Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 2, operacioni i koduar “Procesi”, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Arrestohet një shtetas që lëvizte me automjet, në Rrugën e Dafinave, për të shitur 1000 fara Cannabisi.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë, si dhe intensifikimit të punës operative, me fokus parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Procesi”.
Në kuadër të operacionit, në Rrugën e Dafinave, u ndalua automjeti që drejtonte shtetasi R. A. Në automjet u gjet një qese me 1000 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi R. A., 31 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” që drejtonte 31-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Remove”, zbardhen 6 raste të vjedhjes së motomjeteve, gjatë 2 muajve të fundit.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari që vidhte motomjete, i çmontonte në pjesë dhe i shiste ato.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën pjesë të motomjeteve të vjedhura.
Procedohet penalisht një 39-vjeçar, pasi dyshohet se ka përvetësuar nga i arrestuari, motomjet dhe pjesë motomjetesh, të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, si rezultat i hetimeve të kryera pas kallëzimeve për vjedhjen e disa motomjeteve, kanë finalizuar operacionin policor “Remove”, si rezultat i të cilit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
-E. Gj., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas vidhte motomjete me qëllim çmontimin në pjesë dhe shitjen e tyre, kryesisht në subjekte që shesin pjesë mjetesh. Ai dyshohet se ka vjedhur 6 motomjete, gjatë muajve mars dhe prill 2026.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Y. D., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka përvetësuar 1 motomjet dhe pjesë motomjetesh, të vjedhura nga i arrestuari.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga 33-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit/ Gjatë fundjavës intensifikohet puna në terren dhe bashkëpunimi me qytetarët për përmbushjen e parametrave të rendit publik dhe sigurisë rrugore.
Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë Rrugore, në zbatim të porosive të Drejtorit të Përgjithshëm për aplikimin e mënyrës së re të monitorimit të qarkullimit rrugor dhe ndëshkimin e shkeljeve nga ana e drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve, është pajisur me mjete inteligjente, shpejtësimatës dhe dronë.
Janë intensifikuar monitorimet me mjete inteligjente në të gjithë vendin, me objektiv rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht gjatë fundjavës, në akset nacionale drejt zonave turistike dhe bregdetare, pasi rritet fluksi i lëvizjes së automjeteve.
Gjatë javës së fundit, në të gjithë vendin, janë vendosur 26,116 masa administrative për shkelje të ndryshme, si: mospërdorim i kaskës mbrojtëse, mosvendosje e rripit të sigurimit, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalime të gabuara, drejtim i mjetit nën efektin e alkoolit, për zhurma apo manovra të rrezikshme me automjet dhe shkelje të tjera.
Gjithashtu, janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, nga të cilët 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Monitorim intensiv është ushtruar edhe në qendrat e banuara, për parkimet e gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve të emergjencës, krijojnë fluks në trafik apo pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në trotuare.
Në këtë kuadër, janë zhvendosur me mjetet ngritëse (karrotrec), në kryeqytet, 258 automjete të parkuara në korsi të dedikuara, në trotuare apo në vende ku ndalohet parkimi.
Ndërkohë, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë, shërbimet e Policisë së Rendit dhe asaj Kriminale, bazuar edhe në inteligjencën informative, vijojnë angazhimin maksimal në terren për përmbushjen e objektivave madhorë, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërive.
Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo indicie për paligjshmëri, si dhe apelojmë që përdoruesit e rrugës të kontribuojnë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë ndaluan shtetasin në kërkim E. P., 40 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e ka dënuar këtë shtetas me 4 muaj burgim, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit Sh. D., 35 vjeç dhe B. D., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se kanë kanosur me fjalë, një 60-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit L. V., 61 vjeç, banues në fshatin Podë dhe P. Xh., 30 vjeç, banues në Leskovik, Kolonjë, pasi në vendin e quajtur “Shipkovë”, 61-vjeçari ka gjetur të ngordhur një gjedh (viç) në pronësi të tij, të cilin dyshon se ia ka vrarë shtetasi P. Xh. Gjithashtu edhe 30-vjeçari ka bërë kallëzim për shtetasin L. V., pasi sipas deklarimit të tij, ky i fundit e ka kanosur në lidhje me ngjarjen e mësipërme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin L. T., 20 vjeç, banues në fshatin Shëlqet, pasi dje, në aksin rrugor “Kryebushat–Vau i Dejës”, duke drejtuar automjetin e tij, i ka ndërprerë rrugën motomjetit me drejtues shtetasin Sh. R., 62 vjeç, banues në fshatin Mjedë. Si pasojë është dëmtuar lehtë drejtuesi i motomjetit, shtetasi Sh. R., si dhe pasagjerja, shtetasja N. R., 59 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe:
-ndaluan shtetasin A. K., 30 vjeç, banues në Koplik, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. U., 37 vjeç, banues në fshatin Bogë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
–
Informacion paraprak/Rreth orës 09:55, në rrugën “Pogej”, një motomjet i paidentifikuar ka përplasur këmbësorin, shtetasin M. Z., rreth 50 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi M. Z., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit, si dhe për identifikimin e motomjetit dhe kapjen e drejtuesit të tij.
Fier/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Flagranca”.
Shpërndanin lëndë narkotike kokainë e kanabis, kapen dhe vihen në pranga dy shtetas në momentin që do të shisnin lëndët narkotike.
