Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 gusht 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Policia e Fierit ka ndëshkuar me 1 milion lekë gjobë, administratorin e një restoranti dasme, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar 1 restorant dasme në Fier që ushtronte aktivitet duke organizuar dasma në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit.  Për subjektin në fjalë, me administratorë shtetasin F. V., 63 vjeç, banues në Fier, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë. Policia e Fierit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Lezhë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.  Arrestohet një tjetër shtetas shqiptar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar dhe një pune të mirorganizuar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, arrestuan me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Anton Kola, 51 vjeç, banues në Ishull Lezhë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Milanos, Itali, në mars 2011, e ka dënuar me 6 vite e 10 muaj burgim , për veprën penale”Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga Kodi Penal italian. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Tropojë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan shtetasin Sh. M., 48 vjeç, banues në fshatin Bujan, pronar i një biznesi inertesh në fshatin Bujan. Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 04.08.2020, ka shkuar në spitalin e qytetit të Bajram Currit, pa shenja jete, një punëtor i këtij biznesi, shtetasi A. K. (M.), 29 vjeç, banues në Bujan, i cili gjatë kohës që ka qenë duke rregulluar një makineri, aksidentalisht ka gjetur vdekjen. Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin M. Q., 22 vjeç, banues në fshatin Tetaj, Tropojë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. Arrestimi i tij u bë pasi, në aksin rrugor Bajram Curri – Fierzë, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, automjetin tip “Ford”.  Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Qafë Thanë – Arrestohen me qëllim ekstradimi dy shtetas maqedonas, të shpallur në kërkim ndëkombëtar nga autoritetet gjyqësore austriake dhe sllovene.  Ndalohet një 53-vjeçar për veprën penale “Trafik droge” dhe një 39-vjeçar për “Mashtrim kundër qeverisë”.  Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin  e Krimit në DVP Korçë, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, bënë ndalimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar R. D., 53 vjeç, banues në Stërmnicë, Tetovë dhe S. R., 39 vjeç, banues në Labunishta, Strugë.  Gjatë përpunimit të dokumentacionit të tyre në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare, konstatuan se Gjykata Austriake kishte caktuar ndaj shtetasit R. D., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafik droge” për të cilën bazuar në Kodin Penal Austriak parashikohet dënimi deri në 15 vite burg.  Gjithashtu edhe shtetasi S. R., rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Koper, Slloveni kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrim kundër qeverisë”, për të cilën bazuar në Kodin Penal Slloven parashikohet dënimi deri në 8 vite burg. Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.

Pukë – I vuri zjarrin një zone të pyllëzuar duke rrezikuar dhe banesat përreth, arrestohet në flagrancë 57-vjeçari. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë, pasi është marrë njoftim në sallën e komandimit se kishte rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore, në fshatin Lumardhë, Bashkia Fushë Arrëz, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe si rezultat i veprimeve të shpejta dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi ne flagrancë i shtetasit K. G., 57 vjeç, banues në fshatin Lumardhë, Bashkia Fushë Arrëz.  Arrestimi i këtij tij u bë pasi i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje pylli, në fshatin Lumardhë, Bashkia Fushë Arrëz dhe për pasojë zjarri ka përfshirë edhe banesën e shtetasit A. T. 48 vjeç, banues në fshatin Lumardhë, Bashkia Fushë Arrëz. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Pukë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për banorët e zonave malore dhe për barinjtë që të tregojnë kujdes dhe të mos tentojnë të vënë zjarr në pyje e kullota, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 129 apo në Komisariatin Dixhital çdo tentativë të zjarrvënies dhe çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Himarë – Policia Kufitare dhe roja bregdetare shpëtojnë tre shtetas që rrezikuan të mbyteshin në det, të cilët kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos. Vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të një shtetaseje që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur. Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë. Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë  kërkimet  intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare. Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Tiranë – Vijon operacioni “Transferta”. Shkon në 10 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni. Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar një muaj më parë nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 9 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi Sh. B., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit Sh. B. dhe ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Gjykata, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, për shtetasin e shpallur në kërkim Sh. B., 29 vjeç. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro. Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti të ashpër mes dy familjeve, për motive pronësie. Përdorën sende të forta gjatë konfliktit, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Shërbimet e Policisë në Komisariatin Nr. 4, pas njoftimit të marrë së në rrugën “Xhaferr Zelka” kishte një konflikt të ashpër për motive pronësie, mes dy familjeve, dhe se gjatë konfliktit ishin përdorur sende të forta, menjëherë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Falë reagimit në kohë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit mes këtyre familjeve. Shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit A. K., 39 vjeç dhe A. A., 47 vjeç. Shtetasi A. K. dhe fqinji i tij, shtetasi A. A. janë përfshirë në një konflikt të ashpër duke e goditur njëri-tjetrin me sende të forta dhe për pasojë kanë mbetur të dëmtuar familjarët e tyre, shtetasi i mitur me iniciale Xh. K., shtetaset L. K. dhe T. A., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë – Shërbimet  e Komisariatit të Policisë Bulqizë, plan masash për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Në 24 orët e fundit janë goditur nga Policia, 4 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve.  Procedohen penalisht 4 shtetas, sekuestrohet lëndë drusore dhe mjetet që e transportonin. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, gjatë 24 orëve të fundit kanë evidentuar dhe goditur 4 raste. Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. C., D. Z., D. D., F. L., banues në Bulqizë, pasi janë konstatuar nga Policia duke transportuar lëndë drusore, pa dokumentacionet përkatëse. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 15 m3 lëndë drusore dhe 4 automjete që shërbenin për ta transportuar. Materialet  procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Kontrolle të tilla do të vijojnë çdo ditë për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër Policia e Dibrës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Pogradec – Thyen masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, bien në prangat e policisë tre shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve J. A., 23 vjeç; E. A., 26 vjeç dhe D. D., 21 vjeç, banues në Pogradec. Shtetasit e mësipërm janë konstatuar nga kontrollet e shërbimeve policore pranë vendit të quajtur “Enkelana” në Pogradec, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të cilën Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec kishte caktuar ndaj tyre, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Fier – Vijon operacioni antidrogë i koduar “Agimi”. Shkon në 3 numri i të ndaluarve në kuadër të këtij operacioni. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim K. L., 28 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i 28-vjeçarit u bë pasi Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhër ndalimi për këtë shtetas si bashkëpunëtor në veprimtarinë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, me shtetasit L. M dhe N. M. (të arrestuar më datë 30 korrik 2020). Gjatë operacionit u sekuestruan 5.1 kg kanabis, municion luftarak dhe një sasi parash. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 9 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 autor të ndaluar; 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 6 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, 4 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 3 në Fier, me 1 autor të ndaluar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 5 raste, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 6 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës , 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Kukës.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.