Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Arsenali”. Operacion nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”. Sekuestrohen arsenal armësh zjarri të modifikuara me silenciator dhe municion luftarak. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Strukturat e DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmmbajtjes pa leje, falë bashkëpunimit me qytetarët kanë evidentuar dhe goditur një rast të posedimit të një arsenali armësh. Në këtë kuadër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte arsenal armësh zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Arsenali “, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi I. I., 63 vjeç, banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen Cfakë, Policia gjeti të fshehura në tavan dhe në një vend të përshtatur poshtë dyshemesë, një arsenal armësh, konkretisht: 4 armë zjarri të modifikuara me silenciator, 1 pistoletë shenjëdhënëse, 1000 fishekë, 8 krehra, 2 gjerdanë me 35 fishekë të armëve të gjahut, 1 aparat metalkërkues, 5 metër fitil zjarrpërcjellës dhe mjete me të cilat kryente mbushjen e fishekëve të armëve të gjahut, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 04.06.2020, ku mbeti i plagosur shtetasi V. K.  Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes. Vihet në pranga edhe 27-vjeçari që mbeti i plagosur, pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, kanë vijuar punën intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të datës 04.06.200, ku u plagos me armë zjarri shtetasi V. K., 27 vjeç. Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale të bërë nga strukturat e Policisë u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit R. Z. 30 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Gjithashtu është bërë ndalimi i shtetasit V. K., 27 vjeç, banues në fshatin Boriç i Vogël, Malësi e Madhe, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, i cili ka qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, pasi kishte dalë me leje të posaçme për efekt të COVID-19, si dhe u bë ndalimi i shtetasit E. D., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Nga veprimet e para hetimore rezulton se kjo ngjarje ka ndodhur për motive të dobëta. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Domosdova”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, pas një hetimi disamujor.  Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen 28.5 kg lëndë narkotike e llojit kanabis dhe automjetet me të cilat udhëtonin këta shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë operative kanë finalizuar operacioni policor të koduar  “Domosdova”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve T. B., 46 vjeç,  I. D., 33 vjeç dhe Y. S., 39 vjeç, të tre banues në Korçë, si dhe është shpallur në kërkim policor shtetasi B. G., 46 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij. Arrestimi i tyre u bë pasi, në aksin rrugor Elbasan-Përrenjas, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetet tip “Audi” dhe ” Peugeot”, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28.5 kg lëndë narkotike kanabis. Policia vijon punën për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Kurbin – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 35-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, me krehër me 9 fishekë. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 35 vjeç, banues në Laç, Kurbin. Arrestimi i tij u bë pasi Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet. Shërbimet e Policisë, në qytet Laç, kanë bërë ndalimin e mjetit tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin A. T. dhe gjatë kontrollit të ushtruar kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me krehër me 9 fishekë.

Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Toka e premtuar”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Ndalohen 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 6 shtetas të tjerë. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 njësi kompjuterike, 2 aparate celular, disa leje qëndrimi të shtetasve të ndryshëm, fatura bankare, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjencitë e transfertave të parave. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Toka e premtuar”, në kuadër të të cilit u ndaluan shtetasit S. Y., 41 vjeç ( shtetas palestinez ) dhe S. C., 41 vjeçe. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet kompanive konsulente, bënin të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave dhe grupeve të personave, kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës veriore. Shtetasit e këtyre vendeve, të cilët vinin në Shqipëri, nëpërmjet veprimeve të shtetasve të ndaluar, të cilët u krijonin lehtësira për hapjen e bizneseve të ndryshme në Shqipëri, kryesisht fiktivë dhe pa veprimtari financiare, arrinin të përfitonin leje qëndrimi në vendin tonë. Këta shtetas, pas qëndrimit të përkohshëm në vendin tonë, arrinin të kalonin drejt vendeve të BE-së. Në kuadër të këtij operacioni janë shpallur në kërkim nga Policia edhe 6 shtetas, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por, për arsye hetimi, nuk i bëjmë me dije gjeneralitet e tyre. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale ‘’Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit’’ dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Vlorë – Operacion për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit. Gjatë operacionit policor të koduar “Radhima”, zhvilluar nga Policia e Vlorës janë parandaluar dhe goditur 2 raste të tentativës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Arrestohen 4 shtetas, tre prej tyre shqiptarë dhe një egjiptian. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, gjatë operacionit policor të koduar “Radhima”,  kanë goditur 2 raste në Vlorë, konkretisht: Shërbimet e Policisë gjatë operacionit kanë gjetur të strehuar në banesën e shtetasit P. P., 21 shtetas egjiptianë. Policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e banesës, shtetasin P. P., 54 vjeç, si dhe shtetasin egjiptian Y. Y., 31 vjeç, banues në Milano, Itali, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të 20 shtetasve me kombësi egjiptiane. Gjithashtu, Policia ka arrestuar shtetasit R. B., 24 vjeç dhe A. B., 25 vjeç, të dy me banim në Drenicë, Kosovë. Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet policore në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke tentuar të ndihmojnë shtetasit marokenë M. E dhe M. J, për t’u futur në mënyrë ilegale në Pikën e Kalimit Kufitar Vlorë, me qëllim kalimin e tyre drejt shtetit italian. Materialet në ngarkim të secilit i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Shënkoll”. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Forcat Speciale RENEA, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen tri armë zjarri, silenciator, municion luftarak dhe jelek antiplumb. Vihet në pranga 1 person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndaj personit. Në kuadër të zbatimit të planit të masave për kontrollin e personave me precedent dhe të dyshuar për armëmbajtje pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Shënkoll”. Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit  E. D. 33 vjeç, banues në lagjen Shënkoll, Elbasan, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, konkretisht: një kallashnikov, dy pistoleta (njëra prej tyre me silenciator ), 170 fishekë dhe një jelek antiplumb. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy telefona celularë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Berat – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Shërbimet e Policisë po përdorin dronët për monitorimin e zonave të thella e pyjore. Gjatë kontrollit të territorit janë angazhuar forca të shumta policie dhe tre dronë. Kontrollet masive vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut Berat, në tokë nga punonjësit e Policisë dhe nga ajri me dronë. Si rezultat i kontrolleve me dronë deri tani nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të kanabisit. Ndërsa gjatë kontrollit me këmbë të ushtruar nga punonjësit e Policisë, në zonën e Poliçanit u konstatua një rast tentative kultivimi. Policia ka vënë në pranga shtetasin V. M., 31 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe ka shpallur në kërkim shtetasin L. M., 36 vjeç banues në Tiranë, pasi në një pjesë pylli që e kishin shpyllëzuar, në vendin e quajtur “Gorica e madhe”, në fshatin Panarit, Bashkia Poliçan, u evidentuan 253 bimë narkotike. Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë, duke kontrolluar çdo cep të territorit, edhe në zonat më të largëta, falë përdorimit të flotës së dronëve dhe helikopterëve.

