Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Ishëm/Durrës – Plagosi me armë zjarri një 36-vjeçar, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit G. S., 40 vjeç, banues në Mirditë. Ky shtetas, më datë 06.10.2020, rreth orës 01:00, në fshatin Gjuricaj, Ishëm, Durrës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasin E. T., 36 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, i dënuar më parë për dhunim banese, kryer në bashkëpunim. Shtetasi E. T. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.
Elbasan – Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit, ku mbetën të plagosur me sende të forta dy shtetas. Policia arreston një nga autorët e dyshuar dhe vijon punën për kapjen e 6 bashkëpunëtorëve të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, pas një pune të mirorganizuar hetimore dhe profesionale, kanë kapur dhe arrestuar shtetasin M. M., 23 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i shtetasit M. M. u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim K. Xh., 38 vjeç, M. G., 27 vjeç, U. G., 22 vjeç, E. T., 23 vjeç, B. H., 29 vjeç dhe D. H., 25 vjeç, më datë 04.10.2020, në lagjen “Haxhias”, Elbasan, në ambientet e brendshme të një lokali, kanë plagosur duke i goditur me sende të forta shtetasit E. B., 24 vjeç dhe E. B., 21 vjeç (vëllezër), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 05.10.2020, shtetasi M. P., 56 vjeç, ka kallëzuar se rreth orës 18:50, në Rrugën e Dibrës, në ambientet e dyqanit të tij “Exchange”, një person ende i paidentifikuar i ka kërkuar lekët, duke e kanosur me një pistoletë të dyshuar lodër, por nuk ka mundur të marrë asgjë. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Fier – Vijojnë kontrollet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Organizuan në mënyrë të përsëritur aktivitet me muzikë në një lokal nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që ishin gjobitur më parë dhe e kishin të pezulluar aktivitetin për një periudhë 6-mujore, arrestohen në flagrancë 2 pronarët e subjektit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në fshatin Mbrostar, kanë konstatuar të hapur një subjekt (lokal nate), i cili ishte gjobitur më parë dhe i ishte pezulluar aktiviteti për një periudhë 6-mujore. Gjatë ushtrimit të kontrollit në këtë subjekt, pronarët e subjektit, shtetasi A. H. dhe shtetasja D. M. kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Rendit. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Moszbatim i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjendjes së epidemisë”, pronarët e subjektit, shtetasin A. H., 24 vjeç dhe shtetasen D. M., 47 vjeçe, banuese në Vlorë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Elbasan – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet një 27-vjeçar, autor i dyshuar i disa vjedhjeve në qytetin e Elbasanit. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar E. S., 27 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës Parë Elbasan i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, pasi ky shtetas dyshohet se është autori i 6 vjedhjeve në banesa dhe lokale në qytetin e Elbasanit, gjatë periudhës korrik-shtator 2020. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në pronësi të shtetasit P. B., më datë 04.10.2020. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë shpallën në kërkim shtetasin M. N., 43 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, si autorin e dyshuar të kërcënimit me thikë të shtetases E. M. Në datën 05.06.2020 në Komisariatin e Policisë Vlorë është paraqitur për kallëzim shtetasja E. M., 48 vjeçe, banuese në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, pasi një shtetas e ka kanosur, kërcënuar dhe ka tentuar të godasë me mjet prerës. Vijon intensivisht puna për kapjen e shtetasit M. N., i cili gjithashtu dyshohet se në datë 28.09.2020 ka vjedhur disa sende në banesën e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Vjedhja”.
Shkodër – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve. Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Thethi”. Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë. Sekuestrohen 8 kg lëndë narkotike kanabis. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në bazë të provave të grumbulluara gjatë hetimeve disamujore, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Thethi “, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit T. K. 39 vjeç, banues në fshatin Theth dhe A. T. 23 vjeç, banues në fshatin Abat, Shkodër. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit GJ. L. dhe M. D. Nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore të kryera në një periudhë kohore disamujore në funksion dhe të procedimit penal të regjistruar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, për këta shtetas, u arrit goditja finale e këtij grupi kriminal dhe dokumentimi i aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit te bimëve narkotike, që e ushtronin në qytet Shkodër, Malësi të Madhe dhe Theth. Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë në fshatin Reç, duke transportuar lëndë narkotike dhe në momentin që është ndërhyrë nga punonjësit e policisë, mjeti tip “Renault” me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjer shtetasi T. K. ka tentuar të largohet më shpejtësi, por është ndaluar në ndjekje e sipër nga shërbimet e Policisë. Pas ndalimit të mjetit dhe kontrollit të ushtruar në pjesën e pasme janë konstatuar dy çanta dhe një qese plastike me 8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 2 aparate celular. Nga veprimet hetimore rezulton se në këtë veprimtari janë të implikuar edhe shtetasit GJ. L. dhe M. D., të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon intensivisht puna për kapjen e tyre. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivim i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 4 raste i “Kanosja”, 2 në Tiranë dhe 2 në Elbasan; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është ndalur dhe 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Fier, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër dhe 2 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të mashtrimit, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimi të vulave, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar i rast i “Vepra të turpshme”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 6 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.