Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 prill 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

FAST Albania – Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët ndërmjet FAST Albania dhe FAST Italia, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “BERGAMO”.Kapet në Bergamo të Italisë 1 shtetas shqiptar, i dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale “Mashtrimi”.Në kuadër të bashkëpunimit që FAST Albania ka me kolegët e rrjetit ENFAST, është organizuar dhe finalizuar një tjetër  operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas informacioneve të grumbulluara nga FAST Albania, për vendndodhjen e 1 shtetasi në kërkim, i cili jetonte në Itali, dhe pas përcjelljes së këtyre informacioneve homologëve të FAST Italia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bergamo”, është bërë e mundur që në qytetin Bergamo të Italisë,  të kapet nga FAST Italia, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar Renato Numani, 54 vjeç, nga Fieri. Ky shtetas është i dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale “Mashtrimi”, pasi në vitin 2015 i ka marrë një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, 10 milionë lekë të reja. Shtetasi Renato Numani fshihej prej disa vitesh në Bergamo të Italisë, ku jetonte me familjen e tij. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, po vijon punën për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.

Tiranë- Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Finalizohet operacioni policor i koduar “Zall-Herr”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5. Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Zall-Herr”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Alfred Hithi, 40 vjeç, banues në fshatin Dritas, në Zall-Herr. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Port Durrës – Vijon operacioni policor i koduar “ATTEMPT”. Sekuestrohet në portin e Durrësit, në vijim të operacionit, edhe 1 tjetër kilogramë heroinë.Operacioni i nisur më 26 qershor 2021, nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Shkodrës. Gjatë operacionit u sekuestruan 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë dhe u vu në pranga drejtuesi i kamionit, shtetasi S. P. Në vijim të veprimeve të thelluara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës kanë marrë informacion se në kamionin e sekuestruar në portin e Durrësit, gjatë operacionit “ATTEMPT”, në qershor 2021, mund të kishte përsëri lëndë narkotike.Bazuar në këto informacione, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Shkodër, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionin tip “Scania”. Pas ndërhyrjes me mjete prerëse, në shasinë e kamionit u bë e mundur gjetja e një sasie tjetër lënde të dyshuar narkotike heroinë, me peshë 1 kilogramë. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit të arrestuar S. P. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.Theksojmë se në datën 26 qershor, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare të DVKM Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bazuar dhe në analizën e riskut, në kuadër të operacionit policor “ATTEMPT”, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, një kamion me targa shqiptare që po qarkullonte në drejtim të Malit të Zi. Për një kontroll më të specializuar, kamioni që drejtohej nga shtetasi S. P., 56 vjeç, është shoqëruar në portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, Policia Kufitare e portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të portit të Durrësit, që veprojnë përherë në port. Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në kamion ishin fshehur rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 23 janë arrestuar, 48 po procedohen në gjendje të lirë, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste: 5 raste të veprës penale “Kanosja”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, si dhe 2 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” janë evidentuar 3 raste, me 1 të arrestuar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Nga aksidentet në punë rezulton 1 viktimë dhe 2 shtetas të tjerë të dëmtuar.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndwrsa për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” është evidentuar 1 rast me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të ndaluar.

Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me autorë ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 6 raste, një prej tyre i mbetur në tentativë, me autorë të paidentifikuar, ndërsa 5 rastet e konsumuara të kësaj vepre penale rezultojnë: 3 me autorë të paidentifikuar në drejtim të të cilëve po vijon puna intensive nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 3 të arrestuar.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mashtrimi”, me 5 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 5 shtetas të arrestuar.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Trafikimi i mjeteve të transportit” është evidentuar nga 1 rast dhe rezultojnë për to 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, 2 prej të cilëve kanë shkaktuar vetëm dëme materiale, 6 aksidentet e tjera rezultojnë me 7 shtetas të dëmtuar, të parrezikuar për jetën. Janë evidentuar në total 15 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 7 shtetas të arrestuar dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.