Pogradec – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Liqeni”, në fushën e tregtimit të drogave të forta

Arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.

Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Liqeni”, ku u godit një rast i prodhimit dhe shitjes së drogave të forta, konkretisht e llojit kokainë, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

D. Xh., 20 vjeç, R. V., 23 vjeç, D. B., 20 vjeç dhe K. L., 20 vjeç.

Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E. Z., 17 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.

Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe gjatë kontrollit që shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Forcat e Lëvizjes Operacionale të Rendit Publik në DVP Korçë, ushtruan në lagjen nr. 1, në mjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin D. Xh., me të cilin këta shtetas po udhëtonin, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 525 gr. lëndë e dyshuar narkotike, e llojit kokainë.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.