Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – I shpallur në kërkim për krime ndaj personit, qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole gati për qitje, tentoi t’i shmangej pikës së kontrollit, kapet pas 10 minuta ndjekjeje nga forca e posaçme “Shigjetat”. Vihet në pranga 27-vjeçari me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe prangosjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që janë të shpallur në kërkim, forca e posaçme “Shigjetat” ka konstatuar një mjet që ka ndaluar 100 metra larg pikës së kontrollit te pallati me shigjeta. Drejtuesi i mjetit ka dalë nga mjeti dhe ka ikur me vrap duke mbajtur një çantë në dorë. Menjëherë punonjësit e Policisë së forcës së posaçme “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të personit, i cili kur ka parë që po e ndiqte Policia ka hedhur në një kosh armën e zjarrit dhe është larguar me shpejtësi. Pas afro 10 minuta ndjekjeje, “Shigjetat” kanë kapur dhe prangosur shtetasin L. K., 27 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me fishekë luftarak. Shtetasi L. K. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Gjithashtu ndaj këtij shtetasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka dërguar për ekzekutim urdhër-ndalimin në mungesë, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë të rendit publik” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. K. dhe materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Memaliaj – Arrestohet në flagrancë një 23-vjeçar, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Sekuestrohen 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 23 vjeç, banues në fshatin Iliras, Memaliaj. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
DVP Fier – Drejtonte pa leje drejtimi një motomjet të dyshuar të trafikuar dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga. Gjithashtu ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim. Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Drejtimi i automjetit pa leje drejtimi” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasi D. B., 44 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Savrës”, duke drejtuar pa leje drejtimi motomjetin tip “Kymco”, nuk i është bindur urdhrit të patrullës së Policisë së Komisariatit Lushnjë për të ndaluar. Nga verifikimet e kryera, dyshohet se ky mjet është i vjedhur jashtë shtetit dhe i trafikuar në Shqipëri. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” A. P., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në datën 27.09.2020, në bashkëpunim me shtetasin N. H., 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë 2 ditë më parë), nën kërcënimin e një mjeti prerës i ka marrë një sasi lekësh shtetasit L. Ç., 18 vjeç. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin P. Z., 51 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhunë në familje”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 56 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 33 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 6 në Tiranë, 2 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 5 autorë janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i mashtrimit, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.