Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 tetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Elbasan – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Vihet në pranga një 20-vjeçar, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 5 shtetas të huaj nga vendet e treta. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të  parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas transportonte nga Korça, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kapën dhe arrestuan shtetasin R. H., 20 vjeç, banues në Durrës. Arrestim i tij u bë pasi në fshatin Bradashesh, Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin furgon tip “Fiat”, 5 shtetas të huaj. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe nga verifikimet e bëra rezultoni se drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik “.

DVP Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim kombëtar, si dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të operacionit të koduar “Nikla”, ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikim i të miturve” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, E. P., 21 vjeç, banues në Arrameras, Krujë. Pas verifikimeve rezultoi se ky shtetas ka konsumuar të njëjtat vepra penale si shtetasit e arrestuar në kuadër të operacionit “Nikla” më datë 12.07.2020. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. D., 51 vjeç, banues në Qerret, Durrës, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, më datë 29.06.2020, i ka caktuar urdhër-ndalimi për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin turk A. U., 41 vjeç, pasi në PKK Port Durrës, ka tentuar të kalojë kufirin me dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, arrestuan në flagrancë shtetasin L. N., 42 vjeç, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 1, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në gjendje të dehur. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Shijak, Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që ishte i punësuar, u konstatua se nëpërmjet telefonit të tij, ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lotarive sportive; N. S., 53 vjeç, banues në Shijak, Durrës, pasi u konstatua se kishte zënë një pjesë të hapësirës publike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër  – Nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe goditi punonjësin e Policisë, vihet në pranga 34-vjeçari.  Sekuestrohet një sasi cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin Dh. D., 34 vjeç, lindur në Poliçan, Gjirokastër dhe rezident në Greqi, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi mesditën e datës 07.10.2020 është konstatuar duke lëvizur me shpejtësi në drejtim të Kakavijës. Në afërsi të fshatit Dervician i është bërë shenjë për të ndaluar nga punonjësit e Policisë rrugore, por ai nuk është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi. Pasi ka ndaluar në afërsi të një karburanti ka goditur me grusht një punonjës të qarkullimit rrugor.  Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Materialet në ngarkim të shtetasit Dh. D. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Tiranë – Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë godasin një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Transportonte 6 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 19-vjeçari, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër. Sekuestrohet një automjet dhe disa aparate celular.  Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë kanë goditur një tjetër rast. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. M., 19 vjeç, banues në Kukës. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në Laprakë, duke transportuar në drejtim të Kukësit, 6 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi E. S., i cili dyshohet se është i implikuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe disa aparate celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Mirditë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.  Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, e bërë gati për shitje. Vihen në pranga 2 shtetas.  Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas posedonin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit GJ. V., në fshatin Katund i Vjetër, Mirditë. Si rezultat i kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3.1 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e bërë gati për shitje. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. V., 53  vjeç dhe bashkëpunëtorin e tij shtetasin E. Z., 32 vjeç, banues në Katund i Vjetër, Mirditë.  Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Kurbin/Informacion paraprak. Më datë 07.10.2020, në orën 20.30, ështe njoftuar salla operative se në rrugën Laç-Patok, mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin E.Ç (L.P.) dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka marrë dëmtime në kokë drejtuesi i mjetit i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje si dhe në spital. Shtetasi E.Ç, ka deklaruar se është dëmtuar në kokë si pasojë e daljes nga rruga. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet pasi dyshojnë se i dëmtuari nuk tregon të vërtetën. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe konfirmimi i mjekut se nga se i është shkaktuar plaga në kokë.

Berat – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Sekuestrohen fara bime narkotike cannabis sativa. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas posedonte fara të bimëve narkotike cannabis sativa, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. D. (H). Si rezultat i kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 51 fara të dyshuara cannabis sativa dhe një pajisje hekuri të dyshuar për grirjen e lëndës narkotike. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. D. (H)., 33 vjeç, banues në lagjen Çlirim, Berat.  Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Tiranë/Informacione paraprake – Më datë 07.10.2020, rreth orës 08:30, shtetasi Y. K., agjent shitjes në një firmë ka kallëzuar se në autostradën Durrës-Rrogozhinë, persona të paidentifikuar, kanë tentuar të vjedhin në ambientet e firmës ku ai punon. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Më datë 07.10.2020 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit E. I., 25 vjeç pasi në rrugën “Marie Logoreci” dyshohet se ka tentuar të gjuajë me armë zjarri në ajër. Në vijim të veprimeve në vendngjarje nuk është konstatuar asgjë e paligjshme. Punohet për kapjen e shoqërimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Më datë 07.10.2020, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin e mitur me iniciale O. V., 17 vjeç, sepse në mënyrë të vazhdueshme, ka përndjekur ish të dashurën e mitur 17-vjeçare. Punohet për shoqërimin e O. V. dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. M., 37 vjeç, sepse Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. B., 60 vjeç, pasi  në rrugën “Kujtim Spahivogli”, në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve R. B., 21 vjeç dhe F. Gj., 33 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 64 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë dhe 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Durrës,  ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. 3 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Durrës, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar një rast i shpërdorimit të detyrës, në Gjirokastër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 4 në Tiranë dhe 1 në Berat.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.