Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Interpol Tirana – Finalizohet me sukses një tjetër bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës. Falë shkëmbimit të informacionit, lokalizohet dhe vihet në pranga në Lamia, Greqi, një i kërkuar për vrasje në Shqipëri. Në kuadër të bashkëpunimit mes Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana dhe Interpol Athinës, pas shkëmbimeve të vazhdueshme të informacioneve të grumbulluara nga Departamenti i Policisë Kriminale për vendndodhjen e një të kërkuari për vrasje, i cili fshihej në territorin grek, ditën e djeshme Policia greke, ka finalizuar kapjen dhe arrestimin e shtetasit shqiptar, me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë, konkretisht shtetasin Arben Muça, 50 vjeç, banues në Tiranë. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Ky shtetas, në vitin 1998, në Kombinat, Tiranë, në rrugën “Kelmendi”, në afërsi të një bilardoje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M. T. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana po vijon procedurat e mëtejshme për ekstradimin e shtetasit Arben Muça drejt vendit tonë.
Krujë – Vijon kontrolli masiv i territorit, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Goditen dy raste në rrethin e Krujës. Sekuestrohen rreth 17 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi heroinë. Vihen në pranga 2 shtetas, posedues të lëndës narkotike. Shërbimet e Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave për ushtrimin e kontrolleve në territore, banesa dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë evidentuan dhe goditur 2 raste. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të veprimeve arrestuan në flagrancë shtetasit: B. Z., 37 vjeç, banues në fshatin Luz, Fushë Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës rreth 14 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe disa bimë narkotike cannabis sativa; V. U., 36 vjeçe, banuese në Tapizë, Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 15 gr. fara bime narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe 435 gr. lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Krujë – Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Policisë së Krujës lokalizohet, kapet dhe arrestohet një shtetas shqiptar i dënuar me 10 vjet burg, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas informacioneve të marra nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana për një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar që fshihej në Krujë, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat, shërbimet e Policisë Krujë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e shtetasit të kërkuar, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Agim (Artur) Likaj, 47 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Fushë Krujë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Milanos, Itali, më datë 10.09.2020, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapet duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M., 31 vjeç, banues në Laprakë, Tiranë. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin Pogradec-Qafë Thanë, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Volkswagen”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit 200 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Vlorë – Vihen në pranga dy shtetas të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë ndalur dy shtetas të shpallur në kërkim kombëtar: R. L., 24 vjeç, banues në fshatin Risili, Vlorë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 9 muaj e 10 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”; L. O., 33 vjeç, banues në Levan, Fier. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhunë në familje”. Materialet iu referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 42 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 më Vlorë; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Korçë dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Vlorë, ku autori është ndaluar. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i mashtrimit, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimi të letërnjoftimeve, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër,. Ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Kanosja për shkak të detyrës”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 4 në Tiranë dhe 1 në Berat.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.