Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 prill 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër – Shpërdoroi detyrën, vihet në pranga nëpunësi i Gjendjes Civile në Koplik të Malësisë së Madhe. Në pranga edhe ish-Drejtori i shkollës së Mesme Pyjore në Shkodër, për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve shkollore. Procedohen penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim të detyrës edhe dy mësuese të shkollës së Mesme Pyjore Shkodër. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale arrestuan shtetasin E.R., 60 vjeç, nëpunës i zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative Koplik, Bashkia Malësi e Madhe. Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet duke shpërdoruar detyrën, ai ka pajisur një shtetas me certifikatë me të dhënat e një shtetasi tjetër. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin A.Ç., 41 vjeç, ish-Drejtor i shkollës së mesme pyjore në Shkodër, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”. Shtetasi A.Ç., në detyrën e Drejtorit, në vitin 2019, pas përjashtimit nga shkolla të nxënësit Z.L., i ka vendosur nota kaluese në lëndët e semestrit të dytë të klasës së 11-të, duke i dhënë klasën e 11-të këtij nxënësi, edhe pse ishte përjashtuar në mars 2019, si dhe është pasqyruar pa mungesa në regjistër, me qëllim që ai të përfundonte vitin shkollor në muajin qershor 2019. Po ashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“ edhe për dy mësueset A.T. dhe B.L., pasi nga veprimet e para hetimore që janë kryer në shkollën e Mesme Pyjore Shkodër ka rezultuar se ato u kanë vendosur nota kaluese nxënësve të përjashtuar nga kjo shkollë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria  e Antiterrorit – Finalizohet me sukses operacioni “Vizitori”. Operacioni, nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, një shtetas nga Taxhikistani. 24-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar në Gjermani. Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin  e koduar “Vizitori”. Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K. Z., 24 vjeç, nga Taxhikistani. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS). Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetas të huaj.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 2 në Kukës, 2 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Është evidentuar dhe arrestuar 3 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Elbasan dhe 2 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.