Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe cannabis sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë dhe 1 shtetas tjetër, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Në Shkodër, u shpall në kërkim shtetasi P. Gj., 35 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sjellë për ekzekutim vendimin penal, me dënim të mbetur 2 vjet, 8 muaj e 21 ditë burgim. Ky shtetas ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.
Në Tiranë, u arrestuan në flagrancë 10 shtetas dhe u proceduan penalisht 22 të tjerë, pasi gjatë tubimit të zhvilluar më datë 16.10.2026, goditën me gurë dhe sende të forta punonjësit e Policisë dhe godinën e Ministrisë së Arsimit, duke dëmtuar 8 punonjës policie, godinën dhe sinjalistikën rrugore.
Në Vlorë, u proceduan në gjendje të lirë 23 shtetas, 3 prej tyre të mitur, për pengimin e zhvillimit të procesit mësimor në disa shkolla, kundërshtimin e punonjësve të Policisë, bllokimin e qarkullimit të automjeteve dhe dëmtimin e stolave, tabelave orientuese, koshave të mbeturinave dhe fasadës së një institucioni gjatë tubimit të zhvilluar në qytet.
Në Korçë, u proceduan penalisht 20 shtetas, 13 prej tyre të mitur, për kundërshtimin e punonjësve të Policisë dhe prishjen e rendit e të qetësisë publike gjatë tubimit të zhvilluar më datë 16.10.2026, gjatë të cilit kanë sharë dhe ofenduar qytetarët.
Në Elbasan, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 13 shtetas, pasi gjatë tubimeve të zhvilluara më datë 16.10.2026, në Elbasan dhe Prrenjas, dëmtuan sinjalistikën rrugore, tabelat e reklamave, semaforët dhe kazanët e mbeturinave.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në lidhje me protestën e zhvilluar më datë 16.10.2026, në qytetet Peshkopi dhe Burrel, u arrestuan në flagrancë shtetasit R. M., 33 vjeç; L. C., 50 vjeç dhe P. Z., 46 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 14 shtetas. Këta shtetas dyshohen se, gjatë protestës, kanë shkaktuar dëme materiale, duke thyer stola dhe kosha mbeturinash, si dhe duke dëmtuar sinjalistikën rrugore dhe, me zjarr, pjesë të pronës publike. Gjithashtu, dyshohet se kanë goditur me gurë punonjësit e Policisë, kanë dëmtuar një automjet fugon të Policisë, kanë përdorur mjete piroteknike dhe nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Në Kukës, u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 shtetas, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në Shkodër, u shpall në kërkim 1 shtetas, 35 vjeç, i dyshuar për dëmtimin me gurë të xhamave të Bashkisë Shkodër dhe të selive të dy subjekteve politike. Në vijim, u proceduan penalisht 4 shtetas për vepra penale që lidhen me shtytjen e të miturve në krim, kundërshtimin e punonjësve të Policisë dhe organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme.
Në Fier, u procedua penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas, 18 vjeç, pasi gjatë një tubimi të zhvilluar në Divjakë, hodhi lëndë piroteknike dhe një shishe me lëndë djegëse, që dyshohet të jetë benzinë.
Në Lezhë, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 8 shtetas, pasi dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimeve të zhvilluara më datë 16.10.2026, në Lezhë dhe Laç. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kundër mjedisit, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në Fier, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Rr. M., 72 vjeç, banues në fshatin Margëlliç, Patos, pasi ndezi zjarr për djegien e mbeturinave dhe, si pasojë, zjarri doli jashtë kontrollit dhe dogji 80 rrënjë ullinj në pronësi të disa shtetasve.
Janë evidentuar 7 raste në fushën e vjedhjes, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorëve.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në Tiranë, u arrestua një 23-vjeçar, pasi, duke drejtuar motomjetin, aksidentoi një këmbësor 84 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Policia Kufitare procedoi penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas për kontrabandë mallrash.
Në Vlorë, është larguar nga banesa shtetasja P. B., 26 vjeçe, banuese në lagjen “29 Nëntori”, më datë 15.10.2026, rreth orës 03:00. Punohet për gjetjen e saj.
Në Kamëz, Tiranë, është gjetur pa shenja jete në banesën e saj një 62-vjeçare. Nga hetimet paraprake dyshohet se është vetëvrarë me mjet prerës (thikë). Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Gjithashtu, një 18-vjeçare është dërguar për mjekim, pasi dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
