Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 shtator 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Zbardhet në kohë rekord nga Komisariati i Policisë Nr. 6, zjarrvënia në fshatin Roshnje, Njësia Administrative Pezë. Arrestohet në flagrancë një 65-vjeçar, si autor i dyshuar i zjarrvënies. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Roshje, Njësia Administrative Pezë, kishte rënë zjarr dhe për pasojë ishte djegur një sipërfaqe e konsiderueshme ullishtesh, menjëherë organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. U., 65 vjeç, banues në Pezë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas kishte ndezur një zjarr në pronën e tij, i cili i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë dëmtuar ullishtet që ndodheshin në kufi me pronën e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë  – Finalizohet nga Komisariatit i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Sezoni. Kapen dhe arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin vidhnin në banesa të ndryshme në qarkun e Tiranës. Zbardhen dhe dokumentohen 7 raste të vjedhjeve në banesa, 3 prej tyre vjedhje kasafortash, të cilat dyshohet se janë kryer nga këta shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si dhe falë shërbimeve grackë të ngritura për këtë qëllim, pas një pune disamujore organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Sezoni”, në kuadër të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve E. M., 35 vjeç, S. Sh., 28 vjeç dhe D. B., 32 vjeç, të tre banues në Durrës. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit: A. R., 45 vjeç dhe V. O., 33 vjeçe. Nga tërësia e veprimeve hetimore disamujore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të vjedhjeve të kasafortave, sendeve me vlerë dhe shumave të parave në disa banesa, konkretisht: Më datë 06.09.2020, në rrugën “Nikolla Tupe”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente personale dhe një shumë rreth 10000 euro, në banesën e shtetasit E. A., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale; Më datë 12.08.2019, në rrugën “Skënder Luarasi”, kanë vjedhur një kasafortë brenda së cilës ka pasur një sasi lekësh te konsiderueshme parash, në banesën e shtetasit S. P., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale; Më datë 20.07.2020, në rrugën “Ramiz Kovaçi”, kanë vjedhur shumën 7000 euro, në banesën e shtetasit F. Ç.; Më datë 30.08.2020, në rrugën “Pjeter Bogdani”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente pronësie, sende me vlerë dhe shumën e parave rreth 1160 dollarë dhe 270.000 lekë, në banesën e shtetasit E. S., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale; Më datë 24.08.2020, në rrugën “Marko Boçari”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. K. Ky shtetas ishte larguar për dy muaj me pushime sezonale dhe kur është kthyer ka konstatuar vjedhjen; Më datë 29.08.2020, në rrugën “Zef Jubani”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. Sh. Ky shtetas ishte larguar bashkë me familjen për pushime sezonale dhe kur është kthyer, ka konstatuar vjedhjen; Më datë 06.02.2020, në rrugën “Njazi Demi” ” kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetases E. D. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, shuma prej 10.000 euro dhe një pajisje për bllokimin e valëve. Vijon puna kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Transportonte 2 emigrantë të paligjshëm, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt, vihet në pranga një shtetas. Procedohet penalisht edhe një shtetas tjetër, si bashkëpunëtor i dyshuar i tij. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 37 vjeç, banues në Shijak. Forcat e policisë, kanë konstatuar në hyrje të qytetit të Pogradecit, një mjet tip “Opel Zafira”, me drejtues 37-vjeçarin, të cilit i kanë bërë me shenjë të ndalonte pasi kishte dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm. Shtetasi i mësipërm, i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, është larguar me shpejtësi duke braktisur mjetin me 2 emigrantë të paligjshëm në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec dhe më pas është ndjekur, kapur dhe prangosur. Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal edhe ndaj shtetasit G. S., 41 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Durrës – Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i një subjekti, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Bien në prangat e Policisë 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me  qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar dhe ndëshkuar një subjekt në lagjen nr. 13, Durrës, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë të lartë pas orarit të përcaktuar në Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Për subjektin në fjalë, me pronar shtetasin H. D., shërbimet e Policisë kanë vendosur masën administrative 1.000.000 lekë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit V. K., banues në Borizanë, Krujë, pasi më datë 22.08.2020, gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij janë gjetur disa bimë narkotike të dyshuara si cannabis sativa dhe T. K., 56 vjeç, banues në Bushnesh, Krujë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë i ka vendosur masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Evidentohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihen në pranga dy autorët e dyshuar. Shërbimet e Policisë Fier, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, gjatë kontrollit në fshatin Cakran dhe në fshatin Gorishovë, kanë konstatuar të mbjella bimë narkotike cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar, shtetasit K. Sh., 42 vjeç, banues në Cakran, Fier dhe F. Xh., 20 vjeç, banues në Rroms, Mallakastër. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Berat – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Bien në prangat e Policisë 2 shtetasit që posedonin lëndën narkotike. Nga specialistët e Seksionit për Narkotikët u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. S., 32 vjeç dhe R. Ç., 19 vjeç, të dy banues në lagjen “Barrikadë”, Berat. Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Uznovë”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin udhëtonin iu gjetën dhe u sekuestruan disa doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. H.,17 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi në vendin e quajtur “Pedonalja”, Berat, gjatë një konflikti fizik për motive të dobëta, ka dëmtuar me varësen që mbante në qafë, shtetasin S. D., 17 vjeç, banues në lagjen ”Barrikadë”, Berat, i cili mori mjekim në Spitalin Rajonal Berat dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 25 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste: 1 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Elbasan dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Durrës, 1 në Elbasan  dhe 2 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 4 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.