Sekuestrohet kokainë dhe kanabis, e ndarë në qindra doza, gati për shitje.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Operacionale”, në vijim të kontrolleve intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Flagranca”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit T. F., 26 vjeç, dhe A. H., 29 vjeç, të dy banues në fshatin Grabian, Divjakë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e përgatisnin për shitje në zona të ndryshme.
Shërbimet e Policisë, pas sigurimit të informacionit, organizuan dhe finalizuan ndërhyrjen në momentin që këta shtetas po lëviznin me automjet në fshatin Grabian, duke i kapur në flagrancë me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë të ndarë në doza, të cilat do t’i shisnin në zona të ndryshme.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesa u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra doza të tjera lënde narkotike (kokainë dhe kanabis), të cilat u morën në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e përdorur, një grirëse për përpunimin e lëndës narkotike, një peshore elektronike dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Policia Kufitare intensifikon kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi.
Goditet një tjetër rast i kontrabandës.
Kontrabandoi mallra të ndryshme (një sasi konfeksionesh dhe këpucësh) pa dokumentacionin përkatës, vihet në pranga 42-vjeçari.
Sekuestrohet sasia me konfeksione, këpucë dhe aksesorë të ndryshëm, të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia.
Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara në informacionet policore të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Degës Doganore Kapshticë në hyrje të RSH-së, në PKK Kapshticë, kaluan për kontroll në vijën e dytë një autobus, me të cilin udhëtonte si pasagjer shtetasi M. C.
Nga kontrolli i ushtruar në autobus, në bagazhet e këtij shtetasi u gjetën një sasi me mallra të dyshuara të kontrabanduara (këpucë, konfeksione, aksesorë rrobaqepësie) të padeklaruara në organet doganore. Sasia me mallrat e dyshuara kontrabandë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi M. C., 42 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
DVP Durrës/ Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim.
-Vihet në pranga një 29-vjeçar i dënuar për shkatërrim prone ne zjarr.
-Gjithashtu kapet dhe vihet në pranga dhe një 49 vjeçar, i cili pas lejes, nuk ishte kthyer më në IEVP, për kryerjen e dënimit të mbetur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
E. M., 29 vjeç, banues në fshatin Sukth, Durrës.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, më datë 02.10.2025, e ka dënuar me 1 vit e 5 muaj e 15 ditë burgim për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” me pasoja të rënda materiale, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Gjithashtu Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 6, Tiranë, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit:
-E. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, i cili në vitin 2024 ishte trajtuar me leje shpërblyese nga IEVP, pasi vuante dënimin për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, por pas përfundimit të lejes nuk ishte kthyer më në IEVP për vuajtjen e dënimit të mbetur. Pas kapjes, ai iu dorëzua IEVP Rrogozhinë për vijimin e kryerjes së pjesës së mbetur të dënimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme për shtetasin F. B., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim pasi dyshohet se ka vjedhur disa mjete izoluese në spitalin e Lushnjës, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën dhe ndaluan shtetasin F. B., për veprën penale “Vjedhje”.
Po nga këta specialistë:
* U arrestua shtetasi D. L., 26 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë në banesën e shtetasit S. A., 34 vjeç;
* U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 47 vjeç, banues në Lushnjë, pasi nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos i kthyer fëmijën e mitur ish-bashkëshortes sipas afateve të përcaktuara;
* U referuan materialet në Prokurori për njoftim fakti, pasi ditën e djeshme shtetasi A. H., 51 vjeç, banues në Lushnjë (punonjës i OSHEE), dyshohet se gjatë punimeve në një kabinë elektrike ka rënë aksidentalisht në kontakt me rrymën, duke pësuar dëmtime të lehta. Aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori edhe në ngarkim të shtetasit E. M., 32 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur përmes telefonit dajën e tij, shtetasin F. M., 65 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Vijon puna për evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve që ndërtojnë pa leje.
Ndërtoi pa leje, një objekt, duke shfrytëzuar të gjithë hapësirën e përbashkët, taracën e pallatit, vihet në pranga 57-vjeçari.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, bazuar në informacionet e marra se një shtetas kishte ndërtuar, pa leje, në rrugën “Frederik Shiroka”, kanë ushtruar kontroll në zonë.
Nga kontrollet u konstatua se shtetasi S. S., kishte ndërtuar pa leje, një objekt (banesë) në taracën e një kompleksi pallati.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 u arrestua në flagrancë shtetasi S. S., 57 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Tiranë
Goditet një rast tjetër i shitjes së lëndëve narkotike.
Shiste lëndë narkotike në rrugën “Petro Nini Luarasi”, vihet në pranga 27-vjeçari.
Procedohet penalisht edhe një shtetas tjetër, të cilit iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike, të cilën e kishte blerë nga 27-vjeçari.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis.
