burg”. Konkretisht, u ekzekutua kjo masë, për shtetasit E. D., 47 vjeç, M. H., 23 vjeç, T. A., 22 vjeç, L. T., 32 vjeç dhe Xh. M., 28 vjeç. Me të njëjtën masë, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. H., 30 vjeç dhe M. L., 28 vjeç.
Më tej, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasen A. V., 33 vjeç. Ndërkaq, me të njëjtat masa u shpall në kërkim shtetasi L. C., 25 vjeç.
Në vijim të operacionit “Ghost Call”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. B., 38 vjeç, E. H., 26 vjeç, B. B., 25 vjeç, K. D., 25 vjeç dhe E. T., 32 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. J., 24 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas kishin rol drejtues në ekipet e përfshira në këtë veprimtari.
Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit, pjesëmarrës në operacion.
Gjatë kontrolleve u gjetën 891 735 euro, 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Ndërkaq, vijojnë hetime për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar në këtë fushë, dhe garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin K. A., 41 vjeç, banues në fshatin Luar, Roskovec, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin në kërkim E. D., 39 vjeç, pasi dyshohet se më datë 12.04.2026, i ka vënë zjarrin banesës së tij.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. G., banues në fshatin Gjuzaj, pasi ka dëmtuar rrugën duke hapur një kanal;
-A. T., 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka tentuar të ndërrojë bravën e derës së një apartamenti, me pretendimin se është në pronësi të tij;
-A. K., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka goditur me grushte një shtetas, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 05:00, në lagjen “Savër”, është gjetur pa shenja jete në rrugë, shtetasi S. M., 55 vjeç.
Paraprakisht dyshohet se ai e ka humbur jetën për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Qarku Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit I. A., 28 vjeç dhe një 17-vjeçare, të dy banues në Durrës, pasi dyshohet se i kanë marrë me forcë, një shumë parash, një 28-vjeçari. Punohet për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit;
Gjithashtu, kapën shtetasin në kërkim E. K., 63 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se ka goditur me grushte dhe me sende të forta, një 51-vjeçar. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. M., 63 vjeç, banues në fshatin Kanaparaj, pasi dyshohet se ka goditur me send prej druri, një 60-vjeçar, i cili është dëmtuar lehtë.
Specialistët e DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. J., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë procedurave në SPK Port Durrës, në dalje, mjeti në pronësi të tij rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern, në vitin 2025.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në lagjen nr. 18, ka humbur ndjenjat shtetasi S. M., 59 vjeç, i cili u dërgua në Spitalin Rajonal Durrës, por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin F. S., 42 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 7, Korçë, ka vjedhur biçikletën në pronësi të një 41-vjeçari, e cila iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. I., 18 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 3, Korçë, ka tentuar të vjedhë në banesën e pabanuar në pronësi të një 65-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Korçë/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 2, Korçë, ka ndodhur një konflikt fizik midis disa shtetasve. Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me mjet prerës një 17-vjeçar, banues në Korçë, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet e Komisariatit ndodhet i shoqëruar një shtetas, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen N. S., 51 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi dyshohet se, nëpërmjet telefonit dhe për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin F. Ç., 63 vjeç, banues në Vlorë.
Specialistët e Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. Ç., 66 vjeç, banues në Tragjas, Orikum, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi ka penguar punimet në një kantier ndërtimi në Portin e Jahteve, Orikum, në pronësi të shtetasit H. Xh., 55 vjeç, banues në Vlorë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Në 24 orë, Komisariati i Policisë Nr. 2 finalizon 2 operacione për zbardhjen e vjedhjeve me pasoja të rënda.
✅Operacioni “The driver”/Vodhi 3 000 000 lekë, duke shitur për llogari të tij, pajisje të subjektit ku punonte, arrestohet 28-vjeçari.
