Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Operacioni nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga nga Policia, një shtetas në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana dhe Departamentin e Policisë Kriminale, bënë të mundur  lokalizimin në Vlorë dhe arrestimin provizor të shtetasit Gazmir Mehmetaj, 47 vjeç, lindur në Selenicë dhe banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Catalia-s, Itali, e ka dënuar me 7 vjet burg, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Bashkëpunoi me një person tjetër (të arrestuar më parë) për transportimin e 29 emigrantëve të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 23-vjeçari. Strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Policinë Kufitare Korçë dhe Komisariatin e Policisë Maliq, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 12.10.2020, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim E. M., 23 vjeç, banues në Vorë, Tiranë. Ky shtetas dyshohet si bashkëpunëtor i shtetasit M. B., 20 vjeç (i arrestuar në flagrancë), të cilët në datën 12.10.2020 janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Tyrbja e Gocës”, Maliq, duke transportuar kundrejt fitimit, me mjetin furgon tip “Benz”, 29 emigrantë të paligjshëm. Punonjësit e Policisë i kanë bërë shenjë për ndalim, por shtetasi E. M. nuk i është bindur urdhrit të tyre. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim”.

Tiranë – Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një rasti të dhunës në familje. Ushtronte dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes dhe mbante armë zjarri në banesë, vihet në pranga 30-vjeçari. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, me një krehër me fishekë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Asdreni”, një 30-vjeçar kishte konflikt me bashkëshorten dhe mbante armë zjarri në ambientet e banesës së tyre, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës në familje.  Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 22 fishekë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. E., 30 vjeç dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Zbardhet dhe dokumentohet plagosja me armë zjarri e ndodhur 2 net më parë në Fier. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, shpallen në kërkim 2 autorët e dyshuar të plagosjes. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 03.11.2020, ku si pasojë mbeti i plagosur lehtë në këmbë me armë zjarri, shtetasi M. M., 34 vjeç, arrestuan në flagrancë shtetasit: A. B., 44 vjeç banues në Fier, për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe J. M., 36 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (I dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike). Gjithashtu u shpallën në kërkim, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasit I. B., 44 vjeç (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje) dhe F. S.(K)., banues në Fier, dhe po punohet për kapjen e tyre. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “8 Shkurti”, Fier, pas një konflikti për motive të dobëta midis shtetasit I. B. dhe M. M. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shtija e narkotikëve”, shtetasin E. Gj., 28 vjeç, banues në  Vlorë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e markës “BMË” që drejtohej nga ky shtetas, është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë ndaluar shtetasin në kërkim A. H., 42 vjeç, banues në fshatin Kuç, Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 15 ditë burg, për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin R. M., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka thyer masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë jashtë banesës të tij. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., 40 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.55 mg/l. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, shtetasin G. Q.(C.), 25 vjeç, pronar i një subjekti privat, pasi në fshatin Marikaj, në aksin rrugor Tiranë-Durrës, ka shpërdoruar tokën duke vendosur tumbina betoni të mbuluara me çakull në kanalin kullues të autostradës.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës; 1 rast i “Dëmtime të  tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedon në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar një rast i kundërshtimit të punonjësit të Policisë, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, 1 në Berast dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Fier, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.