Në vijim të kontrolleve intensive me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë, kryesisht në afërsi të shkollave, lokaleve dhe ambienteve të ndryshme, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, goditën një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i veprimeve operacionale, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. H. (H), 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi R. L., banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve 27-vjeçarit u gjet një sasi lënde narkotike cannabis. Ndërsa shtetasit R. L. iu gjet një sasi e vogël e kësaj lënde, të cilën e kishte blerë nga shtetasi A. H. (H).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. P., 34 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën sasi lënde narkotike Cannabiss që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset e huaja N. T dhe B. S, pasi dyshohet se secila ushtronin prostitucion në dy apartamente të marra me qira ditore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. Z.,pasi dyshohet se ka goditur një shtetase, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. V, pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin V. Gj, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset O. Gj dhe A. Q, pasi dyshohet se ka qëlluar me shpulla një shtetase, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. V, pasi dyshohet se ka kanosur ish-bashkëjetuesen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin E. Ç., 21 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7:
-arrestuan shtetasin G. Sh., 31 vjeç, pasi u kap jashtë banesë, në shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. A, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin Y. Ç;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas të mitur për veprën penale “Kanosja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin B. L., 55 vjeç, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. E. Si pasojë është shtetasi A. E dhe pasagjeri i tij, të cilët ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. P, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin e motomjetit duke u përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen E. P. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. P, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. S., 30 vjeç dhe E. Gj., 38 vjeçe, pasi dyshohet se në subjektin që bashkadministronin, kryhej pa licencë, këmbim valutor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. F., 30 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 30-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë plotësuan urdhrin e mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen V.K., 50 vjeçe, pasi bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 8, nga kontrolli i ushtruar në dyqanin e tij, iu gjetën dhe sekuestruan produkte pa pullë fiskale dhe nuk kishte vënë në punë kasën fiskale.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin L. H., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. S., 69 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. M., 23 vjeç, N. M., 24 vjeç dhe E. Sh., 25 vjeç, pasi janë konfliktuar dhe goditur me grushte, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore njëri-tjetrit. Gjithashtu shtetasi E. Sh., ka thyer xhamin e automjetit të shtetasit K. M.. ;
-Z. Sh., 40 vjeç, banues në Kavajë, pasi në oborrin e banesës së tij, duke drejtuar automjetin ka goditur një fëmijë 3-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën;
-H. M., banues në Golem, pasi është konstatuar duke kryer punime ndërtimi, i pa pajisur me lejen përkatëse;
-D. D., 46 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi në pronën e tij, ka ndërtuar një objekt me konstruksion metalik, i pa pajisur me lejen përkatëse.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasja S. Q., se ka blerë një apartament në lagjen nr. 18, me dokumentacion të rregullt dhe shtetasi E. A., ia ka ndërruar bravën e apartamentit, pasi pretendon se familjarët e tij duke falsifikuar firmat, pa pëlqimin e tij kanë shitur apartamentin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Pogradec/Informacion paraprak
Më datë 01.05.2026, rreth orës 14.15, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, pranë fshatit Udënisht, automjeti me drejtuese shtetasen E. K., dyshohet se ka përplasur këmbësorin I. D., rreth 80 vjeç, banues në Udënisht, i cili u dërgua për mjekim në spital, ku ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Me drejtuesen e automjetit po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Shkodër / Informacion paraprak
Rreth orës 16:00, në lagjen “Liria”, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin A. P., ka përplasur këmbësorin, shtetasin H. B., 78 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën shtetasi H. B.
Drejtuesi i automjetit shtetasi A.P., është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Himarë/ Tentuan të vidhnin një automjet në Dhërmi, ndërhyrja e shpejtë e Policisë parandalon vjedhjen.
Arrestohen 25-vjeçari dhe një 17-vjeçare, bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen dy automjete (njëri i autorëve dhe automjeti tjetër që tentuan të vidhnin).
Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë se në Dhërmi ishte vjedhur një automjet tip “Land Rover”, organizuan punën, ku falë reagimit të shpejtë bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjetit.
Drejtuesja e automjetit nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe, gjatë manovrave për t’u larguar, ka shkaktuar dëmtime në automjetin e vjedhur.
Në përfundim të veprimeve, shtetasi N. Xh., 25 vjeç, banues në Durrës, u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17-vjeçarja u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
Nga hetimet paraprake rezulton se, më datë 30.04.2026, në orët e mbrëmjes, dy shtetasit kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tip “Benz”, fillimisht me qëllim blerjen e një automjeti tip “Land Rover”, në përdorim nga një shtetas banues në Tiranë. Duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja kishte ndezur automjetin dhe ishte larguar pa lejen e tij.
Po nga hetimet rezultoi se 17-vjeçarja, e cila kishte marrë automjetin “Land Rover”, kishte bashkëpunuar me një 25-vjeçar, i cili u kap në lagjen “Kushtrimi”, në Vlorë, ndërsa automjetin me të cilin kishte shkuar në Dhërmi e kishte përplasur në Palasë dhe e kishte braktisur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, automjeti që u tentua të vidhej dhe automjeti i autorëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Pogradec
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë sot për një aksident të ndodhur në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, pranë fshatit Udënisht, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetases E. S., 24 vjeç, banuese në Udënisht, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Kjo shtetase duke drejtuar automjetin ka përplasur këmbësorin Z. D., 80 vjeç, banues në Udënisht, i cili u dërgua për mjekim të specializuar në Tiranë, ku më pas ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Vlorë / Informacion paraprak
Sot, rreth orës 20:40, në Spitalin Rajonal Vlorë është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi Gj. I., 23 vjeç, banues në fshatin Picar, i dëmtuar me mjet prerës.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në fshatin Picar, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin V. H., 42 vjeç, banues në fshatin Lubonjë, ky i fundit e ka goditur me mjet prerës.