✅Operacioni “Kaseta”/Arresohet një shtetase që vodhi 40 000 paunde të lëna përkohësisht, në kasetën e depozitimit në një market.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve/administratorëve të subjekteve, për raste të vjedhjes së pronës/pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 , në 24 orë, finalizuan 2 operacione për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të 2 vjedhjeve me pasoja të rënda. Konkretisht:
-në kuadër të operacionit të koduar “The driver”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi L. B., 28 vjeç. Gjatë 6 muajve, ky shtetas dyshohet se ka vjedhur 3 000 000 lekë të përfituar nga shitja e pajisjeve (për përpunimin/konsumin e kafesë) të subjektit ku ishte i punësuar shofer. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet në pronësi të këtij subjekti, me të cilin i arrestuari transportonte pajisjet;
-në kuadër të operacionit të koduar “Kaseta”, u vu në pranga shtetasja M. Xh., pasi dyshohet se ka vjedhur 40 000 paunde, të lëna përkohësisht, në kasetën e depozitimit në një market, nga një blerës (punonjës në një subjekt për këmbimin e valutave). Shuma e paundeve u gjet në subjektin ku punonte shtetasja M. Xh., dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë/Vijon operacioni i koduar “The last fire”.
Kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili dyshohet si porositës i zjarrvënies së një automjeti, ngjarje e ndodhur dy muaj më parë, në qytetin e Pogradecit.
Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që iu gjet këtij shtetasi.
Strukturat e DVP Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 26.02.2026, në qytetin e Pogradecit, ku u dogj automjeti i një shtetasi, në bazë të informacioneve të sigururara në rrugë policore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim E. F., 38 vjeç, banues në Korçë.
Ndalimi i tij u bë në bazë të urdhrit të Prokurorisë së Korçës, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e lartpërmendur.
Gjatë kontrollit në ambientin ku u kap ky shtetas, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Policia Rrugore e Beratit/Monitorim intensiv, me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, gjatë 2 javëve të muajit Prill, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun.
Ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Beratit, konstatimit i rasteve të drejtimit të mjetit, në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur, shkelje të cilat rezultojnë burime parësore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda.
✅ Si rezultat i monitorimit, gjatë 2 javëve të muajit prill, janë proceduar penalisht 4 shtetas, prej tyre:
-2 janë arrestuar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë, për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.
✅ Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar administrativisht:
-240 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
-137 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
-180 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;
-88 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
-93 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
-5 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
-225 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
ℹ️ Kontrollet vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut.
Policia Rrugore e Beratit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në këtë mënyrë në parandalimin e aksidenteve në veçanti dhe në sigurinë rrugore në tërësi .
Malësi e Madhe/Vijon operacioni i koduar “Faza e parë”, kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim.
Akuzohet se ka kultivuar filiza dhe fara kanabisi në platforma polistiroli, në magazinën në pronësi të tij, në fshatin Gruemirë Çezmë, ndalohet 52-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim B. R., 52 vjeç, banues në fshatin Gruemirë Çezmë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, më datë 07.04.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka kultivuar një sasi të konsiderueshme filizash dhe farash kanabisi në platforma polistiroli, në magazinën në pronësi të tij, në fshatin Gruemirë Çezmë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, më datë 30.03.2026.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për përcaktimin e autorësisë dhe rrethanave të vjedhjes së çantës së një 25-vjeçareje, në një restorant në Shëngjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë identifikuan dhe kapën autorët e dyshuar të vjedhjes, shtetasit D. H., 34 vjeç dhe M. L., 60 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët për të shkuar në vendngjarje, kishin marrë me qira, një automjet, nga shtetasi B. V.. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos procedimi në gjendje të lirë i 2 autorëve të dyshuar të vjedhjes, ndërkaq u vlerësua se shtetasi B. V. nuk kishte lidhje me këtë paligjshmëri. Më tej, çanta e 25-vjeçares u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
–D. Gj., 70 vjeç, banues në Laç, pasi dyshohet se ka kanosur dhe ka fyer gjatë një konflikti për motive pronësie, një shtetas 35 vjeç;
–F. L., 64 vjeç, banues në Laç, pasi dyshohet se ka kanosur për motive pronësie, një shtetase 50 vjeçe.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Qarku Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 59 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta, një 43-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. S., 53 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 59-vjeçar.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Y. S., 33 vjeç, pasi në aksin rrugor “Peqin–Elbasan”, me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësoren, shtetasen V. R., 58 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën;
-R. H., 63 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur karrocën me të cilën lëvizte shtetasi E. Dh., 37 vjeç. Si pasojë, është dëmtuar shtetasi E. Dh., i cili është jashtë rrezikut për jetën, si dhe ka ngodhur kafsha (gomar) që tërhiqte karrocën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë shpallën në kërkim shtetasin A. T., 23 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet shpues (kaçavidë), një 21-vjeçar. Punohet për kapjen e shtetasit A. T..
