Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, goditen dy raste të tjera të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit

Vihen në pranga dy shtetas.

Sekuestrohen dy aparate celulare, të cilët përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit policor “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, kanë goditur dy raste të tjera, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. S., 47 vjeç dhe J. P., 21 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 9, Korçë, konkretisht në dy lokale në përdorim nga shtetas të tjerë janë konstatuar dy shtetasit e mësipërm, të cilëve respektivisht iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale nga një aparat celular, që dyshohet së përdoreshin për vendosjen e basteve sportive të palejuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.