Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 shtator 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gramsh – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Droni 2020”, për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Droni 2020”, në kuadër të cilit u bë arrestimi i shtetasve E. XH., 37 vjeç, banues në fshatin Grabovë, Gramsh dhe E. T., 33 vjeç, banues në Burrel. Si rezultat i kontrollit të territorit me anë të dronit dhe informacioneve të marra në rrugë operative se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Grabovë e Poshtme, Gramsh, kishin kultivuar  bimë narkotike, si dhe falë punës së mirorganizuar dhe reagimit në kohë, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e këtij rasti. Në vijim të hetimeve, në lokalin e shtetasit E. T., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa fara të dyshuara si fara kanabisi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në ketë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.

Tepelenë – Evidentohen dhe goditen tre raste të kultivimit të bimëve narkotike. Vihen në pranga 3 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, duke u bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasit R. M., 32 vjeç, I. A., 62 vjeç dhe M. K., 53 vjeç, banues në fshatin Dukaj, Tepelenë. Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në oborret e banesave të tyre u konstatuan të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacion paraprak – Më datë 02.09.2020, shtetasit libian J. S., 31 vjeç dhe Sh. D., 28 vjeç, të cilët ishin shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për të kryer veprimet për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”, kanë tentuar të largohen nëpërmjet tubit shkarkues të katit të tretë të godinës dhe për pasojë janë dëmtuar. Të dy shtetasit ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 15 raste: 5 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 2 në Vlorë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 4 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 raste i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Lezhë , ku autori po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohet po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 3 në Lezhë, 1 në Korçë, 4 në Berat, 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.