Më datë 13.04.2026, kallëzuan shtetasit:
-P. V., se ishte larguar nga banesa, bashkëshortja e djalit të tij, shtetasja Sh. V., 38 vjeçe, e cila sipas deklarimit të shtetasit P. V., vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e 38-vjeçares;
-S. F., 22 vjeç, se ishte kanosur dhe fyer nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike. Punohet për identifikimin dhe ndalimin e autorit/ëve të rastit.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 07.04.2026, për largimin nga banesa të shtetases D. B., 32 vjeçe, informojmë se shtetasja u gjet në gjendje të mirë shëndetësore, dhe deklaroi se ishte larguar nga banesa, me dëshirë.
Mëngjesin e sotëm, dyshohet se si pasojë e amortizimit të rrjetit elektrik, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit M. B., në lagjen “28 Nëntori”. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Kanosën me pistoletë një 35-vjeçar dhe tentuan ta nxirrnin me forcë nga automjeti i tij, duke e dhunuar, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, pistoleta sportive dhe 2 automjete (automjeti me të cilin janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes dhe automjeti ku u gjet pistoleta).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, dje, pas marrjes së njoftimit për kanosjen dhe dhunimin e një shtetasi, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifkimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga hetimet e para dyshohet se këta shtetas kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, shtetasin L. S., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhej brenda në automjetin e tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, dhe më pas, kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës.
35-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të babait të shtetasit K. H., shërbimet e Policisë gjetën të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur për kanosjen.
Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin ku u gjet dhe me automjetin të cilin dyshohet se janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaluan shtetasin J. N., 28 vjeç, i shpallur në kërkim dje, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hijet”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-ndaluan me iniciativë shtetasin M. K., 39 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. G., pasi ka goditur shtetasin R. H., për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, për shtetasin D. G., mjek, pasi ka kallëzuar shtetasja M. D., se ai i ka vonuar mjekimin që ajo pretendon se i nevojitej pas operacionit të kryer në muajin nëntor 2025. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
-arrestuan shtetasin N. M., 40 vjeç, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, për shkak të detyrës;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset G. K. dhe E. K., pasi janë konfliktuar fizikisht me njëra-tjetrën, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-J. G., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-N. Gj., pasi ka goditur me grusht një shtetase, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Z. P., pasi dyshohet se ka goditur shtetasin E. S., për motive të dobëta;
-shpallën në kërkim shtetasin M. B., pasi dyshohet se ka goditur me grushte shtetasin G. D., për motive të dobëta.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin P. B., 36 vjeç, pasi te bulevardi “Nënë Tereza”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me 2 automjete, me drejtues shtetasit A. K. dhe D. L. Si pasojë u dëmtua lehtë shtetasi A. K.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. K., pasi automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin G. H. Si pasojë është dëmtuar shtetasi G. H., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit M. Sh., 64 vjeç dhe V. Sh., 57 vjeçe, banues në Gjirokastër (bashkëshortë), pasi me vetëgjyqësi, i kanë marrë një shumë parash një 37-vjeçari, me pretendimin se ai nuk iu kishte paguar qiranë e banesës.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore:
-arrestuan në flagrancë shtetasin norvegjez B. K., 45 vjeç, pasi në aksin rrugor “Tepelenë-Gjirokastër”, automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me një automjet tjetër. Nga përplasja u shkaktuan vetëm dëme materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, banues në Gjirokastër, pasi u konstatua duke drejtuar automjet, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Finalizohet operacioni policor i koduar “Dimali 3”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike kokainë, në Dimal.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Arrestohen 3 pjesëtarë të grupit dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Si rezultat i hetimit të ndjekur për disa muaj, me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, me objektiv nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të disa shtetasve, të cilët, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndës narkotike kokainë në Dimal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Dimali 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Beratit, konkretisht:
“Arrest në burg” për shtetasit M. M., 22 vjeç, dhe A. B., 19 vjeç;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin E. M., 17 vjeç, të tre banues në Kuçovë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 2 pjesëtarë të tjerë të këtij grupi, shtetasit K. A., 26 vjeç, dhe A. B., 22 vjeç, pasi ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se këta shtetas, të organizuar si grup, siguronin lëndë narkotike kokainë e ndanin në doza dhe më pas e shitnin në qytetin e Dimalit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.
