Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 4 dhjetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kamëz – Finalizohet operacioni policor i koduar “Cousins”, i ndjekur me metoda proaktive. Operacioni për zbardhjen e vjedhjes së ndodhur më datë 6 nëntor 2019, ku në banesën e shtetasit Xh. Q., u vodhën 2 milionë lekë të reja. Vihet në pranga një shtetas dhe dy të tjerë procedohen në gjendje të lirë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan me metoda proaktive operacionin policor të koduar “Cousins”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi A. Q., 25 vjeç, banues në Kamëz (kushëri i pronarit të banesës së vjedhur, shtetasit Xh. Q.,). Si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit G. Q., 15 vjeç dhe A. Q., 14 vjeçe, banuese në Kamëz. Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera ka rezultuar se në datë 11 nëntor 2016, këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur banesën e shtetasit Xh. Q., ku kanë marrë 2 milionë lekë të reja. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.

Pogradec – Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Finalizohet operacioni policor i koduar “Memlishti 2”. Kapet duke transportuar 11 shtetas të huaj, arrestohet në flagrancë një shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. P., 43 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje. Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në dalje të qytetit të Pogradecit, shtetasi I. P. u kap duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz” 11 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, të cilëve iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit. Nga ana e Policisë, po punohet për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Fier – Policia evidenton një rast abuzimi nga një fondacion me qendër në Tiranë, ku punonjës të këtij fondacioni në qytetin e Fierit, krahas ndihmave për fondacionin, në mënyrë abuzive mashtronin njerëzit duke kërkuar ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasin Ajet Shira, 27 vjeç, banues në Tiranë. 27-vjeçari, duke qënë drejtues i një fondacioni me qendër në Tiranë, është autor i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi” i kryer në bashkëpunim, pasi ky shtetas, në emër të fondacionit mblidhte ndihma për të prekurit nga tërmeti, por nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto ndihma nuk kanë shkuar për të prekurit nga tërmeti, por në llogari të fondacionit të tij. Gjatë ditës së djeshme, pranë një qendre tregtare në Fier, dy shtetase janë kapur duke mbledhur vlera monetare për njerëzit e prekur nga tërmeti, duke mashtruar në emër të këtij fondacioni. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme hetimore. Policia e Shtetit ju fton që për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, të telefononi në numrin 112.

Pogradec – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Liqeni”, në fushën e tregtimit të drogave të forta. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër. Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Liqeni”, ku u godit një rast i prodhimit dhe shitjes së drogave të forta, konkretisht e llojit kokainë, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. Xh., 20 vjeç, R. V., 23 vjeç, D. B., 20 vjeç dhe K. L., 20 vjeç. Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E. Z., 17 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec. Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe gjatë kontrollit që shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Forcat e Lëvizjes Operacionale të Rendit Publik në DVP Korçë, ushtruan në lagjen nr. 1, në mjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin D. Xh., me të cilin këta shtetas po udhëtonin, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 525 gr. lëndë e dyshuar narkotike, e llojit kokainë. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.

 

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i”Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjenjde të lirë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 4 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.