Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 prill 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Call me 3”. Goditet një tjetër rast i përfitimit të shumave monetare nëpërmjet mashtrimeve me anë të platformave elektronike.Vihet në pranga administratori i subjektit që kryente këtë veprimtari kriminale, duke e mbuluar me aktivitetin e call center.Procedohen penalisht 4 shtetas.Në vijim të operacionit policor të koduar “Call me”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Call me 3”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit M. M., 30 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryente mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E. B., F. S., E. D. dhe A. D. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

DVP Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “COMPASS”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Strehonin 18 emigrantë të paligjshëm që kishin si qëllim kalimin në vendet e BE-së, vihet në pranga 28-vjeçari, procedohet penalisht bashkëpunëtori i tij. Sekuestrohet një automjet, një aparat celular dhe 100 euro të dyshuara të falsifikuara. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor “COMPASS”, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasi G. B., 28 vjeç, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi V. A., 32 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Në datë 05.04.2022, në vendin e quajtur “Teqja”, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, në ambientet e disa banesave të braktisura, janë gjetur 18 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se emigrantët e paligjshëm ishin strehuar nga shtetasit G. B. dhe V. A., me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 aparat celular dhe 100 euro të dyshuara të falsifikuara.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i monedhave”.

Kamzë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Paskuqani”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5. Sekuestrohet një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, vihet në pranga një 21-vjeçar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, parandalimin e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas shpërndan lëndë narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Paskuqani”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. B., 21 vjeç për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në Paskuqan, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa. Ky shtetas, pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shiste atë në doza të vogla, në zonën e Paskuqanit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 15 janë arrestuar, 59 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste: 5 raste të “Kanosja”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 4 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 4 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 8 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Goditja për shkak të detyrës”, mbetur në tentativë, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vepra të turpshme” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 2 raste, 1 rast me autorë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të arrestuar.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare” dhe “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, rasti i parë rezulton me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa rasti i dytë rezulton me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Punësimi i paligjshëm”, “Vetëgjyqësia” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, raste të cilat rezultojnë me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të shpallur në kërkim, 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 4 rastet e tjerë rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 11 raste, prej këtyre janë 2 raste të mbetura në tentativë, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë, 2 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 7 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 të shpallur në kërkim dhe me 3 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi” dhe 1 rast i veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 6 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu, 2 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 1 shtetas të arrestuar dhe me 5 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 tjetër të deportuar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, nga të cilët janë dëmtuar 7 shtetas, njëri prej tyrë në gjendje të rëndë për jetën, 6 shtetas të tjerë marrin asistencë mjekësore, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 9 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 6 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Largimi nga vendi i aksidentit”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.