Korçë – Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari. Sekuestrohet një pistoletë me krehër me 7 fishekë. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas qarkullonte në qytet me armë zjarri, strukturat e Policisë Korçë menjëherë koordinuan veprimet, lokalizuan autorin e dyshuar dhe u vunë në ndjekje të tij. Shtetasi M. A., i cili po lëvizte me mjetin e tij tip “Volkswagen Touareg”, duke parë se ishte vënë në ndjekje nga Forcat e Posaçme Operacionale të DVP Korçë, për të shmangur përgjegjësinë penale, hodhi në një kosh mbeturinash në lagjen nr. 4, armën e zjarrit pistoletë tip “Glock” me 7 fishekë, e cila u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të 29-vjeçarit, banues në Korçë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër pronës e sigurisë publike) dhe materialet i referuan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Durrës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Çiklisti”, për zbardhjen e vjedhjeve të biçikletave të ndodhura më parë. Arrestohet në flagrancë 31-vjeçari me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Zbardhen dhe dokumentohen 21 vjedhje të biçikletave të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Durrësit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, si rezultat i një pune të mirorganizuar, në kuadër të operacionit të koduar “Çiklisti”, arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., 31 vjeç, banues në Durrës , i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas, më datë 04.06.2020, në lagjen nr. 1, Durrës, ka vjedhur biçikletën e shtetasit B. D. dhe pas  ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u kap në flagrancë në lagjen nr. 17, Durrës. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe 21 vjedhje të biçikletave gjatë muajve të fundit në Durrës, konkretisht: Gjatë muajit shkurt 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletat shtetasve E. L dhe E. V.; Gjatë muajit mars 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletën shtetasit I. B.; Gjatë muajit prill 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletat shtetasve D. Sh., M. Sh., R. S., S. H., H. C. dhe Z. A.; Gjatë muajit maj 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletat shtetasve A. G., J. B, B. D., O. Gj., B. N., G. K., I. Xh., V. K., M. Xh., L. D., P. K.; Më datë 03.06.2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletën shtetasit D. Q. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kolonjë – Ushtronte aktivitetin e paligjshëm të piraterisë duke fshehur të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i tij, procedohet penalisht administratori i një televizioni. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale aparate që shërbenin për transmetime pirate televizive dhe shpërndarje interneti. Specialistët për hetimin e krimit ekonomik-financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit D. M., 50 vjeç, banues në Tepelenë. Procedimi ndaj tij filloi pasi, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë​ në një studio televizive, të cilën ky shtetas administronte iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15 aparate që përdoreshin për transmetime pirate televizive dhe shpërndarje interneti pa dokumentacionin përkatës për ushtrimin e këtyre aktiviteteve. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. R., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi, gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 qese farmaceutike me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. L., 31 vjeç, pasi, në fshatin Luz i Vogël, Kavajë, gjatë kontrolli fizik, iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike e llojit kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, i shtetasit E. Z., 40 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në kodrat e Liqenit Artificial Tiranë, i ka vjedhur shtetases E. G., me dhunë nga qafa, varësen e floririt, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. B., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi në mënyrë sistematike ka keqtrajtuar fëmijën e tij të mitur, si dhe ka kanosur dhe përndjekur ish-bashkëshorten, duke i shkaktuar gjendje ankthi dhe frikë asaj dhe familjarëve. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje” i shtetasit E. Sh., 27 vjeç, pasi, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, në banesë, ka ushtuar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 25 vjeç, pasi në rrugën “Myftar Gërbolli”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: R. Sh., 18 vjeç dhe E. M., 20 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse: I. D., 57 vjeç, pasi është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.99 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 26 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 63 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër dhe 2 në Dibër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Durrës, ku autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 13 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të shpërdorimit të detyrës, në Durrës, ku autorët po procedohen në procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Formulimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.