I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin D. Sh., 29 vjeç, banues në fshatin Gjoroven, Berat, pasi në lagjen “Muzakaj”, dyshohet se i ka vjedhur çantën me një shumë parash dhe dokumente personale një shtetaseje 55 vjeçe. Po punohet për kapjen e autorit.
Po nga këta specialistë, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. H., 51 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij.
Gjithashtu, u referuan materialet dhe u shpall në kërkim shtetasi D. Sh., 29 vjeç, banues në fshatin Gjoroven, Berat, pasi dyshohet se në rrugë, i ka marrë një telefon celular një shtetasi tjetër, me pretendimin për ta përdorur dhe nuk ia ka kthyer më.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 53 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër
Qarkullonte me armë zjarri pistoletë pas mesnate, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari.
Procedohet në gjendje të lirë edhe një 29-vjeçar, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, pas mesnate, në lagjen “Guerile”, gjatë patrullimit, kanë konstatuar 2 shtetas, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar me vrap.
Pas ndjekjes dhe kontrollit fizik të shtetasit B. H., shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. H., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. Ç., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Golds”.
Vodhi varëse floriri me vlerë rreth 12 000 euro në një argjendari në një qendër tregtare, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 17-vjeçari.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale varëset e vjedhura.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Golds”, pas njoftimit për një vjedhje në një argjendari në rrugën “Abdi Toptani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit të mitur 17 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, ditën e djeshme, ka vjedhur varëse floriri në një argjendari në një qendër tregtare në rrugën “Abdi Toptani”, dhe më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale varëset e vjedhura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Vijon operacioni i koduar “Fati i Lojërave”.
Zbulohet një tjetër rast i përshtatjes së lokalit për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri.
Sekuestrohen 4 makineta për lojëra fati, tavolina për lojën “Poker”, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Arrestohen administratori i lokalit.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të përshtatjes së lokalit për zhvillimin e lojërave të fatit, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”.
Si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Në rrugën “Kajo Karafili” në lokalin në administrim të 38-vjeçarit, u gjetën 4 makineta që përdoreshin për lojëra fati, tavolina pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm 19”, pas një hetimi 2-javor me metoda speciale hetimi.
Kishte marrë me qira një ambient, të cilin e kishte përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit, vihet në pranga një shtetase braziliane.
Procedohen penalisht edhe 3 shtetas.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, pas një hetimi 2-javor me metoda proaktive, finalizoi fazën e 19-të të operacionit policor të koduar “Storm”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasja Sh. S., 24 vjeçe, lindur dhe banuese në Brazil.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni” edhe 3 shtetas shqiptarë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 1 pasaportë e shtetases së huaj, shuma parash të dyshuara të përfituara nga prostitucioni dhe 2 aparate celularë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasja braziliane, në lagjen nr. 4, Durrës, kishte marrë një ambient me qira, të cilin e kishte përshtatur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit dhe përfitimin e vlerave monetare nga kjo veprimtari.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasja Sh. S. ka refuzuar të hapte derën e ambientit ku ndodhej, e cila u hap më pas me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Fier
Kapet një shtetas i shpallur në kërkim, i dënuar me 2 vite e 8 muaj burg, për kultivim të bimëve narkotikëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim:
-S. S., 50 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 2 vite e 8 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Seeds”.
Goditet një tjetër rast i tentativës për shitje të farave të cannabisit, me qëllim kultivimin e tyre.
Vihet në pranga një 66-vjeçari të cilit u gjetën 1000 fara kanabisi, gjatë kontrollit në automjetin e tij.
Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së cannabisit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seeds”.
Gjatë këtij operacioni, tek Kthesa e Kamzës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin L. K, në automjetin e të cilit gjetën një qese me 1000 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi L. K., 66 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1000 fara cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një shtetas të mitur, 17 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjet, i pa pajisur me leje drejtimi.
Gjithashtu, këto shërbime referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin D. D., 54 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, i cili, duke drejtuar automjetin, është përplasur me një automjet të parkuar, duke shkaktuar dëme materiale, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Pas ndalimit të tij nga shërbimet e Policisë, ai ka refuzuar t’i nënshtrohet testit të alkoolit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit M. K., 40 vjeç, dhe M. D., 31 vjeçe, banues në fshatin Sanxhak, Kurbin, ish-bashkëshortë, pasi, për motive pronësie dhe xhelozie, kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu, ndaj tyre u lëshua urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje.
Po ashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi N. N., 60 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Kurbin, i cili kallëzon se shtetasi Gj. K., 62 vjeç, ka vendosur një tabelë për kryerje punimesh në një sipërfaqe toke për të cilën palët janë në proces gjyqësor prej vitesh dhe që aktualisht është në përdorim të kallëzuesit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. M., 55 vjeç, banues në fshatin Cangonj, Devoll, pasi ky shtetas në tokat bujqësore të këtij fshati, duke drejtuar një mjet bujqësor (traktor) pa targë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe ka rënë në një kanal. Për pasojë ka marrë dëmtime vetë drejtuesi, i cili ndodhet për mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nga verifikimi i kryer rezultoi, se 55-vjeçari drejtonte mjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:
-referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin R. H., 21 vjeç, banues në fshatin Shalës, Sarandë, pasi dyshohet se ka përndjekur nëpërmjet rrjeteve sociale një 21-vjeçare. Po punohet për kapjen e tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin I. D., 58 vjeç, banues në Korçë, rezident në SHBA, pasi në lagjen nr. 7, Korçë, dyshohet se me vetëgjyqësi i ka ndërruar bravën e derës kunatës së tij dhe i ka nxjerrë disa orendi jashtë nga banesa për pronësinë e së cilës, kanë të dyja palët pretendime.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Shkon në 14 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar/ proceduar penalisht, që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale apo administrative.
