Vijon puna nga strukturat e Policisë, për goditjen e paligjshmërisë.
Goditet nga Policia Kufitare një rast i kontrabandës me mallra të licencuara dhe nga Seksioni për Narkotikët goditet një rast i prodhimit e shitjes së drogave të forta.
Arrestohen në flagrancë dy shtetas.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, të mjetit tip kamion me drejtues shtetasin V. S., në kabinë, konstatuan një kuti me lloje të ndryshme medikamentesh farmaceutike të dyshuara si kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale u kryen nga specialistët për hetimin e krimit ekonomik-financiar në DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. S., 30 vjeç, banues në Korçë.
Specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. Sh., 22 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë, pasi në lagjen nr. 10, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip “BMW”, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.