Gjatë monitorimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit në vendin e quajtur “Plepa” kanë ndaluar një automjet pasi drejtohej nga një i mitur. Gjatë veprimeve të punonjësve të Policisë, i mituri 17 vjeçar, për të shmangur procedurat ligjore për këtë shkelje, iu ka ofruar atyre, 20 euro .
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kryen veprimet administrative dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 17-vjeçarin, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu Specialistët për qarkullimin rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë:
-për një 16 vjeçar, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, i pa pajisur me leje drejtimi;
-për një 17 vjeçar, pasi është konstatuar duke drejtuar një motomjet pa targa dhe i pa pajisur me leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve E. B., 26 vjeç, J. T., 24 vjeç dhe A. Sh., 20 vjeç. Këta shtetas u konstatuan në një automjet në lagjen nr. 4. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. B., shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël të dyshuar lënde narkotike kanabis. Ndërsa, gjatë kontrollit të banesave të shtetasve J. T. dhe A. Sh., shërbimet e Policisë gjetën sasi të vogla të dyshuara lëndë narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës:
-ndaluan shtetasin në kërkim E. Gj., 44 vjeç, banues në Kavajë, pasi më datë 08.04.2026, ka vjedhur me dhunë, një shumë parash në një farmaci;
-shpallën në kërkim shtetasin R. M., 30 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 14, dyshohet si autor i një vjedhjeje të kryer në një dyqan ushqimor, në pronësi të shtetasit B. H. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. L., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi ka kanosur me fjalë 49-vjeçar;
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori për vlerësim:
-është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi I. P., 60 vjeç, pasi në banesë, dyshohet se është vetëdëmtuar lehtë me kositëse bari. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, është larguar në banesë pa probleme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Vijon operacioni i koduar “Stolen Line”
Sekuestrohet një tjetër automjet i vjedhur jashtë shtetit, tip “Audi SQ8”, me vlerë rreth 50 000 euro.
Identifikohet dhe procedohet penalisht 1 shtetas, i dyshuar për trafikimin e automjetit të vjedhur në Itali, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, në vijim të operacionit “Stolen Line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme goditën një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua një automjet tip “Audi SQ8”, me vlerë rreth 50 000 euro, i cili, nga verifikimet, rezultoi i vjedhur në Itali.
Për këtë rast nisi procedimi penal për shtetasin V. T., 44 vjeç, i cili dyshohet se e ka sjellë automjetin në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Operacioni “Stolen Line” vijon.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit D. B., 25 vjeç dhe E. M., 25 vjeç si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. D, pasi shërbimet e Komisariatit Nr. 3 i gjetën secilit sasi lënde narkotike Cannabis, të cilat u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. S, pasi për motive të dobëta, ka goditur me grusht shtetasin D. D.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. B, pasi për motive të dobta, ka goditur me grushte shtetasin A. H.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. M., pasi dyshohet se ka kanosur, shtetasin M. B.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasi I. Sh., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur shtetasin N. R;
-punohet për shoqërimin e shtetases S. H., pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një dyqan dhe, në momentin që është konstatuar nga pronarja, në përpjekje për t’u larguar, është konfliktuar me të.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
-arrestuan shtetasin A. S., 26 vjeç, pasi u kap jashtë banese, në shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Xh, pasi ka kanosur shtetasin B. F.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasit:
-L. I., 60 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa leje, në taracën e banesës së tij;
-S. S., 50 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit:
-D. Xh., 31 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-D. D., 24 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Vlorë / Tentoi të vidhte një motomjet, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua motomjeti i vjedhur.
Gjithashtu, gjatë kontrollit personal ndaj 20-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një përforcues metalik grushti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen në kohë të shpejtë të autorit të dyshuar për vjedhjen e një motomjeti, ngjarje e ndodhur një ditë më parë, rreth orëve të drekës, në lagjen “28 Nëntori”.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe kapën autorin e dyshuar në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi V. M., 20 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit personal ndaj tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një përforcues metalik grushti. Gjithashtu, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i motomjetit të vjedhur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjirokastër
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-G. B., 21 vjeç, banues në fshatin Veliqot, pasi në qytetin e Tepelenës, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin R. R., 57 vjeç, banues në Tepelenë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën;
-N. Sh., 25 vjeç, banues në Skrapar, pasi në aksin rrugor “Ballaban-Bubsi 1”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 3 pasagjerë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në lagjen “Liria”, bëjmë me dije se specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 30 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin E. P., 20 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, pasi dje në rrugën “Pogej”, duke drejtuar një motomjet, ka përplasur këmbësorin, shtetasin M. Z., 53 vjeç, banues në Shkodër, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën. Pas aksidentit, shtetasi E. P. është larguar nga vendngjarja.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një të mitur 17-vjeçar, pasi dje, duke drejtuar një motomjet pa targë, dhe pa leje drejtimi, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kullaj. Si pasojë, është dëmtuar lehtë shtetasi i mitur.
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Hani i Hotit referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. N., 30 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, pasi automjeti që posedonte rezultoi i vjedhur në Francë. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. A., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-B. Ç., 28 vjeç, dhe S. S., 27 vjeç, të dy banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po lëviznin, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” iu gjetën një sasi të vogel lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-P. R., 28 vjeç, banues në fshatin Rrenc, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike nëpërmjet telefonit dhe mesazheve telefonike ndaj nipit të tij;
-M. K., 67 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. F., 44 vjeç, banues në fshatin Plezhë, pasi dyshohet se duke djegur disa shkurreve në tokën e tij, në fshatin Plezhë, zjarri ka dalë nga kontrolli dhe është djegur një sipërfaqe toke me bimësi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. K., 69 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. Zh., 43 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte një motomjet pa leje drejtimi;
-një shtetas i mitur 16-vjeçar, pasi drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. K., 33 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me pëllëmbë një shtetas.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Ç., 79 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Roskovec, pasi për motive të dobëta ka kanosur një shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurosisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Ditën e djeshme, rreth orës 19:30, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në disa sera me administrator shtetasin Xh. Gj., 30 vjeç.
Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e mbjellë me fidanë.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Elbasan
Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun Elbasan.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Në kuadër të operacionit, nga Prokuroria Elbasan janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.
Ekzekutohen 16 urdhra ndalimi, (8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë operacionit të sotëm dhe 8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë periudhës hetimore njëvjeçare).
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen edhe të 8 shtetasve të tjerë, të cilët gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa.
Ndërkohë, gjatë operacionit të zhvilluar ditën e sotme, është kapur edhe 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe është arrestuar në flagrancë një shtetas tjetër për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gram kokainë, një pjesë gati për shitje, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.
Strukturat për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale prej disa muajsh, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”, që kishte në fokus goditjen e shtetasve të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetet Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas.
Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i 8 urdhrave të ndalimit për shtetasit I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.
Gjithashtu, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. H., 39 vjeç, si dhe u kap shtetasi në kërkim P. Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ekzekutuan 27 vendime të Gjykatës për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme.
Strukturat e Hetimit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. H, 23 vjeç, banues në Fier, pasi ka deklaruar se dje, rreth orës 14:30 duke drejtuar automjetin në lagjen “24 Maji” është përplasur me një automjet tjetër, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.
Specialistët e Stacionit të Policisë Selenicë referuan materialet në Prokurori pasi në aksin rrugor Picar–Selenicë është djegur në lëvizje automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit I. D, 70 vjeç, banues në Selenicë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se djegia është shkaktuar si pasojë e një defekti teknik.
Specialistët e Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. Sh, 52 vjeç, G. Sh, 54 vjeç dhe K. Sh, 45 vjeç, të tre banues në Itali, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me vetëgjyqësi kanë prishur murin rrethues të ish-pronës së shtetases D. Sh, banuese në Tiranë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. K, 68 vjeç, banues në Ksamil, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasja H. K, e cila pretendon se pas një konflikti për motive të dobëta është goditur me shuplakë nga ky shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori pas kallëzimit të bërë nga shtetasi ukrainas D. K, 43 vjeç, i cili ka kallëzuar se i janë vjedhur targat e automjetit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Specialistët e Stacionit të Policisë Konispol referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M, banues në Konispol, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi F. M, i cili pretendon se pas një konflikti për motive të dobëta është goditur me grushte nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.
Vlorë
Mbante me vete pistoletë lodër, maskë, përforcues grushti dhe kartëmonedha në euro dhe dollarë të dyshuara të falsifikuara, vihet në pranga 18-vjeçari.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të kontrolleve intensive në terren dhe mbi bazën e informacioneve operative, kanë ndërhyrë duke bërë të mundur kapjen në flagrancënë lagjen “Lef Sallata”, të shtetasit E. H., 18 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale,
një pistoletë të llojit çakmak,
një maskë prej materiali sintetik;
një përforcues grushti metalik;
si dhe disa kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara, në euro dhe dollarë amerikanë, në prerje të ndryshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Falsifikimi i monedhave”.
Shkodër / Informacion paraprak
Rreth orës 16:25, në aksin rrugor “Shkodër–Koplik”, në fshatin Grizhë, automjeti me drejtues shtetasin A. M. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin V. X. dhe më pas me automjetin me drejtues shtetasin E. Gj.
Si pasojë e aksidentit, ka humur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Z. M., pasagjer në automjetin me drejtues shtetasin A.M., dhe janë dëmtuar lehtë dy drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerja shtetasja Gj. M., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin M. Sh., 33 vjeç, banues në fshatin Belishovë, Mallakastër, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një përforcues grushti metalik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin S. M., 32 vjeç, banues në fshatin Kremenar, Mallakastër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të xhaxhait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. S., 72 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje.
Në Stacionin e Policisë Patos është paraqitur shtetasi A. A., 35 vjeç, banues në Patos, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa vëllai i tij, shtetasi D. A., 32 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Po punohet për gjetjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 04:30, në rrugën “Xhanfize Keko” në dyqanin për sherbime interneti në pronësi të shtetasit E. M., ka shpërthyer një sasi dyshohet lëndë plasesë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor së bashku me shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
PKK Muriqan
Kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Kosovë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë kapur në dalje të RSh-së, shtetasin E. M., 23 vjeç, banues në Francë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale “Prodhim dhe shitje tëlëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 23-vjeçarit, në Kosovë.
Interpol Tirana
Vijon bashkëpunimi me partnerët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Akuzohet për kultivimin e 10 900 bimëve narkotike, në vitin 2023, në territorin e Shkodrës, ekstradohet nga Spanja 26-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Spanjë, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri të shtetasit A. Z., 26 vjeç, banues në Milot.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet dyshohet se gjatë vitit 2023, në fshatin Kir, Njësia Administrative Pult, si dhe në disa zona të tjera në afërsi të fshatit Theth, në territorin e Shkodrës, ky shtetas, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të një grupi të strukturuar kriminal, ka kultivuar 10 900 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Madrid, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi i këtij shtetasi drejt Shqipërisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. Sh., 28 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën sasi lënde narkotike Cannabiss që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasit N. M., 33 vjeç dhe I. M., 31 vjeç si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M, pasi në rrugën “Dritan Hoxha”, dyshohet se për motive të dobëta, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë dëmtuar me një mjet prerës dhe me sende të forta, shtetasin S. R, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, dhe punohet për kapjen e shtetasve E. V dhe H. A, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit i ka marrë një shumë parash dhe një aparat celular shtetasit Sh. A.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. D, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur komshiun e tij;
-referuan materialet në Prokurori, dhe punohet për kapjen e shtetasit A. S, pasi në anë të mashtrimit i ka marrë automjetin shtetasit A. S.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. P, pasi u konstatua duke hedhur inerte në një siperfaqe toke, në kundërshtim me ligjin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. U, pasi dyshohet se në oborrin e banesës së tij, duke drejtuar automjetin aksidentalisht ka përplasur djalin e tij të mitur, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin B. Gj., 49 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. F, pasi dyshohet se duke drejtuar motomjetin ka përplasur këmbësoren shtetasen e mitur, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Më datë 02.05.2026:
-në rrugën “Gjolek Kokona”, brenda në mjetin taxi është gjetur pa shenja jete, shtetasi U. K., 47 vjeç. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht dyshohet se humbja e jetës ka ardhur për shkaqe natyrale;
-shtetasit I. H dhe B. Sh, kallëzuan se në fshatin Qerekë, janë goditur nga disa persona të panjohur. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:00, në rrugën “Prokop Mina” ka rënë zjarr aksidentalisht në katin e shtatë të banesës të marrë me qira nga shtetaset K. Sh dhe S. Gj.
Nga zjarri dyshohet se është asfiksuar nga tymi shtetasi A. K, i cili banonte një kat më lart banesës së tyre, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 63 vjeç, banues në fshatin Gocaj, Lezhë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Shkodër–Lezhë duke drejtuar një mjet bujqësor pa targa dhe i papajisur me leje drejtimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin L. P., 54 vjeç, banues në fshatin Kthellë e Epërme, Mirditë, pasi në këtë fshat ka bllokuar një sipërfaqe toke me pretendimin e pronësisë së saj.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 01.05.2026, në lidhje me materialet e dërguara për vlerësim për një konflikt për motive pronësie, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin N. N., 60 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, pasi ka hyrë në një sipërfaqe toke objekt konflikti dhe ka hequr një tabelë të vendosur nga shtetasi Gj. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë ndaloi shtetasin E. B., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, këtij shtetasi, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër–Koplik”, në fshatin Grizhë, bëjmë me dije se specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 24 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
* E. B., 77 vjeç, banues në fshatin Trush, pasi dje, në Velipojë, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Rr. Rr., 64 vjeç, banues në fshatin Reç, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë, është dëmtuar lehtë shtetasi Rr. Rr., i cili, pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër, është larguar në banesë;
* E. M., 48 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. P., 46 vjeç, pronar i një subjekti, pasi dje duke e ndihmuar shtetasi P. D., 73 vjeç, ky i fundit ka rrëshqitur në një pedanë dhe ka rënë me kokë, dhe si pasojë ka ndërruar jetë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
* S. D., 18 vjeç, banues në qytetin Koplik, pasi gjatë kontrollit në banesë, nga shërbimet e Policisë, iu gjet një shkop druri si ata të bejsbollit, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
* F. T., 34 vjeç, M. T., 45 vjeç, dhe N. T., 40 vjeç, të tre banues në fshatin Reç, pasi, në fshatin Razëm, me pretendimin se është pronë e tyre, dyshohet se kanë dëmtuar gardhin rrethues të një sipërfaqeje toke, në pronësi të shtetases M. Q., 61 vjeçe, banuese në fshatin Reç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 41 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap nga shërbimet e Forcave të Posaçme “Shqiponjat”, në lagjen nr. 4 Korçë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-arrestuan në flagrancë shtetasin L. H., 20 vjeç, banues në fshatin Biranj, Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin F. S., 43 vjeç, banues në Korçë, i cili u kap nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës që i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja”;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit H. J; Gj, V; B. C; A. M; banues në fshatin Mborje, Korçë, pasi këta shtetas u kapën në Malin e Moravës, duke prerë dhe transportuar lëndë drusore pa leje.
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin S. M., banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 8, u kap duke lëvizur me një mjet prerës (thikë) në brez, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin J. Ç., 58 vjeç, banues në fshatin Guras, Pogradec, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 31-vjeçar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike Financiare ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasin P. Q., 55 vjeç, banues në Elbasan. Masë e caktuar nga Gjykata e Durrësit, në kuadër të operacionit “Eko-Toxic”, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, e kryer në bashkëpunim. Ekzekutimi i vendimit u krye në ambientet e Spitalit Elbasan, për arsye të gjendjes shëndetësore të tij.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin L. N., 48 vjeç, banues në Durrës, pasi drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit;
-nisi procedimi penal për shtetasin A. Gj., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar motomjetin nën ndikimin e alkoolit, ka humbur kontrollin dhe është vetëdëmtuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
-G. R., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi ka kallëzuar shtetasi L. R., se nipi i tij shtetasi G. R., i ka vjedhur një shumë parash në banesë;
-E. B., 41 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe është kapur nga shërbimet e Policisë në një pallat të pabanuar. Gjatë kontrollit, i është gjetur dhe një mjet prerës (thikë);
Gjithashtu po këto specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin S. S., 34 vjeç, banues në Durrës, i cili është me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, nuk është konstatuar në banesë. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për:
-shtetasin K. Xh., banues në Kavajë, pasi është konstatuar duke kryer punime ndërtimi, i pa pajisur me lejen përkatëse;
-për një 14-vjeçar, i cili është kapur në flagrancë pasi kishte vjedhur disa sende me vlerë, në banesën e shtetases E. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Vlorë / Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar për plagosje të rëndë me mjet prerës.
Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 02.05.2026, në fshatin Picar, ku mbeti i plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasi Gj. I., 23 vjeç, banues në fshatin Picar, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar, shtetasit V. H., 42 vjeç, banues në fshatin Lubonjë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Picar, ky shtetas ka goditur me mjet prerës shtetasin Gj. I.
I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thika) e dyshuar e përdorur gjatë ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, për veprime të mëtejshme.
Fier/ Informacion paraprak
Rreth orës 11:40, në spitalin rajonal të Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi E. G., 35 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me mjet prerës thikë nga një shtetas ende i paidentifikuar.
Shërbimet e Policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gracka”.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1, për zbardhjen e 9 vjedhjeve të banesave gjatë muajve të fundit.
Vihen në pranga 2 shtetas, autorë të dyshuar të vjedheve, të cilët u kapën në flagrancë duke qarkulluar me një motomjet të vjedhur, në tentativë për të kryer ngjarje të tjera kriminale, pasi iu gjetën me vete sende të përdorura për vjedhje.
Të dy shtetasit e arrestuarit të dënuar më parë për vjedhje me dhunë dhe krime kundër personit.
Sekuestrohen motomjeti, disa sende të vjedhura, armë të ftohta dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për zbardhjen e vjedhjeve të kryera më parë dhe për vënien e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-I. G., 34 vjeç dhe A. M., 39 vjeç, të dënuar më parë për vjedhje me dhunë dhe krime kundër personit.
Këta shtetas u kapën në rrugën “Panorama e Liqenit” duke udhëtuar me një motomjet të dyshuar të vjedhur.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se këta shtetas kanë vjedhur shumë parash, sende me vlerë, paisje elektronike dhe sende të tjera të ndryshe, në 9 banesa, të kryera gjatë muajve të fundit.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, pasi ditën e djeshme, në bregdetin e zonës së quajtur “Plazhi i Vjetër”, është gjetur i vetëvarur në një nga kullat e vrojtimit, shtetasi P. S., 25 vjeç, banues në Vlorë.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. R., 25 vjeç, banues në Sarandë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
Specialistët e Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. B., banues në Vlorë, pasi dyshohet se më datë 01.05.2026 ka vjedhur disa gurë dekorativë në banesën e shtetases N. Q., në fshatin Tragjas.
Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. B., 64 vjeç, banues në fshatin Dhërmi, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasja E. Gj., e cila pretendon se, në vendin e quajtur “Ish-kampi i punëtorëve”, i ka shkatërruar disa panele diellore në pronësi të saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.
Fier
Zbardhet ngjarja e ndodhur pak orë më parë në lagjen “15 Tetori”, Fier, ku u plagos me mjet prerës (thikë) shtetasi E. G., 35 vjeç.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe vijon punën për kapjen e tij.
Pas njoftimit se në Spitalin Rajonal Fier është paraqitur i dëmtuar shtetasi E. G., 35 vjeç, i cili dyshohet se ishte plagosur me mjet prerës (thikë) gjatë një konflikti. Shërbimet e Policisë kanë ndërmarrë menjëherë veprime për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, pavarësisht mosbashkëpunimit të të dëmtuarit, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar.
Policia ka shpallur në kërkim shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se gjatë një konflikti ka plagosur me mjet prerës (thikë) në pjesën e barkut shtetasin E. G.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 16:45, në vendin e quajtur “Kepi i Rodonit”, në një terren me shkurre, shtetasi A. K., rreth 52 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar një motomjet (me 4 goma), dyshohet se ka humbur kontrollin, si pasojë e terrenit, dhe është rrëzuar.
Si pasojë, 52-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Në motomjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij, shtetasja E. K., 44 vjeçe, e